Posta Shqiptare kallëzon në Prokurori filialin e Durrësit

Posta Shqiptare njoftoi se ka kallëzuar në Prokurori një rast të dyshuar abuzimi me fondet në filialin e Durrësit, pas evidentimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm.

Posta Shqiptare njoftoi të martën se ka kallëzuar në Prokurori një rast të konstatuar gjatë një kontrolli të brendshëm në filialin e Durrësit, ku sipas institucionit janë evidentuar parregullsi në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.

“Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftimin e Postës Shqiptare.

Kontrolli, sipas institucionit, u ushtrua nga Drejtoria e Përgjithshme nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, pasi gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare u konstatuan mospërputhje. Nga verifikimet u evidentuan parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave që ofron ky institucion.

Prej ditësh, Media Amfora ka marrë ankesa nga qytetarë për vonesa në kryerjen e disa pagesave pranë filialit të Postës Shqiptare në Durrës.

Filiali i Postës Shqiptare në Durrës drejtohej prej 27 tetorit 2025 nga Elisabeta Sherif Mataj, për të cilën nuk ka një njoftim zyrtar nga Posta Shqiptare. Ndërkohë, mësohet se në institucionin e Durrësit ka pasur edhe dorëheqje.

Ndërkohë, Posta Shqiptare thekson se parregullsitë e konstatuara nuk kanë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

“Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

Posta Shqiptare bën të ditur se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Sipas institucionit, vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.