Antoni Gidens: Përtej të majtës dhe të djathtës
Gidens ofroi vizionin e tij politik të cilin e quajti “Rruga e Tretë”. Narracioni i ofertës së tij politike është rrëfimi i një përpjekjeje për të çarë përmes dy modeleve të konsumuara, për të krijuar një filozofi pragmatike që synonte një ekuilibër të ri midis shtetit dhe tregut, midis lirisë individuale dhe solidaritetit shoqëror.
Antoni Gidens: Foto: Amazon.co.uk
Antoni Gidens lindi në Londër në vitin 1938, në një familje të klasës punëtore. Babai i tij punonte si transportues në aeroport, një punë e zakonshme, por që i dha Gidens -it një vëzhgim të hershëm të jetës së njerëzve të thjeshtë dhe strukturave që i rrethonin. Ai ishte fëmijë i vetëm dhe rriti një ndjenjë të fortë vetë-arsimi, duke lexuar më shumë seç i kërkohej në shkollë dhe duke kërkuar gjithmonë të kuptojë mekanizmat e shoqërisë që e rrethonte.
Studimet e larta i kreu në Hull dhe më pas në London School of Economics (LSE), duke hyrë në një mjedis akademik që do t’i formësonte karrierën. Më vonë u bë një nga sociologët më të njohur në botë, autor i dhjetëra librave, themelues i teorisë së strukturimit, profesor e më pas drejtor i LSE. Por përtej rrymave teorike, Gidens hyri gradualisht edhe në terrenin e politikës praktike, duke influencuar reformën e qendrës së majtë në Europë, sidomos në Britaninë e viteve ’90. Pikërisht këtu fillon rrëfimi i tij politik.
Në fillim të viteve ’90, Gidens ishte tashmë i lodhur nga polarizimet e politikës klasike: nga njëra anë socialdemokracia tradicionale që mbahej fort pas shtetit të mirëqenies së pasluftës, dhe nga ana tjetër neoliberalizmi i ashpër që promovonte tregun si mekanizmi më i vlefshëm për çdo gjë. Ai pa se të dyja qasjet kishin ngecur në logjikat e shekullit XX, ndërsa bota po hynte me ritme të shpejta në shekullin e ristukturimit ekonomik, të globalizimit, të individualizimit të lartë dhe të teknologjisë transformuese.
Në këtë kontekst, Gidens ofroi vizionin e tij politik më të rëndësishëm: “Rruga e Tretë”. Narracioni i ofertës së tij politike është rrëfimi i një përpjekjeje për të çarë përmes dy modeleve të konsumuara, për të krijuar një filozofi pragmatike që synonte një ekuilibër të ri midis shtetit dhe tregut, midis lirisë individuale dhe solidaritetit shoqëror.
Ai vuri re se shoqëritë moderne po bëheshin më komplekse. Njerëzit nuk i shihnin më identitetet e tyre vetëm përmes klasës shoqërore. Rolit të shtetit nuk mund t’i lihej një trajtë lineare: as ai i një Leviathani rregullues që ndërhynte kudo, e as ai i një rojtari minimalist të tregut. Politika, sipas Gidens, duhej të dilte nga kategoritë dualiste.
Në narracionin politik të Gidens-it, qytetari modern përballet me rreziqe të reja: rreziqe ekologjike, rreziqe teknologjike, pabarazi të reja të krijuara nga globalizimi, paqartësi kulturore dhe presion mbi institucione tradicionale si familja dhe komuniteti. Politika nuk mund të përgjigjej me receta të vjetra. Ajo duhej të merrte parasysh dinamikat e reja, duhet të krijonte siguri sociale pa shkatërruar iniciativën individuale, duhet të ofronte drejtësi sociale pa e zëvendësuar plotësisht tregun.
Nga kjo analizë, oferta politike e Gidens -it u kristalizua në disa parime kyçe:
Rënia e dualizmave. Shteti dhe tregu nuk duhet parë si armiq, por si partnerë që plotësojnë njëri-tjetrin. Familja dhe emancipimi personal nuk janë në konflikt, por mund të zhvillohen së bashku. Tradita dhe moderniteti nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.
Investim në kapitalin njerëzor. Në vend që shteti të fokusohej në shpërndarje pasive, ai duhej të ndihmonte njerëzit të bëhen aktivë: arsim, trajnim, mjekësi preventive, mbështetje ndaj të rinjve dhe grupeve vulnerabël. Kjo ishte mënyra, sipas tij, për të ndërtuar një shoqëri dinamike që i reziston transformimeve.
Politika e jetës. Këtu Gidens ofron një ide interesante dhe moderne: shumë konflikte të sotme politike nuk lindin nga ekonomia, por nga zgjedhjet që lidhen me identitetin, seksualitetin, familjen, teknologjinë, shkencën – të gjitha çështje që ndikojnë jetën intime të njerëzve. Politika duhet të përgatisë reforma që e ndihmojnë qytetarin.
Shteti si aktivizues, jo si furnizues i gjithçkaje. Shteti duhet të krijojë mundësi, jo thjesht transferime. Ai duhet të forcojë shoqërinë civile dhe të nxisë komunitetet të marrin përgjegjësi.
Këto ide nuk mbetën vetëm në teori. Tony Blair, kryeministri laburist i Britanisë, e ftoi Gidens -in të ishte këshilltar i tij. Rruga e Tretë u bë platforma bazë e reformave brenda qendrës së majtë europiane. Gidens ndikoi debatin për reformën e shtetit të mirëqenies, modelin e punësimit, politikat mbi ndryshimet klimatike, sigurinë dhe rolin e Europës në botë.
Në rrëfimin e tij politik, Gidens shfaqet si një analist i kohëzgjatjes së madhe: ai shikon të ardhmen si hapësirë të rrezikut, por edhe të mundësive. Nuk është idealist i verbër, as pragmatist pa vizion. Ai kërkon të ndërtojë një model politik që i përgjigjet realitetit të ndryshuar të globalizimit.
Por rrëfimi i tij politik nuk është pa kritika. Disa e panë Rrugën e Tretë si tepër të afërt me tregun. Të tjerë e akuzuan se ambiguiteti i saj politik i dha qendrës së majtë një identitet të zbehur. Gidens këto kritika i ka dëgjuar, por ka mbrojtur idenë se politika nuk mund të ngecë në ideologjitë e shekullit XX. Bota ka ndryshuar dhe kërkon forma të reja përgjigjeje.
Në narracionin e sotëm politik, Gidens do të përshkruante një botë të mbushur me inteligjencë artificiale, me punë të paqëndrueshme, me lëvizje migratorë dhe me sfida ekologjike të mëdha. Ai do të këmbëngulte se politika nuk mund të jetë as konservator pra e frikësuar dhe as populiste pra e thjeshtuar. Ajo duhet të jetë politikë e përgjegjësisë, e informuar nga sociologjia, nga analiza e strukturave, nga dinamika e institucioneve.
Në fund, oferta politike e Antoni Gidens nuk është një manual për qeverisje, por një strategji për mendim politik të kohës sonë: hibrid, fleksibël, realist, i orientuar drejt qytetarit aktiv dhe të ardhmes.
Ai shfaqet si figura e një sociologu që vuri në lëvizje një debat të madh: si mund të ndërtojmë një shoqëri që i përgjigjet rrezikut pa u dorëzuar ndaj tij? Si t’i kombinojmë lirinë personale me solidaritetin kolektiv? Si të mos ngecim midis nostalgjisë për të kaluarën dhe ekstazës naive për progresin?
Ky është rrëfimi politik i Antoni Gidens: një përpjekje për të krijuar një politikë të re, të aftë të mbajë ritmin e botës moderne, pa humbur fokusin tek njeriu.