Ministria e Kulturës kërkoi inxhinier pyjesh për “Parkun e Artit” dhe shpalli fituese ofertën e paqartë financiarisht
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se Ministria e Kulturës në rehabilitimin e ambientit të jashtëm të saj dhe të institucioneve të varësisë, vendosi kritere jashtë fokusit të projektit dhe shpalli fituese një ofertë me zëra financiarë të pa specifikuara plotësisht.
Projekti “Parku i Artit, rivitalizimi dhe rikualifikimi i territorit të Ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, Faza II”, u pasua nga tenderimi me vlerë 155.008.461 lek pa TVSH ose ndryshe rreth 1.5 milion euro të financuara nga buxheti i shtetit.
Në territorin e ish-Kinostudios sot gjendet Ministria e Kulturës, një sërë instiucionesh në varësi të saj dhe subjekte të tjera. Tenderimi i 21 qershorit të një viti më parë u anulua, për tu zhvilluar më 15 gusht.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti disa shkelje për tenderimin e punimeve në hapësirën ku gjendet Ministria e Kulturës, të cilat nuk ishin respektuar edhe vetë ligjin që ministria ka në fokus, atë për “Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Sipas konstatimeve të saj janë evidentuar të meta në vendosjen e kritereve për operatorët dhe nuk janë argumentuar kriteret kualifikuese. Po ashtu një pjesë e tyre nuk janë në përpjesëtim me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës.
“Në procedurën e prokurimit faza II, nuk është respektuar Ligji nr. 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë'”, gjeti raporti që KLSH-ja i vendosi në dispozicion Medias Amfora.
“dhe VKM nr. 425, datë 27.05.2020, ‘Për procedurat e përzgjedhjes së subjekteve të pajisura me licensë për projektim, zbatim, mbikëqyrje dhe kolaudim në pasuritë kulturore, për kryerjen e investimeve me fonde publike në pasuritë kulturore’, i ndryshuar, duke vendosur kritere kualifikuese jo në përputhje me natyrën, vlerën dhe përmasën e kontratës”, shtoi raporti.
KLSH gjeti edhe se oferta e operatorit të shpallur ftues, “G. L.”, ishte e pasaktë dhe nuk i kishte vendosur çmimet në të gjitha zërat e preventivit.
“Rreth 1/3 e zërave të preventivit u mungon oferta e çmimeve përkatëse”, evidentoi raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke shtuar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) nuk kishte marrë masa për sqarimin e kësaj situate të mjegullt.
Auditimi gjeti se “Projekti i Artit” nuk kishte respektuar parashikimet ligjore europiane, duke tjetërsuar llojin e kontratës dhe duke sjellë një përfitim shtesë për kompaninë fituese në vlerën 51.480 euro me TVSH, e gjitha e pa argumentuar dhe pa mbështetur në ligj.
Dokumenti standard i tenderit u gjet si i papërshtatshëm sepse kërkohej që kompania që do të realizonte punimet të kishte në staf një arkitekt peizazhi dhe një inxhinier pyjesh, e cila sipas KLSH-së ishte tërësisht e panevojshme në raport me projektin dhe për vetë faktin se kompania vetëm sa do të zbatonte punimet, pa pasur nevojë projektimi.
“…në hapësirën e gjelbër të Ministrisë së Kulturës, nuk ka as pyje e as kullota që ky kriter të ishte i domosdoshëm për realizimin e procedurës së prokurimit”, gjeti raporti i KLSH-së, duke theksuar se ishte kërkuar që kompania fituese të kishte një ekspertizë të tillë.