Bashkia e Shkodrës në “flakë”, lajmet e pavërteta shoqërojnë protestën

Publikime në media dhe rrjete sociale raportuan se protestuesit i kishin vënë flakën Bashkisë së Shkodrës gjatë protestës së 16 tetorit. Megjithatë, informacionet e Policisë së Shtetit nuk konfirmojnë zjarr në godinën e Bashkisë, ndërsa raportimi nga terreni tregon se gjatë protestës ishte hedhur një mjet piroteknik, por zjarri nuk kishte përfshirë ndërtesën.

Protesta e të rinjve në Shkodër, e zhvilluar të premten, më 16 tetor, u shoqërua me përplasje dhe hedhjen e një mjeti piroteknik pranë godinës së Bashkisë. Ngjarja u pasqyrua nga disa media si zjarrvënie ndaj institucionit, ndërsa pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin persona që lëviznin përpara ndërtesës.

“Protestuesit i vendosin flakën Bashkisë së Shkodrës”, ishin fjalët që shoqëronin një video të publikuar nga faqja “newspiranjat” në Instagram.

Pamjet tregonin disa persona që lëviznin pranë godinës gjatë mbrëmjes, por nuk dokumentonin një zjarr që kishte përfshirë ndërtesën. Deri në momentin e monitorimit, publikimi kishte marrë rreth 1200 pëlqime dhe 27 komente.

Ngjarja u paraqit si zjarrvënie edhe nga media të tjera. Në një publikim në Instagram, “oranews.one” shkruante: “Bashkia e Shkodrës në flakë, godina sulmohet me molotovë nga disa persona të maskuar”.

Videoja shfaqte flakë pranë pjesës së jashtme të godinës dhe disa persona që lëviznin në shesh. Publikimi kishte marrë rreth 3 300 pëlqime dhe 131 komente.

Ndryshe nga mënyra si u paraqit ngjarja në titujt e mediave, në njoftimet e shqyrtuara të Policisë së Shtetit nuk konfirmohet se godina e Bashkisë së Shkodrës është përfshirë nga flakët gjatë protestës së 16 tetorit. Një konfirmim i tillë nuk rezulton as nga informacionet e Bashkisë të shqyrtuara deri në momentin e verifikimit.

Gazetarja Emi Kalaja konfirmoi për Media Amfora se gjatë protestës ishte hedhur një mjet piroteknik pranë godinës së Bashkisë së Shkodrës, por nuk kishte pasur zjarr në ndërtesë.

“Godina e Bashkisë nuk është përfshirë nga flakët”, tha Kalaja për Amforën.

Raportimet për zjarrin në Bashkinë e Shkodrës vijuan edhe në portale të tjera informative.

“Sulmohet Bashkia e Shkodrës, persona të maskuar i vënë flakën”, shkruhej në titullin e një artikulli të Publik.al, të publikuar më 16 tetor.

Edhe portali KOHA.net e raportoi ngjarjen me titullin “Objekti i Bashkisë së Shkodrës në flakë, sulmohet me molotov”.

Në përmbajtjen e artikullit thuhej se një bombë molotov kishte shpërthyer pranë derës së hyrjes së institucionit, ndërsa nuk raportoheshin persona të lënduar. Edhe në këtë rast, informacioni i dhënë në tekst nuk konfirmonte se ndërtesa ishte përfshirë nga flakët.

Ndërkohë, Policia e Shtetit, në një deklaratë të drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, më 16 tetor, njoftoi se në Shkodër ishin proceduar penalisht në gjendje të lirë nëntë persona.

Sipas policisë, procedimet lidheshin me kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të rendit, si dhe dëmtimin me sende të forta dhe zjarr të institucioneve shtetërore dhe pronave publike e private.

Në deklaratë raportohej gjithashtu plagosja e rëndë e një punonjësi të Policisë së Rendit, i cili ishte dërguar për trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Megjithatë, deklarata nuk identifikonte godinën e Bashkisë së Shkodrës si objekt të përfshirë nga zjarri dhe nuk përcaktonte dëme konkrete në këtë ndërtesë.

Publikimet e shqyrtuara përdorën pamje nga protesta dhe nga shpërthimi i një mjeti pranë institucionit, duke e paraqitur ngjarjen në tituj si zjarrvënie ndaj godinës. Ndërsa raportimet për një mjet të hedhur pranë hyrjes përputhen me përshkrimet e incidentit, pretendimi se Bashkia e Shkodrës mori flakë nuk mbështetet nga informacionet e mbledhura dhe shkaktoi momente paniku tek qytetarët.