“Smart City”, kamerat në shkolla u shoqëruan me narrativa për kontrollin e fëmijëve nga rrjetet kriminale
Kamerat inteligjente të projektit “Smart City” në shkolla, të prezantuara si një masë për sigurinë e fëmijëve, u shoqëruan me pretendime të pambështetura se të dhënat e nxënësve dërgohen në Izrael dhe se sistemi kontrollohet nga rrjete kriminale ndërkombëtare. Mungesa e transparencës për funksionimin e sistemit ka lënë pikëpyetje për privatësinë dhe aksesin në të dhënat e fëmijëve, por nuk përbën provë për akuzat ndaj Izraelit.
Kamera sigure ne nje ambient publik ne Itali. Foto ilustruese nga Media Amfora
Projekti “Smart City”, që parashikon vendosjen e mijëra kamerave inteligjente në qytetet e Shqipërisë dhe në shkolla, u prezantua nga qeveria si një mënyrë për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale.
Por projekti u shoqërua me pikëpyetje për privatësinë, sigurinë e të dhënave dhe monitorimin e qytetarëve. Përfshirja e shkollave ngriti shqetësime edhe për fëmijët, ndërsa në media dhe në rrjetet sociale nisën të qarkullonin pretendime që lidhnin kamerat dhe të dhënat e nxënësve me Izraelin, deri te akuzat për kontrollin e fëmijëve nga rrjete kriminale ndërkombëtare.
Narrativa që lidhte projektin “Smart City” me Izraelin u përfshi në publikimet e Vatani News, një kanal informativ që përcjell lajme nga Shqipëria, Kosova dhe bota përmes faqes së tij në internet dhe rrjeteve sociale. Në një publikim për reagimin e tenorit Armaldo Kllogjeri ndaj vendosjes së kamerave në shkolla, media përdori një imazh me fotografinë e tij dhe mbishkrimin: “Të dhënat e fëmijës shkojnë në një kompani jashtë shtetit. Dyshohet në Izrael”.
Mbishkrimi e paraqiste si fakt dërgimin e të dhënave jashtë vendit dhe shtonte dyshimin për Izraelin, duke e lidhur këtë mesazh me reagimin e Kllogjerit. Por në tekstin shoqërues të të njëjtit publikim, Vatani News pranonte se nuk kishte gjetur konfirmim të besueshëm që të dhënat e fëmijëve dërgoheshin në Izrael.
Por deklarata origjinale e Armaldo Kllogjerit kishte një tjetër përmbajtje. Më 10 shtator 2026, në fillim të vitit shkollor, tenori kishte shprehur publikisht shqetësimin e tij si prind për sigurinë e vajzës në një shkollë ku ishin vendosur kamerat inteligjente të projektit “Smart City”.
Në postimin e shkruar dhe videon shoqëruese, ai i kërkonte ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, të sqaronte nëse kamerat lexonin fytyrat e nxënësve, mblidhnin të dhëna biometrike dhe nëse përdorimi i tyre mbështetej në ligj. Kllogjeri shpjegonte se shkolla nuk i kishte dhënë përgjigje për këto pyetje dhe se prindërit ishin njoftuar për kamerat përmes një grupi në WhatsApp, pa pasur mundësi të diskutonin paraprakisht.
Në asnjërën prej deklaratave të shqyrtuara, ai nuk përmendte Izraelin dhe as pretendonte se të dhënat e fëmijëve dërgoheshin jashtë Shqipërisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit konfirmoi se kamerat e instaluara në 20 shkolla janë integruar në platformat e inteligjencës artificiale. Policia deklaroi se monitorimi kufizohet në korridore dhe oborre dhe se nuk cenon privatësinë e nxënësve, por nuk sqaroi nëse sistemi përdor njohjen biometrike të fytyrës.
Sipas ekspertes së politikave digjitale, Orkidea Xhaferraj, edhe pamjet e regjistruara në korridoret apo oborret e shkollave përbëjnë të dhëna personale kur nxënësit mund të identifikohen. Inteligjenca artificiale mund të sjellë edhe rreziqe të tjera, si analizimi i sjelljeve dhe sinjalizimet e gabuara.
Por Xhaferraj bën dallimin mes këtyre shqetësimeve dhe akuzave për kontrollin e fëmijëve nga rrjete kriminale.
“Pretendimi se sistemi kontrollohet nga rrjete kriminale kërkon prova konkrete për atë lidhje. Mungesa e transparencës, një dobësi teknike apo mundësia teorike e keqpërdorimit nuk e provojnë një akuzë të tillë”, tha ajo për Median Amfora.
Narrativat që e lidhnin projektin “Smart City” me Izraelin dhe teknologjitë izraelite u përhapën edhe në rrjetet sociale, ku u shoqëruan me pretendime të pabazuara për mbikëqyrjen e qytetarëve, kontrollin e të dhënave personale dhe përfshirjen e rrjeteve ndërkombëtare kriminale, duke nxitur frikë dhe mosbesim lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe kamerave të sigurisë.
“Smart City i Ramës (që kontrollon me kamera në shkolla dhe rrugë dhe servera izraelitë me inteligjencën artificiale 100%) jetën e fëmijëve tuaj kontrollohet nga rrjeti global i pedofilëve të kategorisë Epstein […]”, shkroi avokati Altin Goxhaj më 2 tetor 2026, në një postim në Instagram.
Postimi nuk paraqiste dokumente apo prova të verifikueshme për pretendimet se sistemi përdor serverë izraelitë dhe se fëmijët kontrollohen nga rrjete kriminale ndërkombëtare. Goxhaj u bëri gjithashtu thirrje prindërve të mobilizoheshin për heqjen e kamerave nga shkollat, duke pretenduar se ato ishin vendosur pa miratimin e tyre.
Nga nevojë për siguri te narrativat konspirative
Projekti financohet me 118.5 milionë dollarë nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit, një fond shtetëror i Emirateve të Bashkuara Arabe. Nga kjo shumë, 20 milionë dollarë janë deklaruar si grant. Zbatimi i është besuar kompanisë “Presight AL LTD”, gjithashtu me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përfshirja e kompanisë me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe është një fakt i konfirmuar, por nuk provon pretendimet për përdorimin e serverëve izraelitë apo kontrollin e kamerave dhe të dhënave të fëmijëve nga rrjete kriminale ndërkombëtare.
Më 20 janar 2026, narrativa që e lidhte projektin “Smart City” me Izraelin u shfaq edhe në deklaratat e Alfred Cakos, të pasqyruara nga Euro Albania. Cako pretendonte se Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes kompanisë Presight, përfaqësonin interesa izraelite dhe se projekti ishte pjesë e një plani për mbikëqyrjen dhe kontrollin e qytetarëve.
Përballë pretendimeve se pas projektit “Smart City” qëndronte Izraeli, Policia e Shtetit konfirmoi për Median Amfora se zbatimi i tij i është besuar kompanisë “Presight AL LTD”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Kontrata parashikon ofrimin nga Ofruesi i Shërbimit (kompanisë ‘Presight AL LTD’) të pajisjeve, softuerëve dhe shërbimeve të lidhura me implementimin, operimin dhe mirëmbajtjen e paketës së AI Smart City”, shkruhet në përgjigjen që Policia e Shtetit i dha Amfora.al.
Mungesa e sqarimeve për vendndodhjen e infrastrukturës dhe aksesin në të dhëna la hapësirë për përhapjen e pretendimeve të pambështetura mbi përfshirjen e Izraelit në projekt. Nga përgjigjja e Policisë nuk u bë e qartë nëse kompania “Presight” ka akses në pamjet e kamerave.
“Për arsye sigurie, nuk bëhen publike të dhëna të detajuara mbi vendndodhjen e infrastrukturës së ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave, konfigurimin teknik të sistemit dhe mënyrat teknike të aksesimit të tij”, deklaroi Policia.
Ekspertja e politikave digjitale, Orkidea Xhaferraj, thekson përgjegjësinë e institucioneve për të sqaruar funksionimin e sistemit.
“Institucionet, nga ana e tyre, duhet të përgjigjen me dokumente dhe kontrolle të verifikueshme. Pavarësisht pretendimeve që qarkullojnë, ato mbeten përgjegjëse për transparencën, ligjshmërinë dhe sigurinë e sistemit”, tha ajo.
Ministria e Arsimit konfirmoi, në përgjigjen e saj zyrtare, se projekti po zbatohet në 20 shkolla të Tiranës, duke dhënë sqarime mbi mënyrën e funksionimit të sistemit të monitorimit, përgjegjësitë e drejtuesve të institucioneve arsimore dhe oficerëve të sigurisë, si dhe bashkërendimin me strukturat e Policisë së Shtetit për identifikimin dhe reagimin ndaj incidenteve që mund të cenojnë sigurinë në mjediset shkollore.
Pamjet e kamerave ruhen në shkolla, ndërsa sinjalizimet për aktivitete të dyshimta administrohen nga Policia e Shtetit.
“Ndarja mes ruajtjes së pamjeve në shkollë dhe administrimit të sinjalizimeve nga policia nuk është, në vetvete, garanci e mjaftueshme”, shpjegoi Xhaferraj, duke theksuar se duhet të dihet çfarë informacioni transmetohet, kush e sheh dhe çfarë ndodh më pas me të.
Ndërkohë, Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur monitorimin e projektit në 20 shkollat e Tiranës.
“Zyra e Komisionerit ka nisur një veprimtari monitoruese pranë institucioneve të arsimit parauniversitar dhe të mesëm profesional (konkretisht në 20 shkolla të Tiranës), në të cilat është zbatuar projekti ‘Smart City’”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Monitorimi përfshin përdorimin dhe mbrojtjen e të dhënave të nxënësve. Komisioneri bëri të ditur gjithashtu se nuk ishin zhvilluar konsultime paraprake me zyrën e tij për vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale.
“Sa më sipër, nuk ka pasur konsultime paraprake nga kontrolluesi me Zyrën e Komisionerit për vlerësimin e ndikimit në mbrojtjen e të dhënave personale”, shkruhet në përgjigjen zyrtare.
Përballë pretendimeve për përdorimin e serverëve izraelitë, Ministria e Brendshme deklaroi se të dhënat e sistemit “Smart City” ruhen dhe përpunohen në Shqipëri.
“Të dhënat ruhen dhe përpunohen në territorin e Republikës së Shqipërisë, në sisteme që administrohen nga kontrolluesit përkatës të të dhënave”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ministria sqaroi se aksesi në sistem u lejohet vetëm personave të autorizuar dhe se çdo veprim regjistrohet dhe mund të gjurmohet. Megjithatë, përgjigjja nuk përcakton nëse kompania zbatuese “Presight” ka akses në pamjet e kamerave.
Institucioni konfirmoi gjithashtu se kontrata me kompaninë “Presight AI LTD” përmban kufizime për publikimin e informacionit dhe dokumenteve shoqëruese.
“Sipas nenit 22 të saj, palët janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin e informacionit të mbrojtur, përfshirë përmbajtjen e kontratës dhe dokumentacionin e lidhur me të”, shkruhet në përgjigje.
Siguria e fëmijëve ishte një nga arsyet që qeveria përdori për të mbështetur projektin. Gjatë prezantimit të kamerave në shkolla, kryeministri Edi Rama e lidhi “Smart City” me vrasjen e një nxënësi pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, duke e paraqitur teknologjinë si një mënyrë për të parandaluar ngjarje të ngjashme.
Pikëpyetjet për mbikëqyrjen e qytetarëve kishin nisur të ngriheshin në media edhe më herët. Në një artikull me titull “Smart City” apo një “Big Brother” shtetëror?, media në internet Shqipëria Sot ngrinte shqetësime se kamerat inteligjente, të prezantuara si një masë për rritjen e sigurisë, mund të përdoreshin edhe për mbikëqyrjen e qytetarëve.
Sipas ekspertes së komunikimit digjital Orkidea Xhaferraj e rëndësishme është që të kontrollohen burimet fillestare.
“Publiku dhe media duhet të kontrollojnë burimin fillestar, dokumentet që paraqiten si prova, kontekstin dhe konfirmimin nga burime të pavarura. Duhet të bëhet e qartë çfarë është fakt i dokumentuar, çfarë është rrezik i mundshëm dhe çfarë mbetet pretendim i pambështetur”, shpjegoi ekspertja Orkidea Xhaferraj.
Përgjigjet institucionale lënë ende pikëpyetje për përpunimin dhe aksesin në të dhënat e nxënësve. Megjithatë, këto paqartësi nuk provojnë pretendimet se kamerat e shkollave kontrollohen nga Izraeli, se të dhënat e fëmijëve dërgohen në serverë izraelitë apo se sistemi përdoret nga rrjete kriminale ndërkombëtare.
Narrativat që lidhin Izraelin me ngjarje në Shqipëri nuk janë të reja. Gjatë verës 2026, zjarret nga Kruja në Himarë iu atribuuan izraelitëve pa prova. Edhe vizita e ministrit të Jashtëm izraelit në Tiranë u paraqit në rrjetet sociale si “dorëzim” i Shqipërisë nën kontrollin e Izraelit, pa prova për këto pretendime.
Edhe në rastin e “Smart City”, shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave të fëmijëve u ndërthurën me pretendime të pambështetura për serverë izraelitë dhe kontrollin e nxënësve nga rrjete kriminale ndërkombëtare.