Pas tre vitesh hetime, IPARD mbetet në fazën paraprake

Pas tre vitesh hetime, SPAK ka deklaruar vetëm se ka nisur procedim penal për një çështje që duhej të ishte zbardhur, ndërsa OLAF ka ngritur prej kohësh shqetësimin për menaxhimin abuziv të fondeve IPARD.

Struktura e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka regjistruar një procedim penal për abuzimet e dyshuara me fondet IPARD në Shqipëri, konfirmoi kreu i institucionit, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend të hënën, duke theksuar se hetimet janë në fazën paraprake dhe po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet europiane.

“Po, ka regjistruar një procedim, e kam pohuar edhe në komisionin e ligjeve, por është bërë deklarim publik nga SPAK në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF dhe zyrën e prokurorit publik europian, por me OLAF kryesisht si iniciues i këtij procedimi”, deklaroi Dumani. 

Hetimi vjen në një moment kur debati për fondet e programit IPARD rrjedh në nivele politike dhe institucionale, ku më 16 tetor Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi një mocion të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me këtë çështje.

Opozita akuzoi shumicën në parlament se shmangi transparencën dhe nuk i kanë dhënë llogari për fondet e Bashkimit Evropian  dedikuar fermerëve shqiptarë.

E pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, nëse në hetim përfshihet edhe ish-ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, Dumani theksoi se procedimi penal përfshin çdo person që dyshohet për veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës ka kryer veprime të kundërligjshme. Është çështje prioritare, pasi bashkëpunimi me autoritetet e huaja është vendimtar”, tha kreu i SPAK përpara deputetëve.

investigimin e Medias Amfora u zbuluan raste konkrete ku kompani dhe persona me lidhje të ngushta politike pa eksperiencë bujqësore përfituan nga subvencionet në mënyrë të dyshimtë. Por, tashmë kjo histori ka kaluar përtejë shqetësimeve për bujqësinë duke u bërë çështje besimi institucional dhe përmbushjeje e angazhimeve europiane për Shqipërinë.

Sipas të dhënave dhe dokumenteve të siguruara gjatë investigimit, ekzistojnë prova të shumta që tregojnë për abuzime sistematike me fondet IPARD, nga procesi i përzgjedhjes së projekteve deri te monitorimi i tyre. Megjithatë, pavarësisht volumit të fakteve, hetimet e SPAK mbeten në fazën paraprake, pa asnjë person të akuzuar deri më tani.

 Pyetjes se përse nuk ka veprime të menjëhershëm kur rastet lidhen me qeverinë, përkundër rasteve të opozitës, Dumani iu përgjigj se SPAK është i ftohtë në çështjet penale dhe nuk ka rëndësi se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale.

“Ky është vlerësim i juaj zonja deputete. Ne jemi të ftohtë në hetimin e çështjeve penale. Nuk na intereson se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale. E rëndësishme është të sigurohen provat dhe të ngrihet akuzë e suksesshme. Jemi në fazën e hetimeve paraprake”, tha Dumani.

Burime nga institucionet europiane kanë konfirmuar më herët se Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) ka ndjekur me vëmendje zbatimin e programeve IPARD në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave të raportuara OLAF nisi verifikimet paraprake pas një sërë sinjalizimesh mbi mënyrën si janë përdorur fondet e Bashkimit Europian për investime bujqësore dhe rurale.

Në rastin e Shqipërisë, dyshimet për parregullsi lidhen me mospërputhje mes projekteve të paraqitura dhe atyre të zbatuara realisht, si dhe me përfitimin e fondeve nga kompani të lidhura me zyrtarë publikë.

Hetimeve të SPAK i është përfshirë edhe Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), që po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për verifikimin e përdorimit të fondeve IPARD dhe të mundësive për abuzim me skemat e subvencioneve bujqësore.

Hetimi i përbashkët është në fazën e shkëmbimit të informacionit dhe synon të përcaktojë nëse fondet e BE-së janë përdorur në përputhje me kriteret e programit IPARD, apo në kundërshtim me to.