Shfaqja e murtajës në fermat e Shkodrës dhe Dibrës, futen në karantinë qindra krerë bagëti
Dy raste me sëmundjen e Murtajës së Ruminantëve të vegjël, ose siç njihet gjerësishtë murtaja, janë shfaqur brenda një jave tek bagëtitë në fermat e vendit tonë. Autoritet kanë futur në karantinë të plotë qindra krerë bagëti të imëta, ndërsa është ndaluar konsumi i mishit dhe produkteve të tij në zonat ku u shfaqën rastet.

Bagëti të prekura nga murtaja në Shkodër. Foto: Emi Kalaja
Rreth 150 krerë bagëti të imta u deklaruan të ngordhur të hënën në një nga fermat e fshatit Val të Njësisë administrative Martanesh të Bashkisë Bulqizë, ndërsa dyshohet se janë prekur nga sëmundja e murtajës e njohur në gjuhën e veterinarisë si Murtaja e Ruminantëve të vegjël.
Shërbimi veterinar në Dibër ka kryer inspektimin pranë fermës në pronësi të blegtorit Bajram Mata, ku u konstatuar të ngordhura bagëtitë e imta. Sipas shërbimit veterinar në Dibër janë marrë analizat, të cilët janë dërguar në laboratorët e certifikuar në Tiranë për të përcaktuar shkakun e ngordhjes.
Prekja e rreth 150 krerëve me bagëti brenda një kohe shumë të shkurtër dhe simptomat e shfaqura hedhin dyshimet për prekjen nga murtaja, gjë e cila ka detyruar autoritetet që të vendosin në karantinë bagëtitë e tjera të fermerit. Pak ditë më parë organet e autoritetit të veterinarisë në Shkodër konfirmuan shfaqjen e murtajës në këtë qark.
“Më 3 qershor një fermë e mbarështimit të dhive në Postribe të Shkodrës u fut në karantinë dhe u eleminuan me groposje të gjithë krerët e prekura nga sëmundja e rrezikshme ngjitëse për bagëtitë e imëta”, tha për median Amfora Emi Kalaja gazetare në Shkodër.
Kalaja shpjegoi se ishte Drejtori i përgjithshem i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Sulejman Kullolli që konfirmoi rastin e shfaqjes së murtajës, eleminimin e krerëve duke urdhëruar ndalimin e lëvizjes së kafshëve në Bashkinë Shkodër dhe Malësi e Madhe edhe bllokimin e tregjeve dhe thertoreve për dhentë në këto zona. Ndonëse sëmundja nuk transmetohet tek njerezit, mishi dhe qumështi i kafshëve të sëmura nuk lejohet të konsumohet për arsye sigurie deri në një urdhër të dytë.
“Ferma u karantinuar. Nuk ka dalë qumësht dhe mish në treg në këto zona. Mishi i kafshëve të sëmura nuk lejohet për tregtim”, tha drejtori Sulejman Kullolli në një deklaratë për median një ditë pas shfaqjes së rastit me murtajë.
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël e njohur edhe si “Peste des Petits Ruminants”, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht deletë dhe dhitë. Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u ka bërë thirrje fermerëve që të kufizojnë lëvizjen e deleve dhe dhive, ndërsa thuhet se murtaja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.