Besimtarët myslimanë në Durrës festojnë Kurban Bajramin

Falja e madhe e festës së Kurban Bajramit u krye në Durrës në sheshin përpara Myftinisë, ku u bashkuan me lutje qindra besmitarë. Imami i Xhamisë së Madhe, Ervin Qylafku, përcolli urimin e kësaj feste dhe ftoi besimtarët për solidaritet. 

Si kudo në të gjithë botën islame edhe në Durrës besimtarët myslimanë festojnë këtë të premte Kurban Bajramin, që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit.

Që në orët e para të mëngjesit besmitarët mysliman i’u drejtuan Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, ku u krye falja e Kurban Bajramit. Edhe në objekte të tjera të kultit islam në qytet u krye rituali i faljes së madhe të kësaj dite të shenjtë.

Imami i Xhamisë së Madhe në Durrës, Ervin Qylafku, përcolli urimet e kësaj feste dhe bëri thirrje për solidaritet. 

“Rëndësia shpirtërore e kësaj dite është e madhe, pasi na fton që të largojmë mendimet, veset e këqija, padrejtësitë ndaj të tjerëve dhe mosmarrëveshjet ndërmjet njerëzve”, tha Imami.

Një moment i rëndësishëm i kësaj feste sot është edhe solidariteti, duke ndarë me njerëzit që nuk kanë mundësi të festojnë, ata që testohen me varfëri e sëmundje. Një pjesë e mishit të kurbanit që çdo familje bën në ditën e Kurbanit shkon për familjet në nevojë.