Dita e dytë e protestës në Durrës, të rinjtë marshojnë drejt policisë dhe kërkojnë lirimin e të shoqëruarve 

Të rinjtë në Durrës protestuan për të dytën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe lirimin e personave të shoqëruar nga policia. Sipas të dhënave 35 persona u shoqëruan të enjten dhe 25 të tjerë të premten, ndërsa pranë shkollave dhe kampusit universitar u regjistruan edhe shoqërime me forcë.

Protesta e të rinjve në Durrës vijoi të premten për të dytën ditë radhazi, me një tubim që nisi rreth orës 12:30 në sheshin “Liria”, ku pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit, ndërsa rreth orës 13:00 nisën marshimin drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit.

Gjatë marshimit, të rinjtë thirrën “Lironi çunat!”, duke kërkuar lirimin e personave të shoqëruar nga policia gjatë protestës së të enjtes, e cila u shoqërua me tensione dhe dëmtime të pronës publike. 

Protesta e të rinjëve në Sheshin “Liria” në Durrës. Foto: Media Amfora

Sipas Policisë së Durrësit, gjatë protestës së të enjtes u shoqëruan 35 persona, ndërsa gjatë tubimit të së premtes u shoqëruan edhe 25 të tjerë. Pranë shkollave dhe kampusit universitar u regjistruan edhe shoqërime me forcë.

Me afrimin e protestuesve drejt Drejtorisë Vendore të Policisë, rruga “Aleksandër Goga” u boshatis, ndërsa bizneset përgjatë saj ulën qepenat. Punonjësit e policisë krijuan një kordon sigurie përpara godinës, ndërsa qarkullimi i automjeteve u devijua në kryqëzimin drejt stadiumit.

Biznese që mbyllën qepenat gjatë mesditës së të premtes. Foto: Media Amfora

Protesta e së premtes erdhi pas tubimit të një dite më parë në Durrës, ku marshimi i studentëve dhe gjimnazistëve u shoqërua me ndezjen e zjarreve në sheshin “Liria” dhe dëmtime të godinës së Prefekturës.

Ndërkohë, në Tiranë, protesta e së enjtes u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa të premten studentët dhe gjimnazistët vijuan tubimet për të katërtën ditë, duke marshuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestave në kryeqytet u përhapën edhe pretendime në rrjetet sociale për praninë e policëve serbë në ndërhyrjet ndaj demonstruesve, të cilat nuk u mbështetën nga prova dhe u përgënjeshtruan nga Policia e Shtetit.

Protesta e së premtes në Durrës u përqendrua te kërkesa për lirimin e personave të shoqëruar, duke e zhvendosur marshimin nga sheshi qendror i qytetit drejt Drejtorisë Vendore të Policisë.