Dëmtimi i Monumentit të Nimfeut në Apoloni mbetet pa autor, prokuroria i pezulloi hetimet 

Për dëmtimin e Monumentit të Nimfeut – një çezmë monumentale e periudhës antike në Parkun Arkeologjik të Apolonisë – duket se askush nuk do të mbajë përgjegjësi, pasi Prokuroria e Fierit e pezulloi hetimin 2 vite më parë. Ky fenomen duket se mbetet i pazbuluar dhe i pandëshkuar nga drejtësia shqiptare.

Monumenti i Nimfeut përfaqëson një çezmë (“fontanë”) dekorative që shfrytëzonte ujërat e një burimi nëntokësor në qytetin antik të Apolonisë, që njëkohësisht sot përbën monumentin më të madh dhe të plotë brenda parkut.

Por teksa i gjithë vendi gjendej në karantinim total, si pasojë e pandemisë së COVID-19, Monumenti i Nimfeut u dëmtua dhunshëm nga persona të pa identifikuar të dielën e 5 prillit të vitit 2020, duke thyer të paktën 2 kolona monumentale.

“Ditën e hënë, më 6 prill 2020 jemi njoftuar nga rojet e sigurisë së parkut që kishin konstatuar një dëmtim tek Monumenti i Nimfeut nga patrullimi i bërë në zonë”, u përgjigj zyrtarisht për Median Amfora, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit për Parqet Arkeologjike Apoloni dhe Bylis. 

Drejtoria Vendore e Policisë Fier u përgjigj zyrtarisht për Median Amfora se ngjarja është denoncuar nga punonjësit e parkut arkeologjik, pasi një prej rojeve të parkut e kishte njoftuar për ngjarjen.

“Ky shtetas ka vënë në dijeni arkeologun e parkut, shtetasin A. D., i cili ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Fier, se shtetas të paidentifikuar kishin dëmtuar 2 kolona të monumentit ‘Nimfeu’, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë”, sqaroi zyrtarisht Policia e Fierit.  

Territori i Parkut Arkeologjik Kombëtar Apoloni. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Ajo e referoi ngjarjen në prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i veprave kulturore”, por Media Amfora mësoi se hetimet ishin pezulluar një muaj pas ngjarjes.

“…Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, ka regjistruar procedimin penal nr. 469/2020, për veprën penale ‘Shkatërrimi i veprave kulturore’, parashikuar nga neni 160/1 të K. Penal, për të cilin është vendosur pezullim më datë 29.05.2020”, u përgjigj zyrtarisht Prokuroria e Fierit.

Pezullimi i hetimit ka lënë pa autorë ngjarjen që solli dëmtimin e monumentit që datohet rreth shekullit III Para Erës Sonë, me sipërfaqe rreth 1500 m2, që doli në dritë në veriperëndim të parkut gjatë hapjes së një tuneli ushtarak dhe u gërmua gjatë shtatë ekspeditave nga arkeologu Hasan Ceka.

Monumenti ndodhet në territorin e parkut me sipërfaqe mbi 700 ha, jashtë qendrës monumentale të Apolonisë dhe rreth 1.5 km larg muzeut arkeologjik.

Dy kolonat e fasadës së çezmës monumentale u restauruan në qershor të vitit 2020, pasi kishin pësuar shkëputje të tamburëve nga goditjet dhe ishin ndarë në disa pjesë, duke përsuar edhe ciflosje.

Puna për restaurimin e Monumentit të Nimfeut në Apoloni. Burimi: “Facebook”: Parku Arkeologjik Kombëtar Apoloni, 29 qershor 2020

Ruajtja e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë përbën sfidë për shkak të territorit të gjerë dhe realizohet me kombinimin e patrullimeve me roje dhe me kamera sigurie, që monitorojnë objektet kryesore të parkut. 

“PAA ka një sistem mbikëqyrje me kamera sigurie, të cilat janë të vendosura në zonën muzeale të tij, në Manastirin Fjetja e Shën Mërisë dhe në biletarinë elektronike”, shpjegoi përgjigja e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit për Parqet Arkeologjike Apoloni dhe Bylis.

Pas ngjarjes zyra e administrimit sqaroi se janë shtuar patrullimet në territorin e parkut, teksa fenomeni i dhunimit të monumenteve dhe objekteve përkujtimore mbetet një fenomen i pazbuluar dhe i pandëshkuar nga drejtësia shqiptare.

Bustet dhe monumentet përkujtimore në kryeqytet disa herë kanë rënë pre e akteve vandale dhe janë dëmtuar. Rasti i fundit ishte në dhjetor 2022, kur u dhunua busti dhe varri i Mid’hat Frashërit, por policia dhe prokuroria ka dështuar të identifikojë përgjegjësit.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109