Nga “Kosova është Serbi” te “luftoni për Rusinë”: Si u deformua deklarata e Zelenskyt

Një deklaratë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar dhe vendimi i Komunës së Prishtinës për të hequr banderolën “Free Ukraine”, u deformuan në pretendime se presidenti ukrainas kishte thënë “Kosova është Serbi” dhe se shqiptarët po braktisnin Ukrainën, deri te thirrjet se duhej të “luftonin për Rusinë”. 

Grafikë ilustruese. Përgatiti Media Amfora

Mbrëmjen e 9 gushtit, gjatë ditës së 71-të të protestave kundër qeverisë shqiptare, një grup qytetarësh që marshonte nëpër Tiranë ndërroi drejtim duke shkuar drejt ambasadave të Serbisë dhe të Ukrainës, në valën e një reagimi që kishte nisur më herët në Prishtinë.

Me brohorima dhe thirrje, “UÇK”, me parrulla kundër Volodymyr Zelenskyt, ata shkuan deri pranë ish-ambasadës ruse në Tiranë, ku në tabelën e rrugës së emërtuar rishtazi, “Ukraina e lirë”, vendosën simbolikisht mbishkrimin “Dardania e lirë”. Reagimi erdhi një ditë pasi presidenti ukrainas deklaroi në Beograd se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetej i pandryshuar.

“Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar”, ishte formulimi i saktë që Zelensky përdori më 8 gusht gjatë konferencës për mediat në Beograd. Në të njëjtën dalje publike, ai falënderoi Serbinë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë dhe nuk u fut në detaje të pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës.

Deklarata mbërriti në Kosovë paralelisht me reagime institucionale. Më 9 gusht, Komuna e Prishtinës hoqi nga një ndërtesë pranë sheshit “Zahir Pajaziti” banderolën me flamurin ukrainas dhe me mbishkrimin, “Free Ukraine”, të vendosur pas nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Kryetari Përparim Rama postoi një video që mori mbi 400 mijë shikime në “Facebook” dhe e lidhi vendimin me mosrespektimin e shtetësisë së Kosovës, por theksoi se empatia dhe solidariteti me popujt që përballen me luftë dhe persekutim vazhdojnë. 

Nga analiza e Amforës rezulton se këto zhvillime u vendosën në dritën e narrativës pro-serbe dhe pro-ruse, nga disa media dhe personazhe publikë, duke krijuar idenë e ndryshimit të qëndrimit të shqiptarëve pro Ukrainës dhe duke mohuar ekzistencën legjitime të shtetit të Kosovës.

Nga reagimet lokale te amplifikimi shtetëror rus

Deklarata e Zelenskyt dhe më pas vendimi për uljen e banderolës në zemër të Prishtinës ushqeu një rrjet llogarish në mediat sociale, të lidhura me propagandën shtetërore ruse, serbe dhe më tej me nacionalizma të fokusuara kundër Kosovës në veçanti dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Media ruse “Sputnik Srbija”, e cila mbulon zhvillimet dhe ngjarjet në Serbi, publikoi në Telegram lajmin për heqjen e banderolës, duke përdorur formulimin “e ashtuquajtura Kosovë” dhe duke e lidhur me vizitën e Zelenskyt në Beograd. Por ajo la jashtë pjesën e deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se empatia dhe solidariteti me popujt që përballen me luftë dhe persekutim vazhdonin, duke përzgjedhur nga reagimi vetëm veprimin që mund të nënkuptohej si tërheqje e mbështetjes për Ukrainën. 

Vetëm 27 minuta pas saj, seksioni për Ballkanit i medias “Russia Today”, publikoi një paragraf pothuajse identik, me të njëjtën renditje të informacionit dhe të njëjtin përcaktim, “e ashtuquajtura Kosovë”, që po ashtu paraqiste një raportim të ngjashëm, duke mos e vendosur në kontekt deklaratën e Përparim Ramës.

Analiza e postimeve nga media dhe llogari të vendosura kryesisht në rrejtin social “X”, tregon se historia u deformua përmes tri zhvendosjeve të njëpasnjëshme: Parafraza politike e Vuçiçit u kthye në një citim që Zelensky nuk e kishte shqiptuar; Vendimi i Komunës së Prishtinës dhe reagimi i një grupi protestuesish në Tiranë u përgjithësuan si qëndrim i shqiptarëve; Ndërsa zhgënjimi ndaj Kievit u përdor për të promovuar afrimin e shqiptarëve me Rusinë.

Paralelisht me mesazhet e shpërndara nga kanalet ruse u bënë edhe ato serbe, duke u fokusuar tashmë tek ngjarjet në kryeqytetin e Shqipërisë. Video e shpërndarë teksa një grup protestuesish nga lëvizja qytetare që vijon prej 77 ditësh, po kalonin përpara ambasadës së Ukrainës në Tiranë, të irrituar ata lëshuan thirrje kundër Zelenskyt, por asgjë të lidhur më Ukrainën apo mbështetjen e saj në veçanti.

Profile në rrjetin social “X”, si ajo e Vladimir Stevanovic, e ripostuan videon duke përfshirë elemente çorientuese dhe një kornizim të përshtatshëm për narrativën pro-ruse, sikur shqiptarët po kthehen kundër Ukrainës dhe në favor të Putinit. 

“Shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova po thërrasin përpara Ambasadës së Ukrainës në Tiranë: ‘Zelenski, Zelenski,…[citohen fjalë fyese në gjuhën angleze]’, ndërsa dëgjohen edhe thirrje në mbështetje të Rusisë dhe Putinit”, shkruajti ai, megjithëse këto thirrje nuk u dëgjuan në videot e ndara prej protestuesve.

Edhe deklarata e Minsitrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që mbështeste Ukrainën dhe Kosovën, duke kërkuar normalizim e njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi, ra pre e gjuhës etnonacionaliste dhe stigmatizuese. Disa prej postimeve i etiketonin shqiptarët si “separatistë” dhe “trafikantë droge e organesh”, pa paraqitur prova, ndërsa Kosovën e përshkruanin si “territor të pushtuar”. Marinko Učur, i prezantuar si gazetar i vendosur në Bosnjë dhe Hercegovinë, e “përktheu” deklaratën me një reagim direkt kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës.

“Shqiptarët vazhdojnë të shohin ëndrra të lagështa separatiste! A mendojnë vërtet se edhe në marrëzinë e tyre, dikush do ta njihte ndonjëherë pushtimin e 14% të territorit të vet, për të mundësuar krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan?”, shkruajti ai mbi postimin e ministrisë së jashtme shqiptare.

“Serbia nuk ka nevojë për asnjë njohje nga separatistët shqiptarë dhe trafikantët e drogës e të organeve. Kjo nuk do të ndodhë! Rezoluta 1244 e OKB-së vazhdon të jetë në fuqi!”, përfundoi Marinko Učur, gazetar nga Banja Luka dhe komentator i çështjeve politike në Republikën Srpska, që dallohet për një këndvështrim të theksuar serbo-nacionalist.

Narrativa e zhgënjimit ndaj Ukrainës u konvertua në mbështetje për Rusinë 

Kritika ndaj Kievit nisi si reagim ndaj mosnjohjes së Kosovës, por në një pjesë të hapësirës shqipfolëse ajo ndryshoi gradualisht drejtim. Nga kërkesa për reciprocitet ndaj Ukrainës, debati kaloi në pretendimin se shqiptarët duhej të rishikonin pozicionimin e tyre për luftën dhe të afroheshin me Rusinë. Në këtë mënyrë, qëndrimi diplomatik i Kosovës u përdor për të vënë në diskutim mbështetjen për Ukrainën dhe për të normalizuar mesazhe pro-ruse. 

“Shkojmë Russia pak ma fort”, shkruhej në një video që profili “MATEAN” publikoi në TikTok më 8 gusht dhe e cila transmetonte tekstet, “Klouni Zelensky viziton Serbinë, aleatin më të madh të Rusisë. Klouni rikonfirmoi se Ukraina mbështet shtetin gjenocidal të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës” dhe se, “Ndërkohë, Kosova është një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës në botë”.

Në momentin e monitorimit, videoja kishte arritur gati 210 mijë shikime, 7089 pëlqime, 843 komente dhe 953 shpërndarje. Profili kishte rreth 25 mijë ndjekës dhe 3.3 milionë pëlqime të grumbulluara në përmbajtjet e tij. Mes komenteve me ndërveprim të lartë shfaqeshin profilet që shkruanin, “Now I support Russia”, “Free Russia”, thirrje për heqjen e flamujve të Ukrainës dhe për dëbimin e shtetasve ukrainas.

Një ditë më pas, një narrativë e ngjashme u shfaq në një formë edhe më të drejtpërdrejtë në hapësiën shqipfolëse në “X”, por që targetonte audiencën ndërkombëtare përmes përshkrimeve në anglisht. Profili me emërtimin “Kruja Chronicles”, shkroi se shqiptarët duhej të “ndërronin anë dhe të luftonin për Rusinë”.

Ky koment u shoqërua me rishpërndarjen e një fotografie të publikuar më 10 mars 2026, në të cilën shfaqeshin disa persona të armatosur, të veshur me uniforma ushtarake dhe duke mbajtur flamurin shqiptar. Fotografia u prezantua me përshkrimin: “Foto e personave nga Shqipëria që pretendohet se shërbejnë në Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës”.

Pamje e postimeve të profilit "Kruja Chronicles" në "X"
Pamje e postimeve të profilit “Kruja Chronicles” në “X”

Në vazhdën e kësaj narrative, në një tjetër postim bëri një paralelizëm mes Kosovës dhe territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia në Krime, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, duke argumentuar se meqë Perëndimi mbështeti të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, i njëjti parim duhet të zbatohet edhe për popullsinë ruse në këto rajone. Sipas këtij arsyetimi, banorët që identifikohen si rusë dhe nuk duan të qeverisen nga Ukraina duhet të kenë të drejtën për vetëqeverisje ose bashkim me Rusinë, ndërsa qëndrimi i kundërt paraqitet si përdorim i standardeve të dyfishta.

Pamje e postimeve të profilit "Kruja Chronicles" në "X"
Pamje e postimeve të profilit “Kruja Chronicles” në “X”

Të njëjtit profil pas Pashkës Ortodokse të këtij viti, Aleksandër Dugin i shpërndau postimin që shfaqte komunitetin ortodoks në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Tiranë. Dugini i shtoi përshkrimin se, “Shqipëria dikur ishte një vend i krishterë. Shqipëria moderne u themelua nga prifti ortodoks Fan Noli”.

Ai njihet si ideologu i antishqiptarizmit modern dhe përfaqëson krahun ideologjik të imperializmit rus, si një projekt ultranacionalist, anti-liberal dhe ekspansionist që e sheh Rusinë si qendrën e një perandorie euroaziatike dhe mohon sovranitetin e plotë të vendeve që Moska i konsideron pjesë të sferës së saj të ndikimit.

Fryma e postimeve në rrjetet sociale dhe kryesisht në “X” mbështetej te barazimi mes Kosovës si një shtet tashmë i pavarur dhe rajoneve ukrainase të Donbasit e Krimesë. Por kjo analogji shpërfill kontekstet e ndryshme sepse Kosova kaloi përmes luftës, ndërhyrjes së NATO-s dhe administrimit ndërkombëtar, ndërsa Krimea dhe pjesë të Donbasit janë territore të njohura ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, të pushtuara ose të aneksuara nga Rusia. Deklarata e Zelenskyt u përdor kështu për të ndërtuar një ekuivalencë të rreme dhe për ta kthyer mosnjohjen e Kosovës në argument për mbështetjen e agresionit rus.

Fjalia e Vuçiçit që iu atribuua Zelenskyt

Një nga deformimet kryesore të deklaratës së Zelenskyt ndodhi kur formulimi i tij për qëndrimin e pandryshuar të Ukrainës ndaj mosnjohjes së Kosovës u zëvendësua me fjalinë, “Kosova është Serbi”. Dallimi nuk është vetëm gjuhësor, pasi presidenti ukrainas rikonfirmoi një politikë të hershme të Kievit, ndërsa formulimi i dytë pohon drejtpërdrejt qëndrimin e Serbisë për statusin e Kosovës dhe jo të Ukrainës.

Fraza u përdor më 9 gusht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili duke komentuar reagimet në Prishtinë tha se Zelensky kishte ardhur në Beograd dhe sipas interpretimit të tij kishte thënë, “Po, Kosova është Serbi” – Megjithëse ajo nuk gjendet në deklaratën e presidentit ukrainas, por ishte parafraza politike e Vuçiçit për qëndrimin e Kievit.

Një nga mediat që e shkëputi këtë parafrazë nga Vuçiçi dhe ia atribuoi Zelenskyt ishte “Borba.me”, me bazë në Malin e Zi dhe me përmbajtje të theksuar pro-serbe e pro-ruse. Në raportin për dezinformimin në Malin e Zi gjatë vitit 2024, rrjeti rajonal i verifikimit të fakteve “SEE Check”, e renditi atë mes faqeve kryesore që përhapnin narrativa pro-ruse dhe kundër Bashkimit Evropian.

Më 9 gusht, kjo media në internet vendosi në titull pretendimin se shqiptarët në Kosovë hoqën flamurin ukrainas pasi Zelensky, “tha se Kosova është Serbi” dhe kështu parafraza e Vuçiçit u paraqit kështu në titull si deklaratë e presidentit ukrainas, ndonëse vetë përmbajtja e shkrimit nuk e mbështeste këtë atribuim.

Në Serbi media pro-qeveritare “Informer TV”, publikoi në “TikTok” videon e Vuçiçit dhe e paraqiti “porosinë e Zelenskyt se Kosova është Serbi”, si një rezultat të shkëlqyer të vizitës së tij në Beograd, duke marrë së paku 1637 pëlqime, 269 komente dhe 225 shpërndarje – Ndërsa nga ana tjetër organizata serbe CRTA e ka renditur Informer-in mes mediave ku publikohen shpesh lajme manipuluese. Shtrirja e këtyre postimeve u fokusua tek interpretimi i përdorur nga Vuçiçi dhe u paraqit një si citim i drejtpërdrejtë i Zelenskyt. 

Nga ana tjetër, profile si Mladen Mrdalj, që vetëpërshkruhet si doktor i shkencave politike dhe pedagog me kohë të pjesshme në “Webster University” në SHBA, solli një qasje kontroverse pas deklaratës së Zelenskyt, duke nxitur mendimin se Kosova nuk duhet të mbështetet më nga Perëndimi sepse Putini e përdor si një “kartë” për të justifikuara planet e tij ekspansioniste, megjithëse postimet e tij përputhen pjesërisht me argumentet e shfrytëzuara nga Kremlini.

“Baza morale e mbështetjes perëndimore për Ukrainën do të ishte shumë më e fortë nëse Perëndimi do të vepronte në përputhje me mbështetjen e Ukrainës për integritetin territorial të Serbisë, duke i dhënë fund mbështetjes për parashtetin separatist të shqiptarëve të Kosovës, të cilin Putini e përmend vazhdimisht për të justifikuar agresionin e tij”, shkroi ai në “X”.

Kështu ajo që nisi si zhgënjim ndaj një qëndrimi diplomatik të Kievit u zhvendos në hapësirën digjitale përmes citimeve të deformuara, përgjithësimit të reagimeve të veçuara dhe përmbajtjeve që i përshtatën ngjarjet lokale narrativave pro-serbe dhe pro-ruse. Ndërsa reagimet në Prishtinë dhe Tiranë u interpretuan si qëndrim kolektiv i shqiptarëve dhe kritika ndaj Ukrainës u përdor për të normalizuar mesazhe në favor të Rusisë. 

Redaksia - Amfora.al

Amfora.al është një media online kushtuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në Shqipëri, me fokus në qytetin e Durrësit. Ne synojnë informimin e qytetarëve për zhvillimet mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e redaksisë së Medias Amfora.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Certifikuar në perputhje me standarded JTI

 

 

 

The Media Outlet has benn independently certified according to the JTI Programme and CWA 17493:2019