Pas miellit të skaduar, mbi 103 mijë veshje të falsifikuara bllokohen në Durrës

Brenda tre ditësh, në Degën Doganore në Durrës u bllokuan mijëra kilogramë produkte ushqimore të skaduara dhe mbi 103 mijë veshje të dyshuara si të falsifikuara, një shqetësim për mënyrën si mallrat me risk arrijnë të qarkullojnë deri në momentin e ndërhyrjes.

Drejtoria e Antikontrabandës, në bashkëpunim me Degën Doganore Durrës, njoftoi të enjten se ka ndaluar një sasi prej mbi 103 mijë artikujsh veshjesh të markave të njohura ndërkombëtare, të dyshuara për cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale, duke nisur procedurat përkatëse ligjore.

“Janë konstatuar mbi 103 mijë palë veshje të ndryshme të markave Adidas, Nike, Gucci, Dior, Hugo Boss, Calvin Klein etj., si edhe bluza të ndryshme sportive të ekipeve të njohura europiane”, shkroi institucioni në njoftimin për mediat, të publikuar në faqen e tij zyrtare.

Autoritetet doganore bëjnë me dije se malli është bllokuar dhe procedurat janë në vijim, por nuk jepen detaje mbi subjektin përgjegjës, vlerën financiare të ngarkesës apo masat ndëshkuese që mund të pasojnë. Ky është rasti i dytë i bllokimit të mallrave me risk në të njëjtën degë doganore brenda pak ditësh.

“Dega e Doganës Durrës, gjatë kontrollit fizik në ambientet e një subjekti tregtar, ka bllokuar mallra që u kishte kaluar afati i përdorimit”, thuhej në njoftimin e publikuar më 17 shkurt 2026.

Sipas autoriteteve, janë konstatuar 2.500 kg miell orizi me datë skadence 01.04.2025 dhe 5.150 kg miell për pica me datë skadence 07.04.2025, ndërsa procedurat janë nisur në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, deri në asgjësimin e mallit.

Dy ndërhyrjet, megjithëse të natyrave të ndryshme njëra për shkelje të pronësisë intelektuale dhe tjetra për siguri ushqimore tregojnë se problematika e mallrave me risk shfaqet në sektorë të ndryshëm, nga tekstilet te produktet ushqimore.

Ndërsa autoritetet flasin për tolerancë zero, mbetet e paqartë sa raste të ngjashme kalojnë pa u konstatuar dhe në çfarë mase ndërhyrjet e bëra ndikojnë realisht në parandalimin e përsëritjes së tyre.