Trafiku i artit nga Europa në Shqipëri, policia sekuestroi qindra objekte historike
Policia goditi grupin që trafikonte vepra arti nga Europa në Shqipëri, në operacionin “Muzeu i errët”. Në Kamëz u sekuestruan qindra objekte me vlera historike dhe kulturore, ndërsa dy persona u arrestuan dhe një tjetër është në kërkim.
Objekte të zbuluara në kuadër të operacionit ‘Muzeu i errët’. Foto: 'Screenshot' nga video e Policisë së Shtetit.
Të premten në Tiranë, Policia e Shtetit finalizoi operacionin “Muzeu i errët”, pas një hetimi disa javor që zbuloi trafikun e veprave arti të vjedhura në Europë dhe të futura në Shqipëri për shitje në tregun e zi.
“Si rezultat i një hetimi intensiv të ndjekur me metoda speciale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës. U arrestuan shtetasit A. H., 20 vjeç dhe I. Gj., 30 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi J. H., 42 vjeç, të tre banues në Kamzë”, tha Policia e Shtetit në një njoftim për shtyp pasditen e 31 tetorit.
Gjatë kontrollit në një shtëpi dykatëshe në Kamzë, hetuesit zbuluan qindra objekte me vlera historike dhe kulturore që bartnin historinë e shumë vendeve. Tre pjesëtarë të grupit u identifikuan, dy u vunë në pranga, ndërsa i treti u shpall në kërkim.
Nga kontrolli në banesën e A. H. dhe J. H., babë e bir, hetuesit zbuluan qindra objekte me vlera historike dhe kulturore. Mes tyre, 31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme, 3 skulptura në formë dhëmbi elefanti, 6 piktura të autorëve të huaj, si edhe 411 albume me pulla poste nga vende të ndryshme të botës.
Në të njëjtën hapësirë u gjet edhe një procesverbal origjinal francez i vitit 1925, së bashku me objekte të tjera të rralla, që sipas hetimeve mbaheshin me qëllim shitjen në tregun e zi të artit.
Ndër veprat e sekuestruara përfshihen piktura, skulptura, ikona, punime druri, dokumente të rralla dhe albume me pulla poste, të cilat përbëjnë një koleksion të gjerë me vlera artistike dhe historike. Hetuesit gjetën gjithashtu një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative, që mendohet se do të përdoreshin si pjesë e tregtisë së paligjshme të artit.
Sipas hetimeve, tre shtetasit vepronin si një grup i organizuar që merrej me trafikun e veprave të artit. Ata sillnin në Shqipëri qindra objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura në disa shtete të Europës, për t’i shitur më pas në mënyrë të paligjshme.
Dyshohet se pjesëtari i arrestuar, I. Gj., 30 vjeç, kishte rolin kryesor në sigurimin e veprave jashtë vendit, të cilat më pas transportoheshin dhe ruheshin në banesën e babait e të birit në Kamëz, gati për tregti.
“Po punohet për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale”, shtoi Policia e Shtetit.
Rasti “Muzeu i errët” shtron sërish pyetjen për mënyrën si ruhen dhe monitorohen veprat e artit në Shqipëri, ndërsa tregu i zi i objekteve historike mbetet një plagë e hapur për trashëgiminë kulturore të vendit.