Përmbytje tragjike në Durrës, një i vdekur nga kontakti me rrymën elektrike në rrugë
Reshjet e dendura të shiut rikthyen përmbytjet në qytet, duke shkaktuar kaos në rrugë, trafik të rënduar dhe aksidente. Tragjikisht, një 43-vjeçar humbi jetën pasi ra në kontakt me një shtyllë elektrike të dëmtuar në lagjen nr.6.

Automjete të bllokuara nga përmbytjet në Velierën e Durrësit. Foto: Media Amfora
Reshjet e dendura të shiut rikthyen përmbytjet mëngjesin e së enjtes në Durrës, duke shkaktuar kaos në rrugë dhe tragjikisht humbjen e jetës së një 43-vjeçari që ra në kontakt me rrymën elektrike.
Policia e Durrësit në njoftimin zyrtar bëri me dije se “rreth orës 07:15, në lagjen nr. 6 shtetasi me inicalet B. K., 43 vjeç, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën.” Policia tha se grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të plota të ngjarjes, ndërkohë që viktima, baba i tre fëmijëve ka qenë duke ecur në rrugë dhe ka tentuar që të mbahet në një shtyllë tensioni, e cila i mori jetën.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë e rëndë në Durrës. Një 15-vjeçar humbi jetën më 17 qershor të vitit 2015 në të njëjtën mënyrë. Adoleshenti ishte duke shkuar në banesën e tij, në lagjen 16 të qytetit dhe humbi jetën pasi ra në kontakt me një rrymë të energjisë elektrike në rrugën e mbushur me ujë.
Raportimet e banorëve mëngjesin e 11 shtatorit treguan përmbytje edhe në rrugën e Portit dhe tek Veliera, një nga investimet më të kushtueshme në qytet, për realizimin e së cilës janë shpenzuar rreth 10 milionë euro. Pamjet e dërguara nga qytetarë aktivë pranë Medias Amfora tregojnë mjete që kalojnë mes ujit që mbuloi një pjesë të konsiderueshme të rrugëve. Katër automjete kanë ngelur të bllokuara në rrugën e Velierës, ndërsa drejtuesit e tyre janë detyruar që ti braktisin, pasi janë përfshirë nga uji.
Si pasojë e përmbytjeve të 11 shtatorit edhe këmbësorët u gjendën në vështirësi, duke e pasur të pamundur kalimin nga njëra anë e rrugës në tjetrën në disa zona të qytetit. Përmbytjet sollën orë kaosi në Durrës, me bllokime rrugësh, trafik të rënduar dhe aksidente me dëme materiale. Një prej tyre ndodhi rreth orës 08:15 në lagjen nr.18, në zonën e njohur si ‘Dyli’, ku u përplasën mes tyre tre automjete.
Përmbytjet mbeten një dukuri shqetësuese në Durrës, që përsëriten sa herë ka reshje intensive shiu, ndërkohë që po marrin jetë njerëzish dhe nuk po shpëtojnë as investimet e reja në infrastrukturë.