SPAK kërkon fajësi për tre të pandehurit e dosjes Meta-Kryemadhi, por jo burgim
SPAK kërkoi deklarimin fajtor të Piro Xhixhos, Fatime Kryemadhit dhe Ema Çokut, ndërsa argumentoi se veprimet për të cilat akuzohen nuk janë kryer për përfitime personale, por për llogari të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Godina e SPAK. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti të hënën konkluzionet përfundimtare në procesin ndaj Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit, ish-kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixhos, si dhe Ema Çokut.
Të tre po gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar në një çështje të ndarë nga dosja penale ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të treve, por edhe pezullimin e ekzekutimit të dënimeve me burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove.
Sipas SPAK, Xhixho, Çoku dhe Kryemadhi nuk i kanë kryer veprimet e paligjshme për përfitime personale, por për llogari të Metës dhe Kryemadhit.
Sipas Prokurorisë, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, pasi dyshohet se ka futur në sistemin bankar shuma parash me burim të pajustifikuar për llogari të vajzës së saj, Monika Kryemadhi, dhe ish-bashkëshortit të kësaj të fundit, Ilir Meta. SPAK argumentoi se ajo nuk kishte burime të ligjshme për të shlyer kredi, pagesa qiraje dhe detyrime të tjera financiare, ndërsa bilanci negativ i konstatuar gjatë hetimit arrin në rreth 846 mijë euro.
SPAK vlerëson se Fatime Kryemadhi nuk ka kryer veprime për përfitime vetjake, por për llogari të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës.
Për këto akuza, Prokuroria kërkoi dënimin e saj me 5 vjet burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por edhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në shërbim prove për pesë vjet, duke marrë në konsideratë moshën e saj dhe faktin që, sipas SPAK, nuk ka qenë përfituese e drejtpërdrejtë.
Për Ema Çokun, SPAK pretendon se ka ndihmuar Fatime Kryemadhin të justifikojë një hua prej 220 mijë eurosh, e cila, sipas hetimit, nuk mbështetet nga burime të ligjshme financiare. Edhe për të, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor, dënimin me 4 vjet e 8 muaj burg, pas gjykimit të shkurtuar, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen në shërbim prove.
Piro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv në kohën kur drejtonte AKEP. Sipas SPAK, ai ka favorizuar kompani të lidhura me biznesmenët Adrian Shatku dhe Samir Mane, duke vepruar në kundërshtim me detyrën dhe në interes të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
SPAK argumentoi se ishte provuar që Xhixho kishte vepruar në favor të këtyre kompanive vetëm pas interesimit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Për ish-kreun e AKEP, Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, si dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në shërbim prove për katër vjet.
Gjatë seancës, mbrojtësit e Fatime Kryemadhit kërkuan pavlefshmërinë e një prove dhe revokimin e gjykimit të shkurtuar, por të dyja kërkesat u rrëzuan nga trupi gjykues. Pas përfundimit të konkluzioneve të Prokurorisë, avokatët kërkuan kohë për përgatitjen e mbrojtjes, ndërsa gjykata e shtyu seancën për 27 korrik. Ndërkohë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi vijojnë të gjykohen veçmas me procedurën e zakonshme.