Kriza e çmimeve: Vala e dytë e goditjes për mjeshtrat shqiptarë

Në Shqipëri rezultojnë të paktën 500 artizanë që janë regjistruar vullnetarisht në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë dhe qindra të tjerë të paregjistruar, që po kalojnë ditët më të vështira të aktivitetit të tyre si pasojë e krizës së rritjes së çmimeve, pa u rimëkëmbur ende nga pasojat e pandemisë së COVID-19.  

Margarita Laçka nuk ka shitur asnjë nga shportat e saj me thurrje për këtë vit edhe pse ka realizuar disa të tilla gjatë muajve të fundit. 

“Nuk ka më shitje. Gjatë ditëve të festave të fundvitit shita disa shporta, për këtë vit asnjë”, tregoi artizania nga Pogradeci.

Ajo dhe artizanët e tjerë në vend po përballen vitet e fundit me kriza të njëpasnjëshme. Një pjesë  e kanë mbyllur aktivitetin, ndërsa të tjerë detyrohen që të bëjnë punë ndryshme për të siguruar të ardhurat. 

Margarita tashmë kalon një pjesë të mirë të kohës në malet e Pogradecit, duke mbledhur bimë medicinale, por megjithatë nga artizanti nuk dëshiron të heqë dorë. 

“Me pensionin që kam fituar nga vdekja e tim shoqi nuk mund të mbahem dhe puna me thurjen nuk po më sillte më asgjë, kështu jam detyruar të bëjë tjetër punë,” tregoi ajo. 

Sipas Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, e cila ka krijuar një regjistër vullnetar, në Shqipëri kryejnë aktivitetin rreth 500 zejtarë të fushave të ndryshme, të ndarë në dy kategori: 154 mjeshtër dhe 152 ndihmësmjeshtër.

Megjithatë, numri real i artizanëve mendohet të jetë disa herë më i madh. 

Media Amfora zhvilloi një pyetësor për të mësuar nga artizanët për situatën e aktivitetit të tyre pas rritjes së çmimeve. Rezultoi që 66.7% e të intervistuarve ishin gra dhe për 72.2% të të intervistuarve, të ardhurat nga artizanati ishin burimi kryesor për familjen e tyre.

Rritja e çmimeve: Goditja e dytë për artizanët

Fillimisht mjeshtrat shqiptarë u përballën me kufizimet që solli përhapja e virusit SARS-CoV-2, duke reduktuar ndjeshëm aktivitetin e tyre si pasojë e rënies së blerjeve.

“Muaj të tërë pa shitur asgjë. Ato materiale që më kishin ngelur i krijova shporta dhe kriza në kohën e pandemisë më goditi rëndë”, kujtoi për Amforën, Margarita Laçka, artizane në Pogradec.

Me vështirësi janë përballur dhe vazhdojnë të përballen dhe artizanët në Berat, ku tradita është e hershme dhe mjeshtrat janë organizuar në Qendrën “Margarita”.   

“Filloi që gjatë pandemisë. Një bllokim total, që nga sigurimi i bazës materiale deri tek shitja e produktit. Po vijon tani me krizën e çmimeve”, analizoi Adelina Theodhori, artizane dhe drejtuese e Qendrës së Artizanatit “Margarita”. 

Artizanët që u përgjigjën në pyetësorin e Amforës në 72.2% treguan se ndikimin e kishin ndjerë direkt përmes “rritjes së çmimeve të materialeve” dhe 22.2% përmes “uljes së kërkesës për blerje”.

Përgjigja e 18 artizanëve për mënyrën se si ka ndikuar në punën e tyre kriza e çmimeve për shkak të pandemisë ose luftës në Ukrainë

Përgjigjet e institucioneve, përfshirë Ministrinë e Kulturës, dëshmuan se artizanët nuk janë ndihmuar përgjatë pandemisë dhe as gjatë krizës së çmimeve, me skema apo forma që do i mbështesnin të mbijetonin përballë sfidave që tronditën ekonomitë botërore.

Në përgjigjet e 18 artizanëve për Amforën, rritja e çmimeve i kishte detyruar ata që të reduktonin shpenzimet, të rrisnin çmimin e produkteve ose të pezullonin aktivitetin. 

Përfaqësuesja e artizanëve në Berat, Adelina Theodhori, tha se artizanët aty nuk kanë përfituar asgjë nga qeveria përballë këtyre 2 krizave.

“Nga qeveria jo, por nga donatorë në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit kanë marrë nga 2000 euro vetëm 5 artizanë, për fuqizimin e sipërmarrjeve të tyre të vogla”, rrëfeu Theodhori. 

Një pjesë e artizanëve e kanë pezulluar NIPT-in (numri i identitifikimit në organet tatimore) në pamundësi që si “Biznes i Vogël” të paguajnë çdo muaj kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, taksat vjetore dhe shpenzimet e tjera për vijimin e aktivitetit.

Margarita Laçka është një ndër artizanet e krijimit me thupër, një zanat që po shkon drejt zhdukjes në vendin tonë dhe tashmë konsiderohet i rrallë. Megjithatë ajo tregoi se nuk e ushtron dot aktivitetin sipas rregullave tatimore sepse nuk i siguron dot të ardhurat për shlyerjen e tyre.

“Sytë i kam tek stina e verës. Shpresoj që të shtohen turistët këtë vit që të shes shportat e mia, askush nuk më ka ndihmuar gjatë këtyre krizave që po kalojmë dhe asgjë nuk kam marrë”, rrëfeu me trishtim 64 vjeçarja, për të cilën të ardhurat nga shitja e shportave ishin burimi kryesor për familjen.

Margarita Laçka, në Pogradec. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Dhoma Kombëtare e Zejtarisë shpjegoi në një përgjigje zyrtare për Amforën se ka realizuar një studim që dëshmoi se aktiviteti i mjeshtrave ndaloi dhe ata u përballën me vështirësi gjatë rikthimit në treg pas pandemisë së COVID-19.

“Zejtarët që janë dhe biznes i vogël kryesisht, sigurisht që hasin shumë vështirësi në kushtet e ndodhura. Gjatë pandemisë ne bëmë një studim për situatën e bizneseve, ku arritëm në përfundimin se shumica e tyre e kishin stopuar aktivitetin dhe u përballën me vështirësi të mëdha kur u kthyen në treg”, shpjegoi Dhoma Kombëtare e Zejtarisë. 

Skema të pakta dhe mbështetje larg realitetit të artizanëve

Në vendin tonë në të gjitha qarqet ka artizanë që vazhdojnë të mbajnë gjallë profesionet e hershme sa vetë origjina e njerëzimit. Mjeshtrat përmes krijimeve të tyre ofrojnë produkte që ndërthurin mjeshtërinë, artin, traditën dhe fantazinë.

Ministria e Kulturës në përgjigjen e saj zyrtare nuk shpjegoi për skema të krijuara për përballimin e krizës së COVID-19 dhe të rritjes së çmimeve pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ministria solli në vëmendjen “Fondin e Artizanëve 2023”, një thirrje për projekte që mbështesin dhe promovojnë artizanët. Ajo u mbyll më 25 shkurt dhe pranonte aplikime për mbështetje financiare deri në 1 milion lekë.

Punimet e kukullave me materiale tekstile në Tushemisht, Pogradec. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Por artizanët tregojnë penalizimet që i ka krijuar pezullimi apo mbyllja e NIPT-it, duke i pamundësuar aplikimin në thirrje të tilla, që vijnë përmes institucioneve shtetërore apo donatorëve të ndryshëm.

“Deri dy vite më parë isha e regjistruar, kisha NIPT-in, por u detyrova dhe e mbylla, pasi nuk paguaja dot as sigurimet sepse nuk po shisja,” tregoi Margarita Laçka, artizane e punimit të thuprës.

Një pjesë e artizanëve të pyetur nga Amfora treguan se kishin një interes të lartë për tu mbështetur nga thirrja e Ministrisë së Kulturës për vitin 2023, por pohuan se mbyllja apo pezullimi i NIPT-it i penalizonte dhe se nuk ishin në gjendje për të konceptuar vetë një projekt të mirëfilltë sipas udhëzimeve në thirrje.

72.2% e artizanëve që u përgjigjën për Amforën pohuan se kishin mbi 10 vite që e zhvillonin këtë zanat dhe pjesa më e madhe e tyre, 44.4% ishin punues të tekstileve. 

Një pjesë e mjeshtrave janë pjesë e komuniteteve që përballen me mungesën e arsimit bazë dhe të teknologjisë, si ata që janë pjesë e komunitetit egjiptian dhe rom, të shquar ndër të tjera për punimin e thuprës, e trashëguar tek ta ndër shekuj.

Për një numër shumë të vogël të artizanëve të përfshirë në skemën e biznesit të vogël tregoi edhe Adelina Theodhori, përfaqësuese e mjeshtrave në Berat.

“Qendra ka 100 artizanë, por vetëm 10 prej tyre janë të regjistruar me NIPT, ndërkohë që janë rreth 150 artizanë në total në Berat dhe në rrethina”, shpjegoi Theodhori. 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e pati të vështirë të gjente të dhëna të sakta për numrin e artizanëve të pajisur me NIPT, sipas saj për shkak të mungesës së një kodi specifik për identifikimin e tyre.

Ajo gjeti në të gjithë Shqipërinë vetëm 25 tatimpagues që e kishin pjesë të aktivitetit të tyre artizanatin.

Gjithashtu, Ministria e Kulturës nuk dha një numër për artizanët e vendit tonë, por tregoi se gjatë zbatimit të projektit “Regjistri Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Shqiptare”, ndër rreth 100 elemente të regjistruara dhe nga 140 bartës të kontaktuar, e të intervistuar, rreth 35% e tyre kishin lidhje me artizanatin.

Sipas saj është Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale që ka kompetencë të krijojë dhe të përditësojë listën e artizanëve, por nga kërkimi në faqen e saj në internet ajo nuk funksiononte dhe nga të dhënat publike nuk rezultuan shifra për numrin e artizanëve në vend.

Artizane duke punuar në grep. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Gjysma e artizanëve që u përgjigjën për Amforën pohuan se e kishin trashëguar zanatin dhe punimet e 55.6% të të intervistuarve blihen me qëllim përdorimin për dekor.

Amfora ka raportuar më herët për mjeshtrat e punimit të gurit në Berat apo të punimit të varkave dekorative prej druri në Durrës, duke ekspozuar edhe ndikimet që lidhen me mungesën e interesit për t’i trashëguar këto zanate.

Ndër artizanët e pyetur së fundmi, mjeshtrat e punimit të velgave të punës rrëfyen se braktisja e punimit të tokës ka sjellë uljen e ndjeshme të kërkesës për blerjen apo riparimin e veglave të punës në fshatra.

Megjithëse në një rast një artizane pohoi se kishite përfituar grant nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, vetë ky autoritet u përgjigj zyrtarisht për Amforën se artizanët dhe sipërmarrja e tyre, “nuk është pjesë e tagrit dhe përgjegjësive të ministrisë”.

18 artizanët që u përgjigjën për Amforën pohuan në 88.9% se i ishte ulur numri i shitjeve si pasojë e rritjes së çmimeve dhe se 94.4% nuk ishin mbështetur financiarisht nga qeveria apo bashkia pas rritjes së çmimeve.

Ata vlerësuan thirrjen e Ministrisë së Kulturës për artizanët, hapur në janar të këtij viti, por shprehën keqardhjen se nuk plotësojnë kriteret minimale të kërkuara.

“Unë vetë nuk mund të aplikoj sepse s’kam NIPT. Po kështu dhe shoqet që kam pyetur. Dëshira është e madhe, por nuk dimë se si mund të aplikojmë kur s’jemi me NIPT”, mbylli bisedën e trishtuar, Margarita Laçka. 

“NIPT-i është kushti kryesor, por të mos harrojmë që artizanët janë në moshë të mesme, e të madhe kryesisht, ndaj vështirësitë për ta janë të mëdha”, përfundoi përshkrimin e situatës Adelina Theodhori, drejtuese e Qendrës së Artizanatit Margarita në Berat.