Revolucioni i Flamingove: Një pikë kthese për ndërgjegjen qytetare në Shqipëri

Protestat e udhëhequra nga të rinjtë kundër ndërtimeve në Zonën e Mbrojtur të Vjosë-Nartës janë shndërruar në një lëvizje për mbrojtjen e natyrës dhe kundër keqqeverisjes dhe mungesës së transparencës. “Revolucioni i Flamingove” po shënon një pikë kthese në ndërgjegjen qytetare, duke reflektuar kërkesën e një brezi të ri për demokraci funksionale dhe llogaridhënie.

Instalacionet me flamingo. Foto: Media Amfora

Prej më shumë se 50 ditësh, Shqipëria është përfshirë nga protestat masive të udhëhequra nga të rinjtë, të cilat mund të jenë më paqësoret dhe ndër më masivet që vendi ka parë që nga rënia e diktaturës. Piknisja ishte më 30 maj, gjatë një proteste në Zvërnec mbi një projekt të planifikuar në zonë, ku rojet private të kompanisë “Major Security” rrahën dhe rrëmbyen një protestues ndërkohë që Policia e Shtetit megjithëse ishte e pranishme aty, nuk bëri asgjë për t’i ndaluar.

Diskutimet dhe protestat për zonat e mbrojtura që u forcuan edhe më shumë pas kësaj ngjarje, nuk janë të reja në diskursin publik shqiptar. Protesta u zhvilluan edhe në vitin 2024, kur qeveria miratoi Ligjin Nr. 21/2024, që i hapi rrugën zhvillimeve infrastrukturore dhe turistike brenda zonave të mbrojtura, duke përbërë kështu një kërcënim serioz për natyrën, biodiversitetin dhe ekosistemet e Shqipërisë. Në rastin në fjalë, kanë filluar ndërhyrjet për ndërtimin e një resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, e njohur për biodiversitetin që strehon flamingot dhe breshkat e detit. 

Ky projekt mori mbështetje nga qeveria nëpërmjet metodave jo transparente dhe favorizimin e skemave të dyshimta që janë aktualisht nën hetim, si edhe duke anashkaluar proceset e konsultimeve publike, shtetit të së drejtës dhe pa asnjë vlerësim të përfitimeve për komunitetet lokale, vendin apo kostove përkatëse ekologjike. 

Ky shfaqje e arrogancës së pushtetit dhe njëkohësisht e paaftësisë të përfaqësuesve të forcave të sigurisë për të mbrojtur qytetarët e tyre, duke shtuar frustimin ekzistues nga mungesa e transparencës dhe llogaridhënies lidhur me mënyrën se si trajtohen zhvillimet e rëndësishme kombëtare, apo rastet e ligjeve të zhvilluara me porosi, çuan në protesta masive. Ajo që filloi si protestë e “Gjeneratës Z” dhe “Millenials” kundër mungesës së transparencës, mbrojtjes së natyrës dhe mosveprimit të policisë, janë kthyer ndër protestat më masive dhe më shpresëdhënëse që nga rënia e diktaturës. Ndërkohë që qendra e protestave është Tirana, disa të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në diasporë, në shtete të ndryshme si Gjermania, Italia, SHBA-ja, Franca dhe të ngjashme.

Çlirimi nga e shkuara 

Këto protesta shënojnë një pikë kthese në formësimin e kulturës politike në Shqipëri. Tranzicioni 35-vjeçar i vendit nga një prej diktaturave më shtypëse dhe të izoluara të Evropës, drejt një demokracie moderne dhe pluraliste të zhvilluar në hijen e  trashëgimisë nga diktatura. Duke lënë pas një mungesë të thellë besimi tek institucionet një kulturë demokratike të dobët, të përkeqësuar nga rastet e shumta të korrupsionit dhe shoqëruar me valë masive të emigracionit.

Brezat e vjetër u rritën dhe jetuan në një sistem ku qeveria kishte kontroll absolut mbi vendin. Kjo për shkak të frikës së instaluar nga Sigurimi i Shtetit dhe kampet e punës, përçarjes dhe përgjimeve, indoktrinimit masiv nga kontrolli i arsimit e medias, krijimit të kultit të individit dhe ndalimit të besimit fetar. Të gjitha këto të përforcuara nga izolimi nga bota. Në këtë kontekst, angazhimi qytetar apo të drejtat politike nuk ekzistonin. Ky mjedis, formësoi mënyrën se si qytetarët deri më tani kanë parë marrëdhënien me qeverinë, pjesëmarrjen e tyre në proceset demokratike, balancën midis qeverisë dhe pritshmërisë për llogaridhënie, rolin e tyre si qytetarë dhe mbi të gjitha aktin qytetar të protestës.

E ngecur midis një të kaluare autoritare dhe një të tashmeje demokratike kaotike, shoqëria Shqiptare ka qenë në përpjekjë për të ndërtuar një sistem vlerash, por që është shoqëruar nga apatia sociale. Ndër protestat shumë të pakta masive që vendi ka parë, ka qenë ajo pas rënies së diktaturës, ku protestuesit dolën me sloganin, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, pasi Evropa shihej si një destinacion i largët, shpresa shihej përtej kufijve dhe qytetarët dëshironin të arratiseshin nga realiteti i vendit. 

Brez i ri, mendësi e re

Sot protestat masive të “Gjeneratës Z” dhe “Millenians” kanë dalë me sloganin, “Shqipëri e Re” dhe kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe janë shndërruar në lëvizje kundër sistemit të vjetër politik në Shqipëri dhe keqqeverisjes. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe denoncojnë mungesën e një opozite funksionale, duke thirrur “Opozita jemi ne”, e më tej kërkojnë burgosjen e Ramës edhe të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës – dy liderët politik me mandatin më të gjatë që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991 – denoncojnë kapjen e medias nga qeveria, skandalet e mëdha të korrupsionit dhe refuzojnë një klasë politike që ka çuar në shpopullimin e vendit. Në thelb, kërkohet një sistem i ri vlerash në të gjitha shtyllat e shoqërisë, si edhe mbi të gjitha në politikë dhe qeverisje. 

Nëse gjenerata e pas-diktaturës në vitin 1990 kërkonte liri, të rinjtë dhe profesionistët e rinj sot kërkojnë të jetojnë me dinjitet në Shqipëri. Shpresa dhe përgjegjësia për këtë të fundit, shihen brenda vendit, tek politikbërësit dhe tek qytetarët, e jo jashtë tij.

Ndërkohë që rinia është paragjykuar lidhur me qëndrimin e tyre në kafe dhe duke naviguar në rrjetet sociale, pikërisht këto u bënë ndër mjetet më të fuqishme të protestave. Me thërritjet, “Çohuni nga kafja”, të rinjtë marshojnë sot në ditën e 58-të nëpër rrugët e Tiranës, duke sfiduar apatinë e përgjithshme të shoqërisë shqiptare dhe duke ftuar brezat e ndryshëm të bashkohen me protestën. Qasje kjo që e ka arritur qëllimin sepse protestat kanë mbledhur breza të ndryshëm dhe përfaqësi të ndryshme socio-ekonomike apo ideologjike.

Ndërkohë që protestat ekspozuan kapjen e medias në Shqipëri, pikërisht rrjetet sociale dhe disa influencues u bënë burimi kryesor i informacionit rreth protestave dhe zhvilluan një presion pozitiv në opinionin publik. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i protestave është kultura e ndëshkueshmërisë dhe përgjegjësisë qytetare të treguar. Rinia ka thirrur vazhdimisht për bojkotimin e mediave që gjatë vite që kanë promovuar apo i kanë dhënë hapësirë për forcimin e figurës të hetuarve për vepra kriminale apo që kanë promovuar agjendën e qeverisë, më tej vetë të rinjtë kanë denoncuar ligjet e porositura, kanë mbledhur mbeturinat e tyre pas protestës dhe mbi të gjitha po e kthejnë pjesëmarrjen në protestë në një trend, e po ashtu si një veprimtari normale që e bën për vendin tënd, pa frikë apo turp – siç mund të perceptohej më parë.

Ky normalizim i sjelljeve demokratike, nga hedhja e mbeturinave tek vendi i duhur, deri tek paraqitja në ditën e zgjedhjeve apo protesta për të drejtat e tua, tregon një ndërgjegje qytetare që i shndërron vlerat demokratike në sjellje të përditshme dhe jo abstrakte.

Ndërkohë që dikush mund të argumentojë se protestat janë të dëmshme për reputacionin dhe turizmin e vendit, në të kundërt, 86.2% e të rinjve shqiptarë deklarojnë se është e rëndësishme për ta që vendi i tyre të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe me protestat kundër kapjes së shtetit dhe ruajtjes së natyrës, dhjetëra mijëra qytetarë po demonstrojnë një kulturë politike në rritje, duke treguar se Shqipëria ka maturinë që BE-ja kërkon.

Pavarësisht nga rezultati i menjëhershëm politik, “Revolucioni i Flamingove” shënon një pikë kthese në zgjimin e ndërgjegjes qytetare në Shqipërinë post-komuniste. Duke refuzuar apatinë shoqërore, kapjen e medias, opozitën jofunksionale, mungesën e kulturës së ndëshkueshmërisë, si edhe ligjet e zhvilluara me porosi, të rinjtë po trondisin themelet e sistemit të vjetër shoqëror.  Diskutimi është fokusuar në një themel të ri vlerash, të rrënjosur në demokraci, jo si një utopi e Evropës Perëndimore, por si një zakon i përditshëm i të drejtave dhe përgjegjësive qytetare. 

Françeska Muço

Është diplomuar në "Administrim dhe Politika Sociale" pranë Universitetit të Tiranës, si dhe zotëron një master në "Shkencat e Komunikimit", nga Universiteti Europian i Tiranës dhe një master në "Qeverisje, Politika dhe Politikëbërje", nga Birkbeck, University of London, si bursiste e programit "Chevening". Për më shumë se një dekadë ka ushtruar veprimtarinë profesionale në fushën e demokracisë pjesëmarrëse, fuqizimit të të rinjve, bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke kontribuar në hartimin e politikave publike, mekanizmave pjesëmarrës dhe projekteve të mbështetura nga organizata ndërkombëtare. Ka qenë anëtare e disa strukturave këshillimore kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa aktualisht shërben si Drejtore Ekzekutive e "Rrjetit të Profesionistëve të Rinj".

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Certifikuar në perputhje me standarded JTI

 

 

 

The Media Outlet has benn independently certified according to the JTI Programme and CWA 17493:2019