Gjykata e Durrësit shpall të paligjshëm arrestimin e një të mituri, 22 protestues përpara togave të zeza 

Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e një të mituri gjatë ditës së parë të protestave, duke vendosur ndaj tij masën e detyrimit për t’u paraqitur. Ndërkohë, këtë të diel, 22 protestues të arrestuar dalin para gjykatës, ndërsa për shtatë prej tyre Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg”.

Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin e një prej dy të miturve të ndaluar gjatë protestës së të enjtes, më 15 tetor, në qytet.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar të shtunën, kur gjykata caktoi ndaj të miturit masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”. Ai dyshohet për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe pjesëmarrje në një grumbullim të paligjshëm pas paralajmërimit për shpërndarje.

Për të miturin tjetër, gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, por caktoi gjithashtu masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” në policinë gjyqësore. Akuzat ndaj tij lidhen me goditjen e punonjësve të policisë për shkak të detyrës dhe pjesëmarrjen në një grumbullim të paligjshëm pas paralajmërimit për shpërndarje.

Ndërkohë, mëngjesin e së dielës, më 18 tetor, prania e forcave të policisë ishte shtuar pranë Gjykatës së Durrësit, ku pritet të shqyrtohen masat e sigurisë për 22 protestues të tjerë të arrestuar gjatë përplasjeve të së enjtes.

Gjatë protestës së të rinjëve në Durrës. Foto: Media Amfora

Përpara gjykatës kishte prezencë të shtuar të uniformave blu, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtari Orgent Nazaj.  Për shtatë prej të arrestuarve Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Të arrestuarit janë pjesë e grupit të protestuesve të ndaluar pas përplasjeve të 15 tetorit në Durrës, kur të rinjtë u përballën me forcat e policisë dhe u regjistruan dëmtime të pronës publike.

Protestat vijuan edhe gjatë dy ditëve pasuese, ndërsa të rinjtë kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe të arrestuar nga policia.