Vjosë-Narta hyn në raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë

Në raportin vjetor për Shqipërinë, të miratuar më 17 qershor në Strasburg, Parlamenti Evropian përfshiu edhe një amendament që ngre shqetësime për zhvillimet në zonën e e Vjosë-Nartës. Organizatat mjedisore e cilësuan votimin si një mbështetje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe respektimin e standardeve evropiane të natyrës.

Parlamenti Evropian miratoi më 17 qershor në Strasburg raportin vjetor për Shqipërinë, dokumentin që vlerëson ecurinë e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat që mbeten përpara integrimit.

“Eurodeputetët mirëpresin progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit të miratuar”, shkruhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit Evropian pas votimit të raportit për Shqipërinë.

Pavarësisht progresit, Parlamenti Evropian vlerëson se Shqipëria vijon të përballet me sfida si tejkalimi i polarizimit politik, përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.

Në dokument, eurodeputetët theksojnë se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga cilësia e reformave që do të ndërmarrë Shqipëria në vitet e ardhshme.

“Cilësia e reformave të vendit do të përcaktojë afatin e anëtarësimit të tij”, shkruhet në njoftim.

Përtej mesazheve mbi integrimin evropian, organizatat mjedisore që ndoqën nga afër procesin në Strasburg e përqendruan vëmendjen te një amendament i përfshirë në raport, i cili lidhet me zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Sipas një njoftimi të publikuar nga “BirdLife Europe” një rrjet organizatash për mbrojtjen e natyrës në Evropë, rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe kërkon rishikimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

“Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë”, shkroi organizata “BirdLife Europe” në një njoftim për shtyp të mërkurën.

Në të njëjtin njoftim thuhet se rezoluta kërkon gjithashtu një moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit me standardet europiane të mbrojtjes së natyrës.

“Ajo kërkon gjithashtu një moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të shfuqizohen dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet europiane të mbrojtjes së natyrës”, shkroi organizata.

Organizata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), partnere e “BirdLife Europe” e cilësoi votimin si një mbështetje për kërkesat e organizatave që kundërshtojnë ndërhyrjet në Vjosë-Nartë.

“Thirrja e Parlamentit Evropian për një moratorium të menjëhershëm është pikërisht ajo që nevojitet në përpjekjen tonë për të mbrojtur Vjosë-Nartën. Ajo u jep autoriteteve shqiptare kohën dhe qartësinë për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës dhe për të shmangur gabime të pakthyeshme,” deklaroi Joni Vorpsi, drejtues i Politikave dhe Avokimit në PPNEA.

Pse po protestohet?

Vjosë-Narta është një nga zonat e mbrojtura më të rëndësishme në Shqipëri, e njohur për lagunën, dunat ranore dhe habitatet që strehojnë qindra lloje shpendësh e speciesh të mbrojtura. Javët e fundit, zona është kthyer në qendër të debatit publik për shkak të planeve për zhvillime turistike dhe ndryshimeve të miratuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Pjesëmarrës në protestë kundër ndërhyrjeve të planifikuara në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Foto: Media Amfora

Kundërshtimi i këtyre zhvillimeve ka nxitur protesta në Tiranë dhe reagime të vazhdueshme nga organizatat mjedisore, të cilat kërkojnë ruajtjen e statusit mbrojtës të zonës dhe respektimin e standardeve europiane të mbrojtjes së natyrës.

Vjosë-Narta është pjesë e sistemit të fundit deltore të paprekur në Mesdhe. Ajo strehon më shumë se 200 lloje shpendësh dhe mbi 70 specie të rrezikuara, ndërsa ndodhet në një nga korridoret më të rëndësishme migratore të Europës.

Vjosë-Narta është kthyer në simbol të debatit mbi zhvillimin turistik dhe mbrojtjen e natyrës, një diskutim që është zgjeruar përtej kësaj zone dhe prek të ardhmen e zonave të mbrojtura në të gjithë vendin.

Sipas “BirdLife Europe” dhe PPNEA, debati nuk lidhet vetëm me një projekt të vetëm në Vjosë-Nartë, por edhe me ndryshimet e miratuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura gjatë vitit 2024.

Debati për Vjosë-Nartën është zhvilluar paralelisht me kundërshtimet e organizatave mjedisore ndaj ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Ato kanë kërkuar rishikimin e ligjit, duke argumentuar se dispozitat e reja mund të lejojnë zhvillime turistike brenda territoreve të mbrojtura dhe të dobësojnë mekanizmat e kontrollit mjedisor.

Nga ana tjetër, institucionet shtetërore kanë mbrojtur ndryshimet ligjore dhe projektet e zhvillimit, duke argumentuar se investimet mund të bashkëjetojnë me mbrojtjen e mjedisit përmes procedurave të parashikuara nga ligji dhe standardeve të vlerësimit mjedisor.