Anëtari i grupit “Troplini-Doçi” përfshihet në një konflikt megjithëse është në kërkim nga SPAK-u

Mbi 1 vit pasi u shpall në kërkim nga SPAK-u në kuadër të operacionit “Ura”, Denis Tafili dyshohet se u përfshi në një konflikt të armatosur në Shkallnur të Durrësit dhe arriti të largohej megjithëse aty dyshohet se ishte edhe një punonjës policie. Ngjarja, ku po hetohet efektivi rikthen në vëmendje vështirësitë në arrestimin e anëtarëve të kërkuar të grupit kriminal Troplini-Doçi.

Policia e Shtetit pranë Shkallnurit. Foto ilustruese nga Media Amfora

Denis Tafili i shpallur në kërkim prej mbi 1 viti nga SPAK-u dyshohet se u përfshi në një konflikt të armatosur në Durrës, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet edhe ndaj një efektivi të Policisë së Shtetit që dyshohet se ishte i pranishëm në ngjarje.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi pasditen e të premtes në fshatin Shkallnur, ku rreth orës 15:00, 36-vjeçari Edison Gjuzi u godit me qytën e një pistolete “gjatë një konflikti për motive të dobëta”. Si autorë të dyshuar policia identifikoi 41 vjeçarin Denis Tafilin, i shpallur në kërkim më herët dhe 27 vjeçarin Gentian Meta, të dy banues në Shkallnur dhe u larguan së bashku me automjet menjëherë pas ngjarjes.

Grupi hetimor gjeti në vendngjarje një gëzhojë pistolete dhe dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër. Forca të shumta policie ngritën pika kontrolli dhe vijojnë kërkimet për lokalizimin e dy personave të dyshuar, ndërsa hetimi po vlerëson edhe rolin e një punonjësi policie të dyshuar si i pranishëm në vendngjarje.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë në Durrës, Leonard Xhamollari, me funksion ndihmës specialist në sallën e komandimit, për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike, ndërsa ai u shoqërua menjëherë pas ngjarjes dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale.

Denis Tafili dyshohet si anëtar i grupi kriminal me bazë në Shkozet të Durrësit, i njohur si “Troplini-Doçi”, që merr emërtimin nga Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja” dhe nipin e tij, Elvis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës” dhe i shpallur në kërkim nga SPAK-u.

Doçi, Tafili dhe anëtarë të tjerë u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, që goditi një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ngjarja vjen vetëm pak javë pasi një tjetër person i kërkuar në të njëjtin operacion, Adi Çoba, u arrestua në Shkozet nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), pas disa ditësh survejimi. Arrestimi u krye në një zonë që SPAK-u e identifikoi në dosjen hetimore si një nga qendrat e aktivitetit të grupit kriminal Troplini-Doçi. Çoba u lokalizua dhe u vu në pranga nga agjentët e BKH-së në bashkëpunim me autoritetet italiane, teksa Policia e Durrësit nuk kishte mundur të bënte arrestimin e tij.