Rrjeti në mbrojtje të gazetarëve, dënon kërcënimin ndaj Osman Stafa

Rrjeti në mbrojtje të gazetarëve reagoi ndaj kërcënimit që mori gazetari i News24, Osman Stafa, i cili ka raportuar mbi mangësitë në Spitalin Onkologjik. Organizata kërkoi nga autoritetet hetim të plotë dhe mbrojtje efektive për gazetarët që trajtojnë çështje me interes publik.

Televizionet gjatë ndjekjes së një aktiviteti në kryeqytet. Foto: Media Amfora

Rrjeti rajonal “SafeJournalists” që përfaqëson organizatat e gazetarëve nga Ballkani Perëndimor, theksoi të premten se kërcënimi i bërë së fundmi ndaj Stafës është përpjekje për ta frikësuar në ushtrimin e detyrës. 

“Mesazhi anonim në Instagram, i shkruar me gjuhë vulgare dhe agresive, e paralajmëronte hapur të mos kthehej më në Onkologjik, duke synuar qartësisht ta pengonte në punën e tij gazetareske,” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat mesditën e 12 dhjetorit

Stafa ka zbuluar dhe denoncuar publikisht probleme të vazhdueshme në Onkologjik, përfshirë mungesën e medikamenteve thelbësore, pajisjet jofunksionale, mangësitë administrative dhe praktikat që dëmtojnë pacientët.

“Duke ndarë dëshmi të pacientëve dhe familjarëve për trajtim të pamjaftueshëm dhe kosto të larta, ai ka kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe kërkesës për llogaridhënie institucionale”, shton njoftimi. 

 Gazetari është shprehur në rrjetin e tij social Facebook lidhur me mesazhin paralajmërues që mori, duke thënë: “Kërcënimi që mora për denoncimet në Spitalin Onkologjik, më tregon se jam në rrugë të drejtë. Dhe po, asnjë tentativë friksimi, nuk do u ecë me mua. Unë kam bërë kallëzimin penal, ndërsa vetë do jem përditë në Spitalin Onkologjik”.   

Rrjeti nënvizon se kërcënimet ndaj gazetarëve përbëjnë një sulm serioz ndaj lirisë së medias dhe kërkojnë një reagim institucional të menjëhershëm, të plotë dhe efektiv.  

Nëpërmjet njoftimit kërkohet një reagim i shpejtë i vendosur nga institucionet shqiptare për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe për të mbrojtur të drejtën për të raportuar lirshëm mbi çështje me interes publik.

“Autoritetet duhet të veprojnë me prioritet dhe të sigurojnë që gazetarët të mos punojnë nën frikë,” thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ky nuk është rasti i parë i kërcënimeve ndaj gazetarëve në Shqipëri, por përbën një sinjal të fortë se mbrojtja e profesionistëve të medias ndaj presioneve dhe frikësimeve mbetet një sfidë e vazhdueshme për sistemin ligjor dhe institucional në vend. 

Organizatat, që përfaqësojnë rrjetin rajonal të gazetarëve nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Kosova, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi – garantojnë mbështetje të përbashkët për sigurinë e gazetarëve dhe mbrojtjen e lirisë së medias në rajon.