Veliera, binaja e lënë në mes dhe që “gllabëroi” fondet publike

6 vite nga fillimi i punimeve për sheshin e kontestuar “Veliera”, ende nuk ka një përgjigje se kur do të përfundojë projekti i Bashkisë Durrës. Binaja prej hekuri ka marrë deri më tani 863 milion lekë, ndërsa bashkia ja faturon fatin e investimit Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Turistët që dikur orientoheshin lehtë përmes sheshit përpara Portit të Durrësit tani përshkojnë kryq e tërthorë strukturën metalike që është përhapur në një shesh që kombinon pllakat e mermerta me një nënkalim automjetesh.

Punimet kanë ndaluar prej kohësh midis ngrehinës prej metali, pa mundur të plotësojnë kupolën metalike që do të përfundonte strukturën që i ngjason anijes me vela. 

Cilësia e punimeve të rrugëve lidhëse të saj për automjetet kishte krijuar prej kohësh gropa, deri në rikonstruksionin rishtazi kryesisht në rrugën përbri Torrës Veneciane.

Media Amfora mësoi nga Bashkia Durrës se për projektin e nisur gjashtë vite më parë deri më tani janë alokuar fondet me vlerë 863.986.115 lek. Fillimisht projekti nisi me premtimin se do të kushtonte 541.835.448 lek, të cilat u morën nga buxheti i shtetit.

Shpejt u kuptua se buxheti i shtetit i parashikuar për projektin nuk ishte i mjaftueshëm dhe bashkia alokoi 3 herë fonde nga të ardhurat e saj, me vlerë totale 322.150.667 lek.

541.835.448 lek – Faza I / Burimi: Buxheti i Shtetit

142.436.880 lek – Faza II / Burimi: Buxheti i Bashkisë Durrës

77.736.443 lek – Faza III / Burimi: Buxheti i Bashkisë Durrës

101.977.344 lek – Shtesë kontrate / Burimi: Buxheti i Bashkisë Durrës

Në përgjigjen zyrtare Bashkia Durrës hoqi përgjegjësinë, duke u referuar tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia e Prokurimit Publik për afatin e përfundimit të punimeve. Gjithashtu ajo nuk komentoi nëse kishte ndryshime të materialeve që do të përdoreshin nga koncepti i parë që ishte miratuar dhe për kompanitë e nënkontraktuara.

Megjithatë në një përgjigje të vitit 2021 Bashkia Durrës fajësoi për zvarritjen e punimeve proceset gjyqësore dhe “forcat madhore”.

“Dy forcat madhore, tërmeti dhe pandemia globale e COVID-19. Struktura metalike do të prodhohej dhe zingohej në një nga zonat më të prekura në Itali, në zonën e Lombardisë”, u përgjigj bashkia në atë kohë për zgjatjen e afateve.

Punimet për ndërtimin e sheshit prej betoni dhe me strukturën metalike u realizuan nga bashkimi i kompanive “Everest” dhe “Fusha”, që zbatuan projektin e hartuar nga arkitekti italian, Marko Kazamonti.

Punimet kanë vijuar me ritëm të ulët ndër vite. Foto: Nëntor 2021, Media Amfora

Në fund të nëntorit 2016 punimet për ndërtimin e Velierës në sheshin me sipërfaqe 12 mijë metra katrorë nisën me shpejtësi, pa marrë parasysh se një pjesë e projektit prekte zonën arkeologjike të rriskut A, ku nuk lejohen ndërhyrjet nëntokësore.

Gërmimet filluan pa një marrëveshje për monitorimin arkeologjik dhe shkaktuan konfuzion kur sondat dhe eskavatorët hasën në struktura muresh dhe mbetjesh të artilerisë me topa.

Gati të gjitha strukturat arkeologjike që u zbuluan u shkatërruan dhe u betonizuan, duke lënë vetëm pak prej tyre nën disa shtresa xhami. Sot ato janë mbuluar nga vegjetacioni dhe bulëzat e ujit nuk lejojnë shikimin e tyre nga vizitorët.

“Në lidhje me mirëmbajtjen e strukturave arkeologjike të mbuluara me xham në objektin ‘Veliera’ kryhet nga Muzeu Arkeologjik Durrës”, shpjegoi Bashkia Durrës për Amforën, megjithëse kjo kompetencë nuk i përket muzeut dhe është jashtë fushës së tij të veprimit.