Dhuna në protesta, thirrje Akademisë së Shkencave për ndërhyrje në mbrojtjen e të rinjve

Pas dhunës që ka shoqëruar protestat studentore, kërkohet reagim dhe ndërhyrje urgjente e institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve. Një letër e hapur drejtuar Akademisë së Shkencave kërkon vlerësimin e pasojave të mundshme të dhunës dhe marrjen e masave për mbështetje psikologjike dhe parandalimin e saj.

Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, e angazhuar prej vitesh në luftën kundër dhunës në familje dhe promovimin e sigurisë, i ka kërkuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë të ndërhyjë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga pasojat e mundshme të dhunës gjatë protestave studentore.

“Nuk duhet të presim vite për të kuptuar se çfarë ka lënë pas dhuna. Duhet të veprojmë tani, me përgjegjësi, profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore”, shkruhet në letrën e hapur të shoqatës. 

Në letrën e nënshkruar nga drejtorja ekzekutive Bajana Çeveli, shoqata kërkon që Akademia e Shkencave të reagojë publikisht dhe të nxisë një vlerësim shkencor për ndikimin që dhuna mund të ketë te mirëqenia psikologjike e të rinjve.

Një nga kërkesat kryesore është organizimi i një tryeze me psikologë, psikiatër, pedagogë, juristë dhe punonjës socialë, për të diskutuar pasojat e mundshme dhe masat që duhen marrë.

Shoqata kërkon gjithashtu që institucionet të vlerësojnë nëse të rinjtë dhe familjet e prekura nga dhuna kanë nevojë për mbështetje psikologjike dhe sociale.

Në letër bëhet thirrje edhe për programe në shkolla, universitete dhe komunitete, që synojnë parandalimin e dhunës, nxitjen e dialogut dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

“Çfarë pasojash mund të lënë skenat e dhunës tek të rinjtë që po formojnë personalitetin, vlerat dhe perceptimin e tyre për sigurinë, drejtësinë dhe marrëdhëniet njerëzore?”, pyet shoqata.

Sipas saj, pamjet e përplasjeve, frikës dhe shkatërrimeve që janë transmetuar në media mund të ndikojnë te ndjenja e sigurisë dhe besimi i të rinjve te institucionet.

“Nuk duhet të paragjykojmë se çdo i ri do të pësojë dëme afatgjata. Por kemi përgjegjësinë të kuptojmë rreziqet, të identifikojmë nevojat dhe të ofrojmë mbështetje përpara se vështirësitë të thellohen”, shkruhet në letër.

Protestat e studentëve dhe të rinjve nisën më 13 tetor, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit. Ato u përhapën më pas në qytete të tjera, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimeve janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe policisë, arrestime dhe dëmtime të pronës publike e private.

Media Amfora raportoi se gjatë protestës kombëtare të 24 tetorit në Tiranë, 23 persona kërkuan trajtim mjekësor, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 23 personave.

Në letrën e saj, shoqata sqaron se nuk synon të përcaktojë përgjegjësitë për incidentet e protestave, por të kërkojë veprime për mbrojtjen e të rinjve.

Akademisë së Shkencave i kërkohet të bashkëpunojë me institucionet publike, universitetet dhe organizatat e shoqërisë civile për të përcaktuar masat që mund të merren në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve.

Shoqata “Gender, Paqe e Siguri”, me seli në Durrës, është një organizatë e shoqërisë civile që prej 27 vitesh angazhohet në luftën kundër dhunës në familje, promovimin e paqes dhe sigurisë njerëzore, si dhe zbatimin në Shqipëri të Agjendës së Kombeve të Bashkuara “Gruaja, Paqja dhe Siguria”.