Kulla e Gjon Marka Gjonit, objekti kryelartë i Shkodrës
Kapedani Gjon Marka Gjoni përveç historisë familjare si prijës të Mirditës, ka lënë pas edhe një kullë unike, së bashku me një kompleks monumental banimi, pranë Bulevardit Skënderbeu, në qytetin e Shkodrës.

Kulla e Gjon Marka Gjonit. Foto: Media Amfora
Me një kompozim dhe trajtim arkitektonik të stilit venecian, në Shkodër gjendet një nga kullat monument kulture më unike dhe që ruhet si Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Ajo i përket Gjon Marka Gjonit, një prej figurave më të rëndësishme Shqipërisë së veriut gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, që trashëgoi udhëheqjen e Mirditës nga familja e tij, duke mbajtur qëndrime pro monarkisë së mbretit Zog, deri sa emigroi me ardhjen në pushtet të komunistëve.

Banesa në formën origjinale i përkiste stilit të banesave shkodrane me çardak, të shekullit XIX, por pas tërmetit të vitit 1905, familja fisnike i kërkoi ta rikonstruktonte arkitekti i njohur shkodran, Kolë Idromeno, duke i dhënë një stil neoklasik dhe duke ndërtuar një kullë oktagonale. Ajo u ngrit mbi 5 kate dhe për kohën ishte më e larta në qytet, punimet e së cilës së bashku me rikonstruksionin përfunduan në vitin 1908.

Në vitin 1904 Gjon Marka Gjoni u martua me Mrikën e Gjokë Pjetrit, nga fisi i Pervizëve të Kurbinit dhe së bashku patën 5 djem e 5 vajza. Me titullin Kapedan, autoriteti i tij në Mirditë pajtonte gjaqet dhe diktonte politikën e kohës.
Ai shërbeu si ministër i mbrojtjes në qeverinë jetëshkurtër të Maliq bej Bushatit, prej 12 shkurtit deri më 28 prill 1943. Më tej u emërua senator i Mbretërisë Italiane në dhjetor të vitit 1939 dhe e mbajti detyrën deri më 20 dhjetor 1944, kur dha dorëheqjen.

Pasi rezistencën antikomuniste ia la në dorë të birit, Mark Gjon Markut, emigroi më 27 nëntor 1944 dhe ndërroi jetë nga një sëmundje më 28 prill të vitit 1966 në Itali.