Shembja e objekteve për projektin turistik ndez debatin për Librarinë Rozafa
Shembja e Librarisë Rozafa në qendër të Shkodrës ka nxitur debat dhe reagime nga qytetarë, aktivistë e figura publike. Ndërsa Bashkia e konsideron ndërhyrjen pjesë të zhvillimit të qytetit, kundërshtarët e shohin si humbje të një pjese të memories urbane të Shkodrës.
Momenti i prishjes së Librarisë Rozafa në qendër të Shkodrës. Foto: "Screenshot" nga videoja e transmetuar nga faqja "Shkodra Asht Dashni".
Shembja e dy objekteve më 15 qershor nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Shkodër ka nxitur debat publik, pasi mes tyre ishte edhe Libraria Rozafa, ndërsa në këtë zonë parashikohet të zbatohet një projekt i ri për zhvillimin e turizmit.
“Ai dyqan ka kenë aty prej dhjetëra vitesh, me leje të rregullt dhe ka shërby si nji pikë e bukur e kulturës dhe e librit. Nuk ka asnji arsye me u qujtë e shemtume apo me u largu sikur të ishte nji problem për qytetin”, shkroi aktivisti shkodran Mirsad Basha.
Në reagimin e tij, Basha e konsideron shembjen e librarisë si një vendim që cenon një pikë të njohur të jetës kulturore të qytetit dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po merren vendimet për transformimin e hapësirave publike në qendër të Shkodrës.
“Ky biznes ka kenë me leje dhe familjes nuk iu dha asnji zgjidhje reale për transferim para se me e shkatrru. Vendimi u mor pa u interesu për dëmin ekonomik dhe psikologjik që po shkaktohej”, shkroi ai në faqen “Shkodra Asht Dashni” në Facebook.
Sipas aktivistit, përtej humbjes së një pike referimi për qytetin, ndërhyrja ka sjellë pasoja edhe për familjen që ushtronte aktivitetin në këtë hapësirë.
Postimi i tij u shoqërua me 51 komente deri në momentin e analizimit nga Media Amfora. Një lexim i reagimeve tregon se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk e shohin debatin të lidhur me statusin juridik të objektit apo projektin e ri turistik, por me vlerën simbolike që Libraria Rozafa kishte për qytetin.
“Se din Benet Beci, që aty ne që kemi 30 e sipër kemi ble librat e klasës së parë? Dhe që kjo librari bënte pjesë në memorien kolektive?”, shkroi Iden Temali.
“Nuk po lajnë asnji vend pa shkatrru. Madje po shkatrrojnë dhe vende që janë pika referimi dhe ‘shpi’ djejshe”, komentoi Neada Senaj.
E hapur në fillim të viteve 2000 si një biznes i vogël familjar, Libraria Rozafa funksiononte në një godinë me përmasa relativisht të vogla, me fasadë xhami dhe rafte të mbushura me libra. Për më shumë se dy dekada, ajo u bë një pikë e njohur për qytetarët, veçanërisht për nxënësit dhe familjet që blinin aty tekstet shkollore dhe botime të ndryshme.
Nga analiza e komenteve vihet re se shumë prej reagimeve lidhen me kujtesën personale dhe kolektive të qytetit. Për qytetarët që kanë reaguar, libraria nuk përfaqësonte thjesht një aktivitet tregtar, por një vend të lidhur me historinë e tyre personale dhe me identitetin urban të Shkodrës.

Hapësira ku ndodhej Libraria Rozafa pas ndërhyrjes së Bashkisë Shkodër. Foto: Media Amfora
Libraria Rozafa ndodhej në një nga zonat më të frekuentuara të qendrës së qytetit, pranë Sheshit Demokracia, duke shërbyer prej vitesh si pikë referimi për banorët dhe vizitorët. Sipas pretendimeve të ngritura në reagimet publike, aktiviteti operonte prej dekadash dhe dispononte dokumentacion ligjor që datonte prej vitit 2002.
Megjithatë, pati edhe qytetarë që mbështetën ndërhyrjen e Bashkisë, duke argumentuar se hapësira publike duhet të riorganizohet dhe se zhvillimi urban kërkon ndryshime të tilla.
“Shumë mirë ka ba që e kanë prishe, pavarësisht se ka kenë librari, si kioskë dukej. Librarinë tash e bajnë prap”, komentoi Yli Shkodra.
Reagimet nuk mbetën vetëm në rrjetet sociale lokale, por kaluan edhe kufijtë e Shkodrës, ku u pasqyruan nga gazetarë, aktivistë dhe figura publike, të cilët shpërndanë foto dhe video nga momenti i shembjes së objektit, duke kritikuar vendimin dhe mënyrën se si u realizua ndërhyrja. Ndërsa debati po zhvillohej në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, e paraqiti ndërhyrjen si pjesë të një projekti zhvillimor për qytetin.
“Vijon lirimi i hapësirave që do t’i hapin rrugë një prej projekteve më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shkodër”, shkroi Beci në rrjetet sociale.
Sipas tij, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Shkodër ka ndërhyrë në dy objekte në zonën ku do të ndërtohet Qendra e re e Integruar e Informacionit Turistik, e cila synon të ofrojë informacion, orientim dhe shërbime turistike sipas standardeve bashkëkohore.
Në një njoftim të publikuar nga Bashkia Shkodër, ndërhyrja u paraqit si pjesë e procesit të lirimit të hapësirave për ndërtimin e kësaj qendre, e cila sipas institucionit do të ndikojë në zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët.
Verifikimi i dokumenteve të publikuara në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër tregon se institucioni ka planifikuar ndër vite investime në shërbimet dhe zyrat e informacionit turistik. Megjithatë, në momentin e verifikimit nga Media Amfora nuk rezultonte i publikuar një projekt i detajuar për Qendrën e Integruar të Informacionit Turistik, me informacion mbi vlerën e investimit, planvendosjen, afatet e zbatimit apo procesin e konsultimit publik.
Përtej debatit mbi një objekt të vetëm, reagimet e ditëve të fundit kanë rikthyer diskutimin mbi mënyrën se si po transformohet qendra e Shkodrës dhe rolin që duhet të kenë qytetarët në vendimmarrje për hapësirat me rëndësi publike.
Debati për Librarinë Rozafa i shtohet diskutimeve të viteve të fundit mbi transformimin urban të Shkodrës. Më herët, polemika të ngjashme kanë shoqëruar edhe projektet e zhvillimit në qendër të qytetit, përfshirë diskutimet rreth ndërtimit të një kulle shumëkatëshe pranë zonës së njohur si Kafja e Madhe. Në qendër të debatit mbetet pyetja se si mund të balancohet zhvillimi urban me ruajtjen e identitetit, kujtesës dhe vendeve që banorët i konsiderojnë pjesë të historisë së qytetit.