Nga “ilaçet mrekulli” tek imazhi i mjekëve: Si po evoluon dezinformimi në shëndetësi
Nga reklamat e “ilaçeve mrekulli” te videot e krijuara me inteligjencë artificiale, dezinformimi në shëndetësi po merr forma gjithnjë e më të sofistikuara. Përdorimi i figurës dhe zërit të mjekëve për të promovuar produkte apo për të përhapur informacione të rreme po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes këshillës mjekësore dhe mashtrimit.
Grafikë ilustruese. Përgatiti: Media Amfora
“Nëse zgjoheni natën për në banjo – prostata po jep alarmin!” Me këtë mesazh, më 1 gusht, faqja “Dr Gashi – Specialist” publikoi një video ku shfaqej mjeku Skënder Brataj duke promovuar një produkt për prostatën.
Tre ditë më vonë, Brataj reagoi duke ripublikuar videon dhe duke e cilësuar atë një gënjeshtër. “Gënjeshtër. Është manipuluar me Inteligjencë Artificiale. FAKE NEWS.”, shkroi mjeku në rrjetet e tij sociale.
Për vite me radhë, dezinformimi në shëndetësi është mbështetur te reklamat e “ilaçeve mrekulli”, teoritë e pabazuara dhe këshillat e rreme që qarkullonin në rrjetet sociale. Fillimisht, inteligjenca artificiale u përdor kryesisht për të manipuluar figurën e personazheve të njohur, artistëve apo figurave të showbiz-it. Tashmë, ajo po përdoret edhe për të klonuar zërin, figurën dhe identitetin e mjekëve, duke e bërë dezinformimin më të besueshëm dhe më të vështirë për t’u dalluar.
Rasti i Bratajt nuk mbeti vetëm te përgënjeshtrimi i videos. Si drejtues i Urgjencës Kombëtare, ai e përdori këtë episod për të ngritur alarmin mbi një fenomen që, sipas tij, po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Përdorimi i inteligjencës artificiale për të manipuluar figurën dhe zërin e mjekëve po e bën dezinformimin më të besueshëm dhe më të vështirë për t’u dalluar.
Rasti i mjekut Skënder Brataj nuk është i izoluar. Në fillim të vitit 2026, edhe neonatologu dhe mjeku pediatër, i ndjeri Edi Tushe, reagoi publikisht duke deklaruar se emri i tij po përdorej pa autorizim për të promovuar dieta për fëmijë dhe këshilla ushqimore. Debati u pasua nga një deklaratë publike e Klinikës Vera-VIRHOV, ku Tushe ushtronte profesionin, e cila më 27 janar 2026 denoncoi përhapjen e informacioneve që, sipas saj, dezinformonin mbi shëndetin e fëmijëve dhe krijonin konfuzion te qytetarët.
Në fakt, shqetësimi kishte nisur më herët. Më 27 korrik, Skënder Brataj publikoi një përgënjeshtrim, ku paralajmëronte se emri, zëri dhe figura e tij po përdoren në video dhe intervista të manipuluara për të reklamuar produkte që premtojnë “shërim të plotë”. Sipas tij, këto materiale janë krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale për të mashtruar qytetarët dhe për të përfituar financiarisht nga besueshmëria që gëzojnë mjekët.
Shqipëria nuk është një rast i izoluar. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, videot e manipuluara me inteligjencë artificiale po përdoren gjithnjë e më shpesh për të promovuar produkte shëndetësore, duke shfrytëzuar figurën e personave publikë për t’i bërë mesazhet mashtruese më të besueshme.
Nëse më parë në qendër të këtyre manipulimeve ishin kryesisht artistë, moderatorë apo figura të njohura publike, tashmë objektiv janë edhe mjekët, pasi besueshmëria që ata gëzojnë në çështjet e shëndetit e bën dezinformimin më bindës dhe potencialisht më të rrezikshëm.
Për Bratajn, përgjigjja ndaj këtij evolucioni nuk është largimi i mjekëve nga rrjetet sociale, por e kundërta. Në një reagim publik, ai u bëri thirrje profesionistëve të shëndetësisë të jenë më të pranishëm në platformat digjitale për të luftuar dezinformimin dhe për ta afruar informacionin shkencor te qytetarët.
“Mjekët duhet të jenë më të pranishëm në rrjetet sociale… për të luftuar dezinformimin, për të edukuar qytetarët dhe për ta afruar shkencën me njerëzit”, shkroi Brataj më 27 korrik.
Dezinformimi shëndetësor nuk është një fenomen i ri. Pas pandemisë së COVID-19, ai vijoi të ushqehej nga pretendimet e pabazuara për vaksinat, përfshirë edhe teoritë që i lidhin ato me autizmin. Megjithatë, ajo që po ndryshon sot nuk është vetëm përmbajtja e dezinformimit, por mënyra se si ai ndërtohet dhe shpërndahet.
Nga reklamat e “ilaçeve mrekulli” te videot e manipuluara me inteligjencë artificiale, besueshmëria po ndërtohet gjithnjë e më shumë mbi figurën e mjekëve.