Kur restaurimi mohon identitetin

Restaurimi i Rrugës “Naim Frashëri”, pjesë e Qendrës Historike të Pogradecit ka zëvendësuar heterogjenitetin e portave, dritareve, materialeve dhe detajeve arkitektonike me një gjuhë të standardizuar. Nën një imazh më të rregullt dhe koherent, janë zbehur shtresëzimet historike, individualiteti i ndërtesave dhe gjurmët e kohës që formonin identitetin e rrugës.

Foto bardhezi nga rruga "Naim Frashëri" pas rikonstruksionit/ Media Amfora

Pogradeci, siç e përshkruan edhe gjeniu i tij, Lasgushi, “qytetthi palcërisht shqiptar”, i futur në gjirin e maleve si kafka në trurin e njeriut, shtrihet në Shqipërinë juglindore, në bregun jugperëndimor të Liqenit të Ohrit. Mbi një kodër në veri të qytetit ngrihet Kalaja, ku gjurmët më të hershme të banimit datojnë rreth 2500 vite më parë. Në shpatin poshtë kalasë mori formë “Lagjja e Burimeve”, bërthama më e vjetër e Pogradecit, e zhvilluar pranë burimeve të shumta të ujit, prej të cilave trashëgoi edhe emrin. 

Pak më poshtë, aty ku terreni fillon të sheshohet drejt qendrës, shtrihet Rruga “Naim Frashëri”, e cila nuk është për mua thjesht një zonë muze e mbrojtur nga shteti, është rruga ku kam mësuar të lexoj qytetin përpara se të mësoja ta lexoja atë nëpër libra. Është rruga ku ka lindur dhe është rritur stërgjyshja ime dhe paraardhësit e saj, aty ku zë rrënjë vetë Pogradeci. Pozicioni i saj në qytet është domethënës, nga njëra anë qendra që po merrte formën e një qyteti modern dhe nga ana tjetër, struktura e vjetër që ngjitej drejt bërthamës historike të “Lagjes së Burimeve”. Të ecësh drejt saj do të thotë të ecësh, pa e vënë re gjithmonë, drejt vetë origjinës së Pogradecit.

Ky kalim mund të lexohet ende në vetë gjeometrinë urbane të Pogradecit. Në vitin 1927, arkitekti francez Garrique, hartoi një plan rregullues që vendoste mbi strukturën organike ekzistuese një sistem të ri rrugësh të drejta dhe lidhjesh tërthore. Për herë të parë, qyteti nuk po zhvillohej vetëm duke ndjekur terrenin dhe rrugët e krijuara gradualisht nga banimi, por edhe sipas një logjike të planifikuar, që kërkonte t’i jepte rend zgjerimit të tij.

Pamje ajrore e Pogradecit drejt bregut të liqenit, pas hapjes së rrugës kryesore drejt qendrës, në plan të parë, rreth viteve 1931-1932. Burimi: Arkivi privat i familjes Cici.
Pamje ajrore e Pogradecit drejt bregut të liqenit, pas hapjes së rrugës kryesore drejt qendrës, në plan të parë, rreth viteve 1931-1932. Burimi: Arkivi privat i Familjes Cici

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të këtij plani ishte hapja e aksit që sot mban emrin “Reshit Çollaku”, një rrugë e drejtë që përshkoi strukturën ekzistuese të qytetit, duke kaluar edhe nëpër kopshtet e mëdha të banesave të kohës. Krahas saj u zhvillua aksi i sotëm “Kajo Karafili”, ndërsa Rruga “Naim Frashëri” krijoi lidhjen tërthore mes tyre. Kështu, në pak dekada, mbi një strukturë të formuar për shekuj në mënyrë organike filloi të mbivendosej një gjeometri e re urbane.

Pikërisht këtu qëndron për mua, një nga vlerat më interesante të Rrugës “Naim Frashëri”. Ajo nuk mund të lexohet vetëm si një rrugë e viteve 1920-1930 dhe as si vazhdim i drejtpërdrejtë i Lagjes së Burimeve. Ajo është një hapësirë tranzicioni mes dy mënyrave të ndërtimit të qytetit: Strukturës së vjetër, organike, që zhvillohej drejt kodrës dhe qytetit të ri, të planifikuar, që po zgjerohej mbi terrenin më të sheshtë.

Në vitet 1930, ky transformim urban u shoqërua edhe me një ndryshim të dukshëm të arkitekturës. Përgjatë akseve të reja u shfaqën hotele, dyqane, ndërtesa administrative dhe banesa që sillnin një gjuhë tjetër nga ajo e qytetit tradicional. Modelet arkitekturore dhe teknikat e reja të ndërtimit, të ndikuara kryesisht nga Italia dhe Franca, filluan të bashkëjetonin me mjeshtërinë vendase. Garrique projektoi disa nga ndërtesat e para të kësaj periudhe, mes tyre edhe kinemanë e qytetit në vitin 1932, më pas, me shtimin e ndërtimeve u përdorën edhe projekte të ardhura nga jashtë.

Por ajo që më intereson në këtë histori nuk është thjesht ardhja e një stili të ri. Është mënyra se si e reja u vendos pranë së vjetrës, pa e bërë menjëherë të padukshme. Në Rrugën “Naim Frashëri”, ndërtesat me karakter tregtar dhe banesat e reja me ndikime perëndimore bashkëjetuan me forma, materiale dhe mënyra ndërtimi të trashëguara nga qyteti tradicional. Rruga u bë kështu një vend ku modernizimi i Pogradecit mund të lexohej jo si një shkëputje e menjëhershme nga e kaluara, por si një shtresë e re e vendosur mbi të.

Edhe sot kjo marrëdhënie mes shtresave është ajo që i jep zonës vlerën e saj. Rruga “Naim Frashëri” dhe “Lagjja e Burimeve” janë pjesë e Qendrës Historike të Pogradecit dhe mbrohen pikërisht sepse ruajnë dëshmi të fazave të ndryshme të zhvillimit të qytetit. Vlera e tyre nuk qëndron vetëm te ndërtesat e veçuara, por tek marrëdhënia mes tyre, tek ndryshimi i shkallës, ritmit, materialeve, parcelave dhe mënyrës se si rruga kalon gradualisht nga një karakter urban në një tjetër.

Pamje nga "Lagjja e Burimeve", 1918. Burimi: Koleksion privat.
Pamje nga “Lagjja e Burimeve”, 1918. Burimi: Koleksion privat

Fotografitë e vjetra e tregojnë këtë rrugë krejt ndryshe nga sot, fasada me lartësi e ritëm të çrregullt, por organik; Porta druri me ngjyra dhe forma të ndryshme nga njëra-tjetra; Dyqane në katin përdhe dhe banesa sipër; Po ashtu një atmosferë ku çdo ndërtesë dukej sikur fliste gjuhën e vet, pa u përsëritur asnjëherë në mënyrë identike me fqinjen. Ishte pikërisht kjo larmi, jo rregullsia, ajo që i jepte rrugës karakterin.

Sot, kur shoh rezultatin e restaurimit të saj, gëzimi im për faktin që dikush më në fund vendosi t’i kushtojë vëmendje kësaj lagjeje historike përplaset me shqetësimin tim, të cilin nuk mund ta mbaj më vetëm për vete. Problemi nuk është se u restaurua, problemi është çfarë u konsiderua e denjë për t’u ruajtur. Kur restaurimi fillon duke zëvendësuar elementet që mbartin individualitetin e një ndërtese, ai rrezikon të ruajë vetëm imazhin e saj, jo identitetin.

Reflektimi që vijon mbështetet në shqyrtimin e dokumentacionit publik të projektit “Restaurimi dhe Rikualifikimi Urban i Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur të Qytetit të Pogradecit”, hartuar në fazën e projektit të zbatimit në gusht 2021 nga studioja projektuese “SPHAERA sh.p.k”. Projekti u realizua si investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, në kuadër të programit buxhetor 2024-2026. Analiza që pason nuk synon të vlerësojë aspektet procedurale apo teknike të ndërhyrjes, por rezultatin e saj në raport me identitetin arkitekturor, kujtesën urbane dhe lexueshmërinë historike të kësaj pjese të qytetit.

Uniformiteti si humbje e kujtesës urbane

Kultura e një qyteti lexohet përmes arkitekturës së tij, jo përmes tabelave informuese pranë saj, të cilat në këtë rast mungojnë krejtësisht. Një turist që ecën sot përgjatë kësaj rruge sheh fasada të pikturuara me ngjyra të gëzueshme, të rregullta dhe të pastra. Me syrin e tij, gjithçka duket mirë, por pa shtresëzim historik. Ai nuk mund të lexojë më as moshën reale të ndërtesave, as të bëjë dallimin mes njërës banesë dhe tjetrës, as të shohë atë ritëm të çrregullt, por organik, që lë vetë koha kur nuk e imiton, por shënjohet natyrshëm mbi një fasadë. Portat flasin sot me të njëjtën gjuhë, dritaret përsëriten njësoj dhe atyre u shtohen edhe elemente urbane krejt jashtë kontekstit historik të rrugës, siç janë ndriçuesit e rinj, të njëjtë e të përsëritur pa asnjë lidhje me karakterin e vjetër të lagjes.

Pamje nga Rruga "Naim Frashëri", në vitin 1960. Burimi: Koleksion privat.
Pamje nga Rruga “Naim Frashëri”, në vitin 1960. Burimi: Koleksion privat

Arkitekti dhe teoricieni britanik i urbanistikës, Gordon Cullen, në veprën e tij “Concise Townscape”, e përshkruan përvojën e ecjes në qytet përmes konceptit të “Serial Vision”: Qyteti nuk perceptohet me një shikim të vetëm. Qyteti shpërfaqet gradualisht, përmes një sekuence pamjesh që ndërtojnë ritmin, surprizën dhe karakterin e vendit. Teksa ecën në rrugët e tij, zbulon gradualisht karakterin e ndryshëm të çdo ndërtese. Ku çdo portë, çdo dritare dhe çdo ngjyrë i nënshtrohen të njëjtit standard, kjo sekuencë humbet pasurinë e saj. Vizioni serial shndërrohet në një dekor uniform të përsëritur bukur për fotografi, por bosh për kujtesë. Koherenca e një ansambli historik nuk kërkon domosdoshmërisht uniformitet, përkundrazi, ajo mund të ndërtohet duke respektuar dallimet mes epokave, pa lejuar që e reja të dominojë të vjetrën dhe pa e detyruar të imitojë atë.

Pikërisht këtu qëndron paradoksi më i hidhur: Gjendja e mëparshme e kësaj rruge ishte pa dyshim e degraduar dhe emergjente, ajo kërkonte ndërhyrje urgjente e të pashmangshme. Por pikërisht në atë gjendje të vështirë ende lexoheshin qartë tiparet origjinale të kohës, proporcionet, ritmi, materiali dhe gjuha e secilës portë. Sot, turisti gjen një bulevard me shtëpi pothuajse identike, pa asnjë gjurmë të dallueshme mes njërës e tjetrës. Ky restaurim i dha rrugës një pamje të freskët dhe të sistemuar, por në të vërtetë ishte më shumë një sistemim urban me pretekst restaurimin sesa vetë restaurim, ka humbur pikërisht atë çka duhej të ruante më shumë, identitetin.

Tipologjia tradicionale e ndërtesave në rrugën “Naim Frashëri”

Për ta kuptuar këtë humbje, duhet njohur së pari gjuha arkitekturore që e parapriu atë. Sipas udhëzuesit të titulluar, “Udhëzime për trashëgiminë ndërtimore në dhe përreth Pogradecit”, banesat e “Lagjes së Burimeve”, bërthama më e vjetër e qytetit, prej nga u zhvillua edhe Rruga “Naim Frashëri”, ndiqnin zakonisht një skemë të përbashkët me dy a tre kate: Kati përdhe, prej guri, i theksuar nga një derë e harkuar me një a dy dritare anash; Kati i parë, po prej guri, me një rresht dritaresh pak më të mëdha; Dhe kati i dytë, më i lehtë, me çatma, që shpesh dilte pjesërisht mbi rrugë me konsola druri, i zbukuruar rreth dritareve dhe nën strehët e çatisë. Brenda kësaj skeme të përbashkët, çdo banesë ndërtonte një marrëdhënie të vetën me rrugën. Ndryshimet në lartësi, avancimet dhe tërheqjet e volumeve, ritmi i hapjeve dhe raporti mes sipërfaqeve të plot-bosh bënin që fasadat të mos perceptoheshin si një front i vetëm, por si një sekuencë që ndryshonte gjatë ecjes.

"Banesa e Kyçykëve", në vitin 1960 në lagjen më të vjetër, të Burimeve; Banesë me funksion të përzier (dyqan + banim), me konstruksion druri. Burimi: Koleksion privat
“Banesa e Kyçykëve”, në vitin 1960 në lagjen më të vjetër, të Burimeve; Banesë me funksion të përzier (dyqan + banim), me konstruksion druri. Burimi: Koleksion privat

Gjithashtu materiali kishte rolin e vet në këtë lexim: Pesha e gurit në pjesët e poshtme, druri ose tulla, si materiale më të lehta, në katet e sipërme, suvaja, trarët e ekspozuar dhe hijet që krijonin strehët e konsolat i jepnin secilës ndërtesë një thellësi dhe një mënyrë të ndryshme për ta kapur dritën. Materiali nuk ishte thjesht përfundim i fasadës; ai mbante mbi vete mënyrën e ndërtimit, të përdorimit dhe me kalimin e viteve edhe kohën. Portat, kornizat, trarët dhe dritaret e çonin këtë individualitet deri në shkallën e detajit: Ndryshonin proporcionin, ritmin dhe mënyrën se si secila banesë i paraqitej rrugës. Kështu, ajo që e mbante ansamblin bashkë nuk ishte ngjashmëria formale, por një gjuhë e përbashkët brenda së cilës çdo ndërtesë ruante zërin e vet.

Nga pikëpamja tipologjike, këto nuk mund të quhen vetëm banesa, pasi kati përdhes kishte shpesh funksion tregtar ose zejtar, ndërsa banimi zhvillohej në katet e sipërme. Ky tip hasej kryesisht në Lagjen e Burimeve, por gjurmët e tij ruheshin edhe në Rrugën “Naim Frashëri”. Në këtë rrugë dallohen kryesisht dy tipologji: Ndërtesat me funksion të përzier, ku kati përdhes shërbente si dyqan ose punishte dhe katet e sipërme për banim me konstruksion tulle dhe krahas tij banesat me influencë perëndimore, modelet e të cilave erdhën kryesisht nga Italia dhe Franca gjatë viteve 1930. Të dyja tipologjitë dëshmojnë se Pogradeci ka ditur të pranojë teknologji dhe stile të reja pa humbur identitetin e vet. Modernizimi nuk e zhdukte gjuhën e qytetit; e pasuronte atë. Paradoksalisht, sot, kur disponojmë më shumë njohuri dhe mjete për të restauruar trashëgiminë, duket se sfida më e madhe mbetet ruajtja e individualitetit të saj.

Porta si gjuha e parë e një banese

Nëse ka një element që flet për një banesë përpara se ajo vetë të flasë, është porta. Në arkitekturën tradicionale të kësaj rruge, porta nuk ishte thjesht një hapje funksionale, ajo ishte pika ku takoheshin zanati i drurit, shkalla njerëzore e ndërtimit dhe shija e familjes së cilës i përkiste ajo shtëpi apo dyqan. Çdo portë kishte një sintaksë të vetën: Proporcionin e saj me dritaret anash, ritmin me të cilin përsëritej përgjatë fasadës si edhe mënyrën se si e priste dritën dhe rrugën. E njëjta gjë vlente edhe për dritaret dhe hapjet e tjera: Secila banesë në fakt fliste gjuhën e vet.

Rruga "Naim Frashëri" pas rikonstruksionit. Foto: Ina Cici
Rruga “Naim Frashëri” pas rikonstruksionit. Foto: Ina Cici

Sot, në pjesën më të madhe të rrugës, kjo gjuhë individuale është zëvendësuar me një derë të vetme, të përsëritur pothuajse identikisht nga njëra banesë te tjetra. Është padyshim një zgjidhje e pastër, e rregullt, madje edhe “e bukur” në vetvete, por është një zgjidhje që fshin firmën e çdo banese. Dhe kjo nuk është një hollësi dekorative. Camillo Boito, një nga baballarët e teorisë moderne të restaurimit, këmbëngulte se çdo ndërhyrje duhet të mbetet e dallueshme nga origjinali, në mënyrë që të mos falsifikohet historia e ndërtesës.

Të lësh gjurmën tënde mbi restaurim është një gjë dhe ta zëvendësosh tërësisht origjinalin është diçka krejt tjetër. Këtu nuk ndodhi as e para: Nuk u shënua asnjë ndërhyrje e re mbi gjuhën e vjetër, thjesht u fshi vetë gjuha origjinale dhe në vend të saj u vendos një gjuhë e përbashkët, neutrale dhe pa origjinë. Zëvendësimi mund të jetë i nevojshëm kur elementi është plotësisht i humbur ose teknikisht i pariparueshëm. Megjithatë, duhet të mbështetet në prova, si në fotografi historike, elemente të mbetura në objekt, gjurmë në muraturë, ndërtesa të së njëjtës tipologji dhe dokumentim arkivor. Në frymën e “Kartës së Venecias“, restaurimi duhet të mbështetet mbi materialin autentik dhe dokumentimin historik dhe duhet të ndalet aty ku fillon hamendësimi. Për këtë arsye, nuk mjafton që një derë e re të duket “e vjetër”. Duhet të argumentohet pse ajo formë, ai profil dhe ajo ndarje i përkasin pikërisht asaj banese.

Po të ishte për Alois Riegl, teoricienin austriak, që në veprën, “The Modern Cult of Monuments: Its Character and Its Origin” (1903), formuloi konceptin e “vlerës së vjetërsisë” (Alterswert), gjurmët e kohës në objekt kanë një vlerë të vetën, të pazëvendësueshme nga asnjë bojë e re a moderne. Për të, në thelb, vlera e një porte të vjetër nuk qëndron vetëm te forma e saj, por edhe te shenjat e kohës mbi të: Te dora që e ka punuar, dielli që e ka zbehur, dora e njëqind vizitorëve që e kanë prekur. Kur këtë portë e zëvendësojmë me diçka të re, standarde e industriale, nuk humbasim vetëm objektin, humbasim vetë dëshminë materiale të kalimit të kohës.

Ndërtesat në Rrugën "Naim Frashëri" pas rikonstruksionit. Foto: Ina Cici
Ndërtesat në Rrugën “Naim Frashëri” pas rikonstruksionit. Foto: Ina Cici

Nuk e shkruaj këtë si kundërshtim ndaj vetë idesë së restaurimit. Përkundrazi, mbështes çdo përpjekje për të shpëtuar ndërtesat historike nga degradimi. Ky reflektim nuk synon të gjykojë procesin teknik të restaurimit apo zgjedhjet konstruktive të projektit, por mënyrën se si rezultati përfundimtar komunikohet në hapësirën urbane. Ndërhyrja në Rrugën “Naim Frashëri” ngre një pyetje thelbësore për mënyrën se si e kuptojmë restaurimin. Ai nuk duhet të nisë me pyetjen, “Si mund të duket më bukur?”, por me pyetjen, “Çfarë e bën këtë ndërtesë të jetë vetvetja?” dhe të mos vazhdojë derisa të ketë përgjigje.

Ndoshta ajo që më shqetëson më shumë është mendimi se edhe “Lagjja e Burimeve”, ku u rrita, bërthama më e vjetër e qytetit, një ditë do të përballet me të njëjtën sfidë. Shpresoj që, kur të vijë ajo ditë, restaurimi të mos fillojë duke zëvendësuar atë që e bën të veçantë, por duke e kuptuar dhe duke e ruajtur. Sepse ajo lagje nuk është vetëm një pasuri arkitekturore e qytetit. Për shumë prej nesh, ajo është peizazhi i kujtesës së fëmijërisë. E kujtesa e zëvendësuar një herë, nuk restaurohet më.

Nëse një ditë humbet edhe ajo, fëmijëve tanë nuk do t’u mbetet ta zbulojnë me sytë e tyre, por vetëm ta imagjinojnë përmes rrëfimeve tona. Turistët nuk do të dinë më se për çfarë të pyesin, ndërsa ne nuk do të dimë më se çfarë t’u tregojmë. Një lagje historike nuk është thjesht një grup ndërtesash të vjetra. Është një ansambël, ku çdo portë, çdo dritare dhe çdo detaj ka kuptim vetëm në marrëdhënie me të tjerat. Kur këto marrëdhënie uniformizohen, nuk humbet vetëm një element arkitektonik, por dobësohet vetë lexueshmëria e ansamblit.

Në fund të fundit, ajo që e dallonte një ndërtesë nga tjetra nuk ishte vetëm plani apo numri i kateve, por individualiteti i detajeve të saj: Portat, dritaret, druri, suvatë dhe kornizat. Pikërisht aty lexohej dhe mbishkruhej, brez pas brezi, historia e secilës familje. Aty ku dikur lexohej historia e një familjeje, sot duhet të vazhdojë të lexohet historia e qytetit. Sepse një qytet nuk e ruan identitetin e tij duke e lyer bukur, por e ruan duke e lënë të flasë me zërin e vet.