Ndalohet drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës dhe dy punonjëse për përvetësimin e fondit të pensioneve
Hetimet në filialin e Postës Shqiptare në Durrës çuan në ndalimin e drejtoreshës, shefes së financës dhe arkëtares së institucionit. Sipas Policisë, ato dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, ndërsa Posta Shqiptare kishte deklaruar më herët se rasti i konstatuara nuk kishte lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Degë e Postës Shqiptare në Durrës. Foto: Media Amfora
Policia e Shtetit njofoi se ndaloi të martën drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana, në kuadër të një hetimi për përvetësimin e fondit të pensioneve për pensionistët e Shijakut dhe Krujës.
“Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sipas Policisë, tre të ndaluarat akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.
Elisabeta Mataj drejtonte filialin e Postës Shqiptare në Durrës prej 27 tetorit 2025. Më 14 korrik, Posta Shqiptare njoftoi se e kishte kallëzuar në prokurori rastin e konstatuar gjatë një kontrolli të brendshëm, pas evidentimit të mospërputhjeve gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare.
“Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës”, thuhej në njoftimin e institucionit.
Në të njëjtin reagim, Posta Shqiptare theksonte se fondet e konstatuara “nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve”.
Megjithatë, në njoftimin e së martës, Policia e Shtetit bëri të ditur se 69 milionë lekët e rinj që dyshohet se janë përvetësuar ishin planifikuar të arkëtoheshin nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Posta Shqiptare ka bërë të ditur se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërkohë hetimi është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Prokurorinë e Durrësit.