Helmimi i fëmijëve me salmonelë në kopsht, prindërit protestojnë në Gramsh
Numri i fëmijë të prekur me salmonelë në Gramsh ka shkuar në 14, ndërsa një grup prindërish protestuan të hënën përpara bashkisë së qytetit, duke kërkuar masa të shtuara për dezinfektimin dhe përgjegjësi ligjore për ngjarjen e ndodhur në kopshtin numër 2 të qytetit.

Të hënën numri i fëmijëve të prekur me salmonelë në qytetin e Gramshit shkoi në 14, ndërsa rastet e para u shfaqën që në fillim të javës, ku 3 fëmijë të kopshtit numër 1 shfaqën simptomat e para të helmimit.
Analizat laboratorike të kryera tek tre fëmijët e parë nxorrën prekjen nga salmonela, ndërsa gjatë fundjavës numri i rasteve u rrit. Gjatë paradites së të hënës një grup banorësh të Gramshit dhe prindërit e fëmijëve të prekur nga salmonela protesuan përpara bashkisë.
Bardha Nergjoni, gazetare nga Elbasani që ka ndjekur ngjarjen, shpjegoi se prindërit e mbledhur në shenjë proteste kërkuan që të zbardhet menjëherë e vërteta e helmimit të fëmijëve të tyre dhe të shtohen masat e kontrolleve në ushqimin e kopshteve.
“Prindërit kërkuan hetim të rastit, siguri për ushqimin e fëmijëve në kopsht nga ana e kompanisë dhe dezinfektime të herëpashershme, nuk ndjejnë më siguri për fëmijët kur të rikthehen në kopsht”, tha Nergjoni për Median Amfora.
Megjithëse kopshti ku u shfaq sëmundja infektive ka rreth 70 fëmijë të moshës 3 deri në 6 vjeç, një numër i pakët prindërish u bashkuan në protestë. Kjo sipas gazetares Nergjoni ka ndodhur pasi një pjesë e prindërve janë ndjerë të intimiduar dhe kanë shmangur pjesëmarrjen.
“Prindërit që ishin prezentë bënë me dije se shumë prindër të tjerë nuk ishin prezentë, pasi kërcënohen në forma të ndryshme dhe në kushtet kur janë ndjerë të intimiduar, nuk kanë qenë prezentë”, shtoi Nergjoni.
I pyetur për rastin, kryetari i bashkisë së Gramshit, ka pohuar se ushqimi që konsumojnë fëmijët në kopshte dhe çerdhe ka qenë i kontrolluar.
“Kryebashkiaku Besjan Ajazi theksoi se ushqimi është i kontrolluar dhe se nuk pranohet pa analizat që i nënshtohen produktet nga autoritet e ushqimit”, shtoi gazetarja Nergjoni.
Policia e Elbasanit njoftoi të dielën se e referoi çështjen në prokurori për një vlerësim të thelluar të rrethanava të saj.
“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar kartelat klinike për 6 pacientët e shtruar në spitalin e Gramshit, janë sekuestruar procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me produkte ushqimore, si edhe janë marrë mostrat nga ushqimi për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike”, shpjegoi Policia e Elbasanit në njoftimin për shtyp.
Sipas policisë është bërë edhe bllokimi i produkteve ushqimore të mbetura në kuzhinën e këtij kopshti.
Dyshimet e para mbi helmimin e fëmijëve lidhen me produktin e filetos së punës, që dyshohet se kanë qenë të kontaminuara. Fëmijët kanë konsumuar më 19 maj supë pule në kopsht dhe kanë nisur të shfaqin simptonat e helmimit.
Pasi kanë qendruar tre ditë me mjekim në kushte shtëpie fëmijët u dërguan në spitalin e Gramshit për ndihmë të specializuar, ku pas kryerjes së analizave u konstatua prekja nga salmonela.
Kopshti furnizohej me ushqime nga kompania “Nelsa SHPK”, e cila e ka qendrën në Tiranë. Edhe në magazinat e kësaj kompanie mësohet se janë bërë bllokime të mallrave ushqimore, ndërsa vetë ajo reagoi duke thënë se me bashkinë kishte një kontratë për furnizimin me ushqime të kopshtit dhe të gjitha produktet ishin të analizuara sipas kontratës.