Organizatat e medias denoncojnë shtimin e presionit ndaj gazetarëve
Organizatat e medias ngritën shqetësime për përkeqësimin e klimës së lirisë së medias në Shqipëri. Sipas tyre, janë shtuar presioni, linçimi publik dhe përpjekjet për delegjitimimin e mediave, ndërsa shënjestrimi i gazetarit Gjergj Erebara dhe BIRN Albania përmendet si një rast ilustrues.
Kamerat e televizioneve dhe gazetarë gjatë raportimit të protestës qytetare në Tiranë. Foto: Media Amfora.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe rrjeti ndërkombëtar “SafeJournalists” shprehën shqetësim për përkeqësimin e klimës së lirisë së medias në vend, duke denoncuar shtimin e sulmeve, presionit dhe fushatave të shënjestrimit ndaj gazetarëve kryesisht gjatë protestave qytetare.
“Kemi konstatuar me shqetësim një intensifikim të sulmeve verbale, linçimeve publike, etiketimit, fushatave denigruese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në deklaratën e AGSH-së, të publikuar të enjten.
Sipas AGSH-së, klima është përkeqësuar veçanërisht në javët e fundit, në kontekstin e protestave qytetare në Tiranë. Organizata vlerëson se sulmet nuk kanë ardhur vetëm nga aktorë politikë, por edhe nga pjesë të komunitetit mediatik, duke krijuar një mjedis përçarës dhe armiqësor ndaj gazetarëve.
“Liria e medias nuk është një privilegj i gazetarëve, por një e drejtë themelore e qytetarëve për t’u informuar. Çdo përpjekje për të frikësuar, stigmatizuar apo delegjitimuar gazetarët për shkak të raportimit të tyre cenon drejtpërdrejt interesin publik dhe dobëson themelet e demokracisë”, thuhet më tej në deklaratë.
Në të njëjtën linjë, rrjeti ndërkombëtar “SafeJournalists” publikoi një analizë ku rasti i gazetarit Gjergj Erebara dhe BIRN Albania, organizata jofitimprurëse që qëndron pas Reporter.al dhe një prej qendrave kryesore të gazetarisë investigative në Shqipëri, paraqitet si shembull i presionit ndaj gazetarëve që angazhohen në debatet publike.
“Rasti ilustron një model më të gjerë presioni ndaj gazetarëve që mbajnë qëndrime të dukshme për çështje publike të debatueshme. Angazhimi qytetar riformulohet si provë e koordinimit politik, pavarësia profesionale vihet në pikëpyetje dhe pretendimet e pambështetura përsëriten derisa të fitojnë pamjen e fakteve”, shkruhet në analizën e publikuar të enjten.
Analiza thekson se gjatë zhvillimeve mes 11 dhe 15 korrikut, në sfondin e protestave të “Revolucionit të Flamingove”, pretendimet për një fushatë në internet kundër bizneseve u përshkallëzuan në shënjestrimin publik të gazetarit Gjergj Erebara dhe BIRN Albania. Sipas analizës, mbështetja publike e Erebarës për protestat u përdor për ta paraqitur atë si organizator të fushatës, ndonëse nuk u publikuan prova që ai kishte drejtuar vlerësimet në internet, koordinuar pjesëmarrësit apo kontrolluar llogaritë e përfshira.
Sipas analizës, akuzat u zgjeruan më pas edhe ndaj BIRN Albania, organizatës ku Erebara është bashkëpunëtor i jashtëm dhe jo gazetar i punësuar apo redaktor.
“Shënjestrimi publik kalon më pas përtej kundërshtimit të pikëpamjeve të gazetarit. Ai synon të dëmtojë besueshmërinë, të izolojë individin, të frikësojë të tjerët që të mos flasin dhe ta transferojë presionin te redaksia, financuesit dhe partnerët e saj institucionalë”, shkruhej më tej në analizë.
Rrjeti ndërkombëtar “SafeJournalists” përmend edhe reagimet publike të biznesmenit Gjergj Luca dhe të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke argumentuar se kritikat ndaj Erebarës u zgjeruan më pas edhe ndaj BIRN Albania, partnerëve dhe financuesve të organizatës, pa u paraqitur prova për përfshirjen e redaksisë në pretendimet e ngritura publikisht.
“Standardet evropiane të të drejtave të njeriut i mbrojnë gazetarët jo vetëm gjatë ushtrimit të profesionit, por edhe kur marrin pjesë si qytetarë në debatin publik”, shkruhet në përfundim të analizës.
Reagimet e organizatave të medias vijnë në një periudhë kur debati publik mbi protestat qytetare dhe raportimi mediatik është shoqëruar me akuza, sulme personale dhe përplasje mes aktorëve politikë, gazetarëve dhe mediave, ndërsa organizatat që mbrojnë lirinë e medias kërkojnë respektimin e pavarësisë editoriale dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për ushtrimin e profesionit.
AGSH u bëri thirrje aktorëve politikë, institucioneve, opinionbërësve dhe vetë komunitetit mediatik të shmangin retorikën që nxit urrejtje dhe mosbesim ndaj gazetarëve, ndërsa njoftoi se do të informojë partnerët rajonalë e ndërkombëtarë dhe institucionet e Bashkimit Evropian për përkeqësimin e klimës së lirisë së medias në Shqipëri.
“SafeJournalists” theksoi se mbështetja publike për një protestë nuk provon përgjegjësi për çdo veprim të lidhur me të, ndërsa aktiviteti personal i një bashkëpunëtori në rrjetet sociale nuk e bën automatikisht përgjegjëse redaksinë me të cilën ai bashkëpunon. Organizata shtoi se kritika ndaj një gazetari nuk justifikon presionin politik mbi institucionet që financojnë apo mbështesin gazetarinë e pavarur.
Reagimet e AGSH-së dhe “SafeJournalists” vijnë në sfondin e protestave të “Revolucionit të Flamingove”, të nisura kundër projektit turistik në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, të cilat prej më shumë se 45 ditësh kanë shoqëruar debatin publik me përplasje politike, sulme verbale dhe akuza ndaj gazetarëve e mediave.