250 vite nga lindja e SHBA-së: Një udhëtim në monumentet që rrëfejnë historinë amerikane

Në 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Uashington D.C. mbetet qyteti ku historia e vendit lexohet përmes monumenteve dhe institucioneve të tij. Nga Shtëpia e Bardhë tek memorialet kushtuar presidentëve dhe figurave të të drejtave civile, Amfora sjell në një fotoreportazh disa nga simbolet që kanë shoqëruar zhvillimin e demokracisë amerikane gjatë dy shekujve e gjysmë të ekzistencës së saj.

Shtëpia e Bardhë. Foto: Media Amfora

Më 4 korrik 2026, Shtetet e Bashkuara do shënuan 250-vjetorin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë, dokumentit që në vitin 1776 shpalli ndarjen nga Perandoria Britanike dhe hodhi themelet e një republike të re. Jubileu do u shoqërua me aktivitete në 50-të shtetet, ndërsa në Uashington D.C., kryeqyteti federal, mbetet vendi ku historia amerikane lexohet përmes institucioneve dhe monumenteve që kanë formësuar identitetin e shtetit.

Shtëpia e Bardhë vijon të mbetet rezidenca zyrtare dhe zyra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara që prej vitit 1800. Godina është bërë simbol i pushtetit ekzekutiv amerikan dhe një nga ndërtesat më të njohura në botë. Fasada e saj neoklasike, lëndinat dhe shatërvani përballë janë pjesë e imazhit që identifikon presidencën amerikane.

Vetëm disa hapa larg Shtëpisë së Bardhë ndodhet Departamenti i Thesarit, institucioni që administron financat federale dhe politikën ekonomike të vendit. Përballë ndërtesës qëndron statuja e Alexander Hamilton, sekretarit të parë të Thesarit dhe një prej figurave kryesore në ndërtimin e sistemit financiar amerikan.

Departamenti i Thesarit në Uashington D.C. Foto: Media Amfora
Departamenti i Thesarit në Uashington D.C. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Kupola e Kapitolit ngrihet mbi ndërtesën ku mblidhen Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve. Në majën e saj ndodhet “Statuja e lirisë” – “Statue of Freedom” – ndërsa vetë godina është simbol i pushtetit legjislativ dhe demokracisë amerikane. Për miliona vizitorë çdo vit, ajo mbetet një nga ikonat më të njohura të Uashingtonit.

Kupola e Kapitolit. Foto: Media Amfora
Kupola e Kapitolit. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Përballë ujërave të “Tidal Basin” ndodhet memoriali kushtuar Thomas Jefferson, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë dhe presidentit të tretë të SHBA-së. Arkitektura e tij është frymëzuar nga tempujt romakë, duke reflektuar ndikimin e mendimit klasik në themelimin e republikës amerikane.

Memoriali i Thomas Jefferson. Foto: Media Amfora
Memoriali i Thomas Jefferson. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

I vendosur pranë “National Mall”, memoriali i Martin Luther King Jr. përkujton një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile. Monumenti prej graniti simbolizon përpjekjet për barazi racore dhe kujton mesazhin e tij për drejtësi e mosdhunë, që vazhdon të mbetet pjesë e historisë moderne amerikane.

Memoriali i Martin Luther King Jr. Foto: Media Amfora
Memoriali i Martin Luther King Jr. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

I ndërtuar në stilin e një tempulli grek me 36 kolona, “Memoriali Lincoln” është një nga monumentet më të vizituara në Shtetet e Bashkuara. Në shkallët e tij Martin Luther King Jr. mbajti më 28 gusht 1963 fjalimin historik “I Have a Dream” – “Unë kam një ëndërr që një ditë ky komb do të ngrihet dhe do ta jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: ‘Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë'”, u shpreh ai, në një nga momentet më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA.

Memoriali Lincoln. Foto: Media Amfora
Memoriali Lincoln. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Në zemër të “Memorialit Lincoln” ndodhet statuja monumentale e presidentit Abraham Lincoln. Ai udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile dhe lidhet me bashkimin dhe shfuqizimin e skllavërisë. Në muret e memorialit janë gdhendur fjalimet e tij më të njohura, që vazhdojnë të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.

Statuja e Abraham Lincoln. Foto: Media Amfora
Statuja e Abraham Lincoln. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Obelisku kushtuar George Washington, presidentit të parë amerikan dhe komandantit të Luftës së Pavarësisë, ngrihet mbi 169 metra lartësi. Reflektimi i tij në “Reflecting Pool” është një nga pamjet më të fotografuara të kryeqytetit dhe një simbol i vazhdimësisë së historisë amerikane.

Monumenti kushtuar George Washington. Foto: Media Amfora
Monumenti kushtuar George Washington. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Në zonën diplomatike të Uashingtonit ndodhet edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara datojnë prej më shumë se një shekulli dhe sot bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në fusha si mbrojtja, siguria, arsimi dhe zhvillimi demokratik.

Ambasada e Shqipërisë në Uashington. Foto: Media Amfora
Ambasada e Shqipërisë në Uashington. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Në Muzeun Kombëtar të Ajrit dhe Hapësirës, kostumi hapësinor i astronautit Neil Armstrong kujton misionin Apollo 11, kur në vitin 1969 njeriu zbriti për herë të parë në hënë. Ky program konsiderohet një nga sukseset më të mëdha shkencore dhe teknologjike në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Kostumi hapësinor i astronautit Neil Armstrong. Foto: Media Amfora
Kostumi hapësinor i astronautit Neil Armstrong. Foto: Geri Emiri/Media Amfora

Në 250-vjetorin e pavarësisë, monumentet dhe institucionet e Uashingtonit vazhdojnë të rrëfejnë historinë e një vendi që u formua mbi idealet e lirisë dhe vetëqeverisjes. Nga Shtëpia e Bardhë dhe Kapitoli te memorialet kushtuar presidentëve dhe figurave të të drejtave civile, kryeqyteti amerikan mbetet një “muze në qiell të hapur”, ku çdo ndërtesë dhe monument është pjesë e rrëfimit të dy shekujve e gjysmë të historisë së Shteteve të Bashkuara.