Dëm i pallogaritshëm nga zjarret, Policia e Shtetit me strukturë për krimet mjedisore
Policia e Shtetit do të ketë një strukturë të specializuar për krimet mjedisore, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e cilësoi të pallogaritshëm dëmin e shkaktuar nga zjarret e këtij viti në fondin pyjor. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raportoi të hënën 33 vatra zjarri në 24 orët e fundit, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 5 në monitorim.
Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në Krujë. Foto: “Screenshot” nga video e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile
Një strukturë e specializuar për krimet mjedisore do të ngrihet në Policinë e Shtetit, ndërsa vendi vijon të përballet me vatra zjarri dhe dëme në sipërfaqet pyjore. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, kërkoi të hënën edhe një qasje më aktive të policisë ndaj hetimit të këtyre veprave penale.
“Ka nevojë që edhe krimet mjedisore në total të kenë një strukturë të specializuar. Ne nuk mund t’u qasemi krimeve mjedisore si vepra dosido”, u shpreh Lamallari gjatë takimit me drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit.
Ministri solli si shembull dëmet e shkaktuara nga zjarret e këtij viti në sipërfaqet pyjore, duke ngritur shqetësimin edhe për kohën që do të duhet për rikuperimin e tyre.
“Vetëm zjarret këtë vit kanë shkaktuar një dëm të pallogaritshëm në fondin pyjor. Sa vite, sa gjenerata i duhen atij fondi pyjor që të rikuperohet?”, tha Lamallari.
Po të hënën, më 17 gusht, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raportoi se gjatë 24 orëve të fundit ishin evidentuar 33 vatra zjarri në vend, prej të cilave 8 mbeten aktive dhe 5 janë në monitorim.
Sipas Agjencisë, në operacionet për menaxhimin e situatës u angazhuan 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura angazhuan gjithashtu 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Ndër vatrat kryesore aktive, Agjencia renditi Malin e Dajtit në Tiranë, Gurë-Lurën në Dibër, Qafë Helmës dhe Bruç, Lufajn në Mirditë dhe Fushë-Lajën në Pukë. Në Malin e Dajtit ndërhyrja vijon me forca tokësore dhe 2 helikopterë, pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Gurë-Lurë operacioni vijon me forca tokësore dhe mbështetjen e 2 avionëve “Air Tractor”. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Qafë Helmës, zjarri u fik nga krahu i Bulqizës, por mbetet aktiv në drejtim të Selishtës, ndërsa puna vijon në terren të vështirë. Ndërhyrja vijon edhe në Lufaj të Mirditës, pas hapjes së korridoreve ndarëse dhe me mbështetje ajrore. Në Fushë-Lajë të Pukës, zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Rrjoll situata vijon të monitorohet edhe me dron.
Përtej zjarreve, Lamallari përmendi të hënën prerjen e pyjeve, ndërhyrjet në lumenj dhe ndërtimet e paligjshme si pjesë të problematikës së krimeve mjedisore. Ai kërkoi një qasje proaktive dhe ndryshimin e mënyrës së veprimit të trashëguar nga e kaluara, ku gjatë zjarreve masive roli i policisë përqendrohej kryesisht te shpëtimi dhe evakuimi i banorëve.
Lamallari kërkoi që puna e policisë të mos përfundojë me shuarjen e zjarrit, por të vijojë me hetimin e shkaqeve, evidentimin e rasteve ku dyshohet për vepër penale dhe ndjekjen e autorëve të dyshuar. Situata me zjarret ka qenë problematike prej disa ditësh në vend me zjarre në çdo qark të vendit.