Fushata e Sakos lë në mjegull mbarimin e Sheshit Veliera
Kryebashiakia e Durrësit Emiriana Sako, që garon për një mandat 4 vjeçar, e la të paqartë përfundimin e sheshit “Veliera”, duke shpjeguar se puna varet nga grupet e montimit që do të mbërrijnë nga jashtë vendit dhe nuk identifikoi një datë përfundimtare për punimet.
Punimet e për ndërtimin e “Sheshit Veliera” që simbolizohet nga një velë me konstruksion metalik mbi një platformë prej betoni vijojnë me ritme të ulëta që prej vitit 2016.
Megjithëse për projektin e nisur gjashtë vite më parë ditët e fundit kanë mbërritur pjesë të tjera për konstuksionin, ende nuk ka një datë konkrete për përfundimin e tij.
Për projektin e Bashkisë Durrës që deri më tani janë alokuar fondet me vlerë 863.986.115 lek, kryebashiakia e Durrësit që garon për një mandat të ri përmendi përsëri teknikalitete që e delegojnë vonesën përtej Adriatikut.
“Veliera është në procesin e fundit të montimit të rifiniturave finale. Janë materialet prezente në kantier dhe presim që të fillojë puna për ndërtimin, besoj 1 mujore ose edhe më shpejt”, shpjegoi Sako.
“Ka specifika sepse të gjitha grupet e montimit do të vijnë nga jashtë Shqipërisë sepse është një punë specifike që nuk mund të bëhet dot nga grupe profesioniste këtu. Do ta monitorojmë që të përfundojë sa më parë sepse është një kantier që është tejzgjatur”, ju përgjigj Sako më tej pyetjes së Amforës.
Ajo ishte pjesëmarrëse në “Përballjen e Ofertave Politike”, organizuar nga Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës dhe një rrjet organizatash. Gjithashtu më herët në një përgjigje të vitit 2021, Bashkia Durrës “fajësoi” për zvarritjen e punimeve proceset gjyqësore dhe “forcat madhore”.
“Dy forcat madhore, tërmeti dhe pandemia globale e COVID-19. Struktura metalike do të prodhohej dhe zingohej në një nga zonat më të prekura në Itali, në zonën e Lombardisë”, u përgjigj bashkia në atë kohë për zgjatjen e afateve.
Fillimisht projekti nisi me premtimin se do të kushtonte 541.835.448 lek, të cilat u morën nga buxheti i shtetit. Shpejt u kuptua se fondi i parashikuar për projektin nuk ishte i mjaftueshëm dhe bashkia alokoi 3 herë para nga të ardhurat e saj, me vlerë totale 322.150.667 lek.
Në fund të nëntorit 2016 punimet për ndërtimin e Velierës në sheshin me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë nisën me shpejtësi, pa marrë parasysh se një pjesë e projektit prekte zonën arkeologjike të rriskut A, ku nuk lejohen ndërhyrjet nëntokësore dhe që në hapat e para solli shkatërrimin e gjetjeve arkeologjike.
Emiriana Sako shpjegoi ndër të tjera se parashikimi për procesin e rindërtimit ishte që të përfundojë brenda vitit 2024, ndërsa për premtimin e kahershëm të kryeministrit Rama, “Eko Parkut” në Porto-Romano, Sako tregoi se po bëhen procedurat që bashkia ta marri në dorëzim brenda një muaji nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.