Aleksandër Dugin: Ideologu i antishqiptarizmit modern
Dy ditë pas Pashkës Ortodokse, e cila këtë vit u festua më 12 prill, Aleksandër Dugin do të shkruante në profilin e tij në X shënimin: “Shqipëria dikur ishte një vend i Krishterë. Shqipëria moderne u themelua nga Fan Noli, një prift ortodoks.” Shënimi shoqërohej me një foto nga celebrimi i meshës së Pashkës në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Foto e Alexandr Dugin. Burimi: Faqja e Dugin në Facebook.
Aleksandër Dugin mbetet një nga figurat më enigmatike dhe më të debatueshme të shekullit të 21-të. I cilësuar shpesh si “Rasputini i Putinit” apo “Truri i Kremlinit”, jeta e tij është një gërshetim i errët i filozofisë esoterike, gjeopolitikës radikale dhe një dëshirë mistike për të rikthyer lavdinë e humbur të Rusisë.
Kush është Aleksandër Dugin?
Për të kuptuar Duginin, duhet të hysh në një botë ku hartat nuk janë thjesht kufij, por vija fronti në një luftë shpirtërore midis Lindjes dhe Perëndimit.
Lindur në Moskë në vitin 1962, në zemër të Bashkimit Sovjetik, Dugin u rrit në një familje ushtarakësh. Megjithatë, ai nuk u bë kurrë një “homo sovieticus” tipik. Që në rini, u tërhoq nga e ndaluara: tradicionalizmi integral, misticizmi dhe autorët e “Rrymës së Djathtë” evropiane që ishin tabu në sistemin komunist. Ky rebelim fillimisht nuk ishte ndaj liberalizmit perëndimor, por më shumë një përqafim i së kaluarës së lavdishme ruse dhe autoritarizmit perandorak.
Vepra e tij kulmore, Themelat e Gjeopolitikës, botuar në vitin 1997, shërbeu si një manual për ambiciet ruse pas rënies së Murit të Berlinit. Në këtë libër, Dugini nuk flet për paqe, por për “Eurasianizmin”. Ai e sheh botën si një përplasje të përhershme midis “fuqive të detit” (atlantistët, kryesisht SHBA dhe Britania, që përfaqësojnë tregtinë dhe liberalizmin) dhe “fuqive të tokës” (Eurasia, me Rusinë në qendër, që përfaqëson hierarkinë dhe traditën).
Ai beson se fuqitë e tokës (Behemothi – Rusia, Gjermania, Kina) duhet të krijojnë hapësirat e tyre për t’u mbrojtur nga fuqitë e detit (Leviatani – SHBA, Britania), të cilat përdorin tregtinë dhe teknologjinë për të “pushtuar” shpirtërisht popujt. Për Duginin, misioni i Rusisë është të bashkojë dy kontinentet kundër “hegjemonisë korruptuese” të Perëndimit.
Narracioni i jetës së tij ndryshoi rrënjësisht me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit. Edhe pse marrëdhënia e tyre mbetet subjekt spekulimesh – disa thonë se ai është këshilltari hije, të tjerë se është thjesht një zhurmues margjinal – idetë e tij filluan të reflektoheshin në retorikën zyrtare ruse. Termat si “Bota Ruse” (rus. “Russkiy Mir”) dhe kundërshtimi i hapur ndaj vlerave liberale perëndimore mbajnë vulën e tij filozofike.
Ai propozoi “Teorinë e Katërt Politike”, duke pretenduar se pas dështimit të liberalizmit, komunizmit dhe fashizmit, bota ka nevojë për një rrugë të re që bazohet te identiteti kombëtar dhe kundërshtimi i globalizmit. Libri “The Great Awakening Vs the Great Reset” është një manual politik i mirëfilltë ku ai propozon metodologjinë politike se si mund të shkohet te Teoria e tij e Katërt Politike.
Jeta e tij nuk ka qenë vetëm debate akademike, por edhe tragjedi e vërtetë. Në vitin 2022, vajza e tij, Daria Dugina, humbi jetën në një atentat me makinë në periferi të Moskës. Për Duginin, kjo nuk ishte vetëm një humbje prindërore, por një “sakrificë në altarin e idesë ruse”. Ai u shfaq në varrimin e saj jo si një njeri i thyer, por si një profet akoma më i vendosur, duke thirrur për fitore totale dhe transformim rrënjësor të shoqërisë ruse.
Sot, Aleksandër Dugin vazhdon të shkruajë dhe të ligjërojë, duke u shfaqur si një figurë gati mitologjike. Për kritikët, ai është arkitekti i një ideologjie të rrezikshme që ushqen konfliktet moderne. Për ndjekësit e tij, ai është mbrojtësi i fundit i traditës përballë asaj që ai e quan “nihilizëm perëndimor”. Vepra e tij mbetet një çelës i rëndësishëm për të kuptuar tensionet gjeopolitike të epokës sonë dhe rikthimin e Rusisë drejt një identiteti që kërkon të sfidojë rendin botëror.
Aleanca e shenjtë
Te libri “The Fourth Political Theory”, Aleksandër Dugin propozon një “Aleancë të Shenjtë” (ose Aleancë Strategjike) midis feve tradicionale si pjesë e projektit të tij dhe “Teorisë së Katërt Politike”. Kjo nuk është një shkrirje mekanike e feve në një të vetme dhe as një filozofi eklektike apo sinkretike, por një front i përbashkët, një aleancë e mirëfilltë kundër asaj që ai e quan “Moderniteti”, “Liberalizmi” dhe “Globalizmi”.
Sipas Duginit, të gjitha fetë tradicionale (Ortodoksia, Islami tradicional, Judaizmi hasidik, Hinduizmi, etj.) ndajnë një armik të përbashkët: botën perëndimore moderne laike, e cila ka shkatërruar kuptimin e të Shenjtës. Ai propozon që këto fe të lënë mënjanë mosmarrëveshjet teologjike për t’u bashkuar gjeopolitikisht kundër Perëndimit atlantist.
“Armiku i përbashkët na bashkon… Ne duhet të krijojmë aleanca strategjike për të përmbysur rendin aktual të gjërave – gjithçka që është fytyra e Bishës, e Antikrishtit apo Daxhallit.” – shkruan ai te The Fourth Political Theory.
Kuptohet që një qëndrim i tillë i shkon shumë përshtat frontit të brendshëm rus, i cili ka nevojë për një armik të jashtëm për t’u bashkuar. Kjo në kuadër të një heterogjeniteti të jashtëzakonshëm që ka brenda saj.
Për shembull, nuk duhet të harrojmë se në Rusi ‘vetëm’ 67% e popullsisë janë të krishterë. Aty jetojnë gjithashtu rreth 10 milion myslimanë, 1.8 milion paganë, 700.000 budistë, 100.000 hebrenj, etj. Në këtë kontekst, thirrja e Dugin ka shumë kuptim sepse i shërben politikës së brendshme ruse për të ruajtur kohezionin social dhe për të forcuar identitetin kombëtar rus.
Gjithashtu, Dugin dhe politika e jashtme ruse e dinë shumë mirë se aleatët më të ngushtë të Rusisë kanë qenë dhe janë aktualisht vendet arabe me shumicë myslimane si Egjipti, Algjeria, Siria, Irani, etj. Ndaj idetë e Dugin shkojnë edhe për të forcuar një front të jashtëm dhe ndihmojnë koniunkturën gjeopolitike të Moskës, e cila jo gjithmonë mund të mbështetet te burimet natyrore dhe ekonomike për të ruajtur hegjemoninë në disa zona të botës.
Sa më sipër ndodhet qartësisht e shprehur edhe në një dokument zyrtar të Ministrisë së Jashtme ruse të titulluar The Concept of the Foreign Policy of the Russian Federation, i publikuar në mars të vitit 2023 dhe aktualisht i aksesueshëm online.
Koncepti “Grossraum”
Dugin merr nga filozofi i nazizmit Carl Schmitt konceptin e “Grossraum” apo “Hapësirave të Mëdha” – siç mund ta quajmë në shqip. Sipas tij, Grossraum është një hapësirë e gjerë gjeografike që bashkohet rreth një fuqie apo ideje qendrore. Për shembull, duke qenë se Ballkani është një territor i banuar kryesisht nga popullsi sllave dhe ortodokse, atëherë gadishulli duhet të jetë pjesë e Grossraum-it rus.
Brenda një Grossraum-i mund të ketë fe të ndryshme (si Ortodoksia dhe Islami), por ato duhet të bashkohen kundër “anti-kulturës” djallëzore të globalizmit liberal. Sipas tij, vetëm një hapësirë e madhe që ka armë bërthamore, burime energjetike dhe një ushtri masive mund të quhet vërtet e lirë.
Si do të shohim më poshtë, Dugin e konsideron Shqipërinë pjesë të Grossraum-it rus, me përjashtimin se – ndryshe nga sa ndodh me disa vende të tjera – këtu ka një shumicë relative myslimanësh që ai po i fton në Aleancë kundër Daxhallit.
Pra, sipas tij, myslimanët shqiptarë duhet të zgjedhin të rreshtohen në krah të Rusisë dhe të futen nën mbrojtjen e saj për të luftuar të keqen e madhe që, sipas tij, është Europa dhe Amerika.
Nuk thotë ndërkohë se vetëm 30 vite më parë shqiptarët myslimanë masakroheshin pa dallim moshe dhe gjinie nga aleatët e tyre më të ngushtë dhe se Grossraumi i tij ka tentuar sistematikisht t’i asgjësojë myslimanët shqiptarë që nga koha e Romanovëve. Nuk thotë as që Shqipëria, që prej vitit 2022, konsiderohet nga qeveria ruse një vend armik (jo kundërshtar, por armik!).
Dezinformimi historik
Dugin e kupton se pengesa më e madhe për futjen e vendeve si Shqipëria në hapësirën e ndikimit rus është historia. Ndaj ai propozon, në rastin më të mirë, një rishikim të historisë dhe, në rastin më të keq (që ne besojmë se është edhe rasti i tij), një deformim të saj.
Në këtë version të ri të historisë, këshilltari i Putinit kërkon të faktorizojë, zmadhojë apo mitizojë disa elemente të përbashkëta që shqiptarët tashmë i ndajnë me Rusinë, si për shembull feja, dhe t’i instrumentalizojë ato në funksion të qëllimit të tij politik.
Më konkretisht, në postimin e datës 14 prill 2026, Aleksandër Dugin shkruan se Fan Noli është themeluesi i Shqipërisë moderne. Kujdes! Ai nuk shkruan i “shtetit shqiptar” apo i “Kishës Autoqefale Shqiptare”, por i “Shqipërisë moderne”.
Gjithashtu duhet të bëhet kujdes se si ai e përshkruan Fan Nolin. Jo si një ortodoks, por si një “prift ortodoks”, duke tentuar të lidhë Shqipërinë moderne me institucionin kishtar. Duke qenë se edhe rusët janë ortodoksë si Fan Noli, atëherë ne nuk duhet të kemi frikë prej tyre.
Sigurisht që nuk dua të bie në grackën e Dugin dhe të debatoj në lidhje me pohimet e tij. Fan Noli dhe komuniteti ortodoks kanë një peshë të jashtëzakonshme në krijimin e Shqipërisë moderne. Historia e Shqipërisë nuk do të harrojë kurrë as punën dhe sakrificën e qindra ortodoksëve të tjerë, si për shembull Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Stath Melani, Kristo Negovani, etj.
Por medalja e meritës për krijimin e Shqipërisë moderne nuk mund t’i varet kurrë në qafë një njeriu apo një komuniteti të vetëm. Ajo është produkt i sakrificës dhe punës së një ushtrie të madhe intelektualësh, pa dallim feje, gjinie dhe krahine. Dhe kushdo që tenton ta reduktojë atë si produkt të punës së një njeriu të vetëm, është në fakt duke manipuluar historinë.
Neo-Antishqiptarizmi
Postimi i Dugin, edhe pse nuk ka gjetur jehonë në median shqiptare, nuk është një ngjarje e vogël. Ajo bën të dukshme luftën e nisur nga rusët dhe një pjesë e rëndësishme e fuqive lindore (Kina, Irani, por edhe Turqia) kundër shqiptarëve prej të paktën dy dekadash. Në këtë luftë të re nuk synohet dobësimi, përçarja, asgjësimi apo shfarosja e faktorit shqiptar, por asimilimi i tij.
Kalimi në sferën (Grossraum!) e influencës lindore. Turqit na quajnë vëllezër. Rusët simpatizojnë figurat tona patriotike. Kinezët flasin për lidhjet kulturore dhe bashkëpunimin ekonomik, ndërsa iranianët pretendojnë se po luftojnë për demokracinë tonë, duke na çliruar nga muxhahedinët e Ashraf-III.
Ky antishqiptarizëm i ri ka kuptuar diçka që ndoshta vetë ne shqiptarët nuk e kemi kuptuar ende plotësisht: një pemë e këputur nga rrënjët është një pemë e vdekur! Kurrë asnjëherë Lindja nuk ka qenë aleatja jonë. Kurrë asnjëherë Lindja nuk ka qenë drita jonë. Siç shkruante Naim Frashëri: “Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim!”