Vjedhja në Manastirin e Shën Gjergjit trondit komunitetin e zonës
Manastiri i Shën Gjergjit, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, është një pikë e rëndësishme e trashëgimisë historike dhe shpirtërore në jug të vendit. Vjedhja e njërës prej kambanave ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal dhe ka rikthyer vëmendjen te mbrojtja e trashëgimisë në zonë.
Kambanorja e Manastirit të Shën Gjergjit me të dyja kambanat e vendosura në hapjet përkatëse, fotografi e realizuar para vjedhjes. Foto: Media Amfora
Njëra prej kambanave të Manastiri i Shën Gjergjit në Sarandë është konstatuar e vjedhur ditën e enjte nga kujdestari i tij, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen.
“Dy-tre ditë më parë, ndërsa erdha për t’u kujdesur për manastirin, ngrita kokën lart dhe pashë se mungonte kambana e parë nga jugu”, u shpreh David Dulaj, kujdestari i manastirit, për Median Amfora.
David Dulaj, banor i fshatit Çukë, i cili prej vitesh kujdeset për manastirin duke kryer ajrosjen e mjediseve dhe pastrimin e tij, tha se sapo konstatoi mungesën e kambanës u vu në lëvizje menjëherë.
“Njoftova Policinë e Sarandës dhe priftin që shërben në manastir. U kryen hetime në vend, na kanë mbajtur edhe të premten për dëshmitë, por deri më tani nuk dihet asgjë për kambanën”, shtoi Dulaj.
Manastiri i Shën Gjergjit përbëhet nga një kishë e rikonstruktuar në shekullin XIV pas Krishtit, e vendosur brenda mureve të një kompleksi manastirial të rrethuar, i cili përfshin edhe struktura të tjera ndihmëse që i kanë shërbyer funksionimit të tij ndër shekuj.
Gjatë stinës së dimrit, zona ku ndodhet manastiri paraqitet me prani të kufizuar njerëzore dhe lëvizje minimale, për shkak të pozicionit të tij në majë të kodrës së Demës, në një hapësirë të hapur mes Detit Jon dhe Liqenit të Butrintit, ndërsa kujdestari shkon vetëm një herë në javë për pastrimet e nevojshme.
“Nuk di të them prej sa kohësh mund të ketë munguar kambana; sapo konstatuam se nuk ishte, u bënë njoftimet”, shtoi ai.
I arritshëm pas rreth 20 minutash ecje në këmbë nga rruga nacionale Sarandë – Ksamil, manastiri ndodhet në një zonë zhvillimore ku po ndërtohet resorti turistik “Manastiri Resort”, e cila monitorohet me kamera sigurie. Megjithatë, niveli i lartë i monitorimit nuk ka penguar vjedhjen e kambanës.

“Këmbanat janë të shenjta, janë shpirti i çdo kishe. Ato qëndronin si dy motra binjake dhe tani ka mbetur vetëm njëra, më e vogla, sepse më e madhja është marrë”, u shpreh Dulaj.
Në këtë hapësirë, gjatë stinës së verës, manastiri gjallërohet dhe shndërrohet në një pikë takimi për komunitetin dhe vizitorët, ku zhvillohen edhe kampe për fëmijë dhe aktivitete të tjera.

Kambanorja e Manastirit të Shën Gjergjit sot paraqitet me një hapje boshe në anën jugore, aty ku ishte vendosur njëra prej kambanave, një mungesë që ka prekur komunitetin që e konsideron manastirin pjesë të pandashme të jetës shpirtërore dhe komunitare.
“Na ka prekur të gjithë si banor, normale se vijmë në manastir dhe nuk shohim kambanën”, përfundoi”, Dulaj.
Nga Manastiri i Shën Gjergjit hapet një panoramë e gjerë që përfshin Gjirin e Sarandës, vijën bregdetare të Jonit dhe relievin kodrinor përreth, duke e vendosur objektin në një pikë vizuale dominuese mbi territorin dhe detin, edhe pse sot kambanorja e tij paraqitet e cenuar nga vjedhja e njërës prej kambanave.