Qëndresa Qytetare i kërkon KLSH-së auditimin e 4.2 milionë eurove për koncertin e Kanye West

Qëndresa Qytetare i është drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesë për auditimin e 4.2 milionë eurove të akorduara nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West. Organizata kërkon verifikimin e ligjshmërisë së procesit të vendimmarrjes dhe përdorimit të fondeve publike.

Qëndresa Qytetare i është drejtuar zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke kërkuar ushtrimin e kontrollit mbi përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e 4.2 milionë eurove të transferuara nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të artistit Kanye West.

Në një deklaratë për mediat, të publikuar më 13 korrik, Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare tha se organizata kërkon auditimin e të gjithë procesit të lidhur me fondet publike.

“Qëndresa Qytetare i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për të ushtruar kontroll mbi përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West”, tha Kolindo Vjerdha në emër të Qëndresës Qytetare.

Sipas organizatës, ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili, sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë procesit të hartimit të buxhetit.

“Financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes një akti normativ të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën e përdorimit të parave publike”, thuhet më tej në deklaratë.

Më 6 korrik, Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ nr. 3/2026, me të cilin transferoi 400 milionë lekë, rreth 4.2 milionë euro, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit në buxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West. Siç raportoi Amfora, fondi u akordua vetëm pak ditë para koncertit, pasi kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se aktiviteti nuk do të financohej me para publike.

Koncerti u zhvillua më 11 korrik në arenën e përkohshme “Eagle Stadium”, të ndërtuar në zonën e Kasharit, pranë autostradës Tiranë-Durrës, mes kundërshtimeve për përdorimin e fondeve publike. Në të njëjtën mbrëmje, protesta e qytetarëve vijoi në qendër të Tiranës, ku një nga kërkesat e ngritura ishte edhe kundërshtimi i financimit të koncertit me para nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Vendimi i qeverisë nxiti reagime edhe nga aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit artistik, të cilët kundërshtuan përdorimin e 4.2 milionë eurove nga fondi rezervë për financimin e koncertit. Gjatë një aksioni para Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ata kërkuan që fondet publike të orientohen drejt mbështetjes së kulturës shqiptare, institucioneve kulturore dhe artistëve vendas, duke argumentuar se sektori i kulturës vijon të mbetet ndër më pak të financuarit nga buxheti i shtetit.

Në kërkesën drejtuar KLSH-së, Qëndresa Qytetare argumenton gjithashtu se Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e Bashkimit Evropian për ndihmën shtetërore, pasi, sipas saj, favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën.

Për këtë arsye, organizata kërkon që KLSH të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike. Gjithashtu, ajo kërkon që, nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore apo shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale.

Në përfundim të deklaratës, Qëndresa Qytetare thekson se fondet publike duhet t’i nënshtrohen kontrollit dhe transparencës.

“4 milionë euro janë para publike dhe çdo qindarkë e tyre duhet të jetë e justifikuar, transparente dhe e kontrollueshme”, thuhet në deklaratën e Qëndresës Qytetare.

Në përfundim, organizata njofton se do ta ndjekë institucionalisht këtë çështje dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim, përgjigje apo veprim të ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse.