Dhunimet e busteve dhe monumenteve përkujtimore në kryeqytet mbeten pa autorë

Bustet dhe monumentet përkujtimore në kryeqytet disa herë kanë rënë pre e akteve vandale dhe janë dëmtuar. Rasti i fundit ishte në dhjetor 2022, kur u dhunua busti dhe varri i Mid’hat Frashërit, por policia dhe prokuroria ka dështuar të identifikojë përgjegjësit.

Mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit që lamë pas një punonjës i  Policisë Bashkiake në Tiranë teksa kryente patrullimin e zakonshëm konstatoi dëmtimin e bustit të Mid’hat Frashërit, tek Parku i Madh i Liqenit Artificial në Tiranë.

“Punonjësi ka konstatuar se pjesa e bustit të Mid’hat Frashërit kishte rënë mbi pllakën e varrit dhe për pasojë kishte thyer mermerin në pjesën e jashtme”, bëri me dije për Median Amfora Bashkia Tiranë, në një përgjigje zyrtare.

Akti vandal në bustin përkujtimor dhe vendin ku prehen eshtrat e politikanit të shquar të Rilindjes Kombëtare ngjalli shumë reagime në opinionin publik.

“Menjëherë shkuam atje dhe pamë këtë vepër të shëmtuar kundër kulturës shqiptare dhe kundër figurës madhore të kombit”, kujtoi Uran Butka.

“Ishte rrëzuar busti i tij dhe ishte shkatërruar varri, një sjellje makabre e forcave të errëta komuniste që veprojnë edhe sot”, komentoi Butka, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, pseudonimi letrar që përdorte Mid’hat Frashëri.  

Kjo ngjarje është e përsëritur në veprat e artit me mesazhe simbolike në hapësirat e kryeqytetit. Më herët edhe “Monumenti i Pavarësisë” i vendosur tek Parku Rinia në vitin 2012, u dëmtua disa herë, duke i vjedhur pjesët metalike dhe duke i dëmtuar hapësirat e tij.

“Ka pasur edhe raste të tjera, siç ishte dëmtimi i bustit të Faik Konicës, po në atë vend dhe hedhja e një sasie boje mbi bustin e Mid’hat Frashërit”, tregoi Uran Butka për rastet e regjistruara tek monumentet e Parkut të Madh të Liqenit Artificial.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjen e regjistruar në bustin dhe varrin e publicistit Mid’hat Frashërit, por pa rezultate konkrete për identifikimin e autorëve.

“Mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar materialin kallëzues nr. 17398, të vitit 2022, përsa i takon dëmtimit të bustiti të Mid’hat Frashërit. Çështja është ende në shyrtim”, ishte përgjigja zyrtare e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria nuk mundi të identifikonte nëse kishte një hetim të nisur për rastin e dëmtimit të “Monumentit të Pavarësisë”, tek Parku Rinia.

Bashkia e Tiranës konfirmoi zyrtarisht se nuk kishte informacion nga Policia e Shtetit në lidhje me identifikimin e autorit apo autorëve të kësaj ngjarje, ndërsa Policia e Tiranës nuk ju përgjigj një kërkese për informacion nga Media Amfora.

“Mendoj se busti i Mid’hat Frashërit dhe gjithë simbolet e tjera të kombit duhet të ruhen dhe të mirëmbahen nga shteti dhe dëmtuesit duhet të ndëshkohen”, apeloi Uran Buta, drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

Qendra e Restaurimit dhe Realizimit të Veprave të Artit “Tirana”, në varësinë e Bashkisë Tiranë, drejtues i së cilës është skulptori Agim Rada, njëkohësisht autori i veprës, bëri me dije se u morën masat për restaurimin e bustit dhe pllakës së varrit.

“Dëmtimi ka konsistuar në rëzimin e bustit nga bazamenti. Busti është marrë mënjëherë nga punonjësit e bashkisë në ruajtje. Nga ana e specialistëve janë verifikuar dëmtimet dhe janë marrë masa urgjente për vendosjen e bustit në vendin e vet në datë 24.12.2022”, u përgjigj zyrtarisht Qendra e Restaurimit dhe Rrealizimit të Veprave të Artit “Tirana”.

Bashkia e Tiranës bëri me dije se janë shtuar kontrollet nga shërbimet e Policisë Bashkiake që kryejnë shërbim në Parkun e Madh të Liqenit Artificial, teksa policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar ende autorët përgjegjës të ngjarjes.