KShH: Policia përdori gaz lotsjellës pa paralajmërimin e kërkuar nga ligji

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ngriti shqetësimin se Policia e Shtetit përdori gaz lotsjellës pa paralajmërimin e kërkuar nga ligji gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit. Organizata kërkoi hetim për çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaroi të premten se sipas monitorimit të zhvilluar gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit të Shqipërisë, përdorimi i gazit lotsjellës u bë pa një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe pa u dhënë protestuesve kohë të arsyeshme për t’u shpërndarë vullnetarisht, siç parashikon ligji. 

“Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare,” shkruhet në deklaratën e KShH-së.

Sipas organizatës, protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata mbeti nën kontroll për një periudhë të gjatë. KShH thekson se aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’u atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve dhe nuk duhet të shërbejnë si justifikim për përdorimin e forcës ndaj pjesëmarrësve paqësorë. Në deklaratë, organizata i referohet jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës aktet e izoluara të dhunës nuk ia heqin një tubimi karakterin paqësor.

“Aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve,” shkroi KShH.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehu gjithashtu shqetësim për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që, sipas monitorimit të tij, ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë, si edhe për pretendimet mbi mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar ose kishin probleme shëndetësore.

Sipas KShH-së, Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, por përdorimi i forcës duhet të jetë masa e fundit, të zbatohet vetëm kur është i domosdoshëm dhe në mënyrë proporcionale ndaj personave që paraqesin rrezik.

Në përfundim të deklaratës, KShH i bëri thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës gjatë protestës. 

Organizata i kërkoi gjithashtu Policisë së Shtetit të garantojë që në protestat e ardhshme çdo përdorim force të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe dhënia e kohës së mjaftueshme për shpërndarje vullnetare, ndërsa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta u bëri thirrje të distancohen nga aktet e dhunës dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimeve.

Protesta e 2 korrikut para Kuvendit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, e cila përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Një ditë më pas, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 19 personave dhe procedimin penal të 12 të tjerëve, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkoi hetim për rastet e dhunës ndaj punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestës.