Në Durrës procesi i riforcimit të godinave DS4 mbetet në vendnumëro

Kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako u zotua gati 1 vit më parë se 103 pallate të shpallura kategoria DS4 prej tërmetit të nëntorit 2019, do të riforcoheshin brenda 6 muajve. Por nga verfikifimi në terren dhe nga përgjigjia e bashkisë duket se procesi është ende larg përfundimit, pasi nuk janë dorëzuar ende pallatet e para.

DURRËS

Në qytetin e Durrësit një sërë objektesh banimi pësuan dëme në strukturën e tyre, duke rrezikuar seriozisht shembjen e pas lëkundjeve sizmike të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Të ndara në pallate të ndërtuara në periudhën e komunizmit dhe pas viteve’ 90, së bashku me shumë banesa private në njësitë administrative ato kaluan në një proces vlerësimi të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Procesi klasifikoi me shkallë dëmi “DS4” godinat që pësuan dëme në strukturën e tyre dhe kanë nevojë për ndërhyrje riforcimi, pas ekspertizave të hartuara nga Instituti i Ndërtimit.

“Nga mesi i vitit të kaluar më në fund, pas shumë peripecish mësuam se pallati do të përforcohej. Shumë herë kemi ngritur zërin. Presim që të nisin punimet, por askush nuk na thotë se kur do të nisi puna”, rrëfen Shezë Aliaj.

Gruaja qëndron me qira në lagjen me numër 18 të qytetit. Pallati ku banonte në rrugën “Horizonti” vijon të jetë i dëmtuar si në ditën e parë pas tërmetit. Megjithëse procesi është premtuar disa herë për rezultate të shpejta, ai vijon të ketë vonesa për shumicën e godinave.

Në prill të vitit 2021 kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, u zotua se 103 pallate do të riforcoheshin brenda 6 muajve, por gati 1 vit më pas procesi nuk ka mbaruar ende as në 10 pallatet e para.

Shumë premtime, pak realizime

Kryebashkiakia e Durrësit, kryeministri Rama dhe ministri i shtetit për rindërtimin, Arben Ahmetaj, e kanë premtuar shumë herë ecjen e shpejtë të procesit të riforcimit të godinave me nivel dëmi DS4, por procesi në terren është ende shumë larg premtimeve.

Zyrtarisht Bashkia Durrës ka realizuar 12 prokurime për disa tendera që synojnë riforcimin e strukturave të banimit të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit. Nga përgjigja evidentohetet se shuma e tenderuar, rreth 1.6 miliardë lek apo gati 13 milion euro shkon për rreth 23 pallate dhe 32 banesa individuale, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar ende procesin e rikonstruksionit.

Një pjesë e tenderimeve kanë pësuar pezullime, të tjerë kanë pasur amendime kontratash dhe vonesash për arsye të ndryshme, si ndryshimet në projekt apo ndikimet e kushteve atmosferike.

“Është një proces mjaft i rëndësishëm sepse dëmi në të tilla objekte vërtetë është i riparueshëm, por kërkon punë mjaft cilësore në të gjitha proceset, pasi dëmi DS4 klasifikohet i tillë sepse rezulton të ketë prekur një pjesë të mirë të objektit, ndaj kërkohet punë me përgjegjësi”, shprehet  inxhinieri Xhevair Ngjeqari.

Pallat në pritje të rikonstruksionit në zonën e Plazhit. Foto: Erjola Azizolli

Buzë Shëtitores Taulantia, 32 familje të pallatit me numër 10/47 kanë ngritur zërin në çdo institucion lokal dhe qendror, duke insistuar për një proces të plotë të vlerësimit të dëmeve dhe riparimit të tyre sa më shpejt.

“Nga DS2, kaloi në DS3 e më pas në DS4. U desh që të kërkonim ekspertizë pas ekspertize dhe më në fund u vendos që të riforcohej dhe jemi në pritje”, rrëfen kalvarin e përpjekjeve Klaudio Hyseni.

Ai që banon prej vitesh në pallatin e ndërtuar pas viteve’ 90 dhe tregon se për nisjen e punimeve pritet lëvrimi i fondeve nga Ministria e Rindërtimit, pasi banorët i janë drejtuar disa herë këtij institucioni.

“Mësuam se i është kërkuar ministrisë zhbllokimi i fondit dhe ju drejtuam zyrtarisht si banorë për informacion ministrisë, por ende nuk kemi një përgjigje se kur do të jepet fondi”, përfundon Hyseni.

Me objektet ende të dëmtuara nëpër rrugët e qytetit, banorët vijojnë të ndihen të pasigurt pas tërmetit që la pas 51 viktima, 25 prej të cilëve në qytetin bregdetar.

Pallat në pritje të rikonstruksionit në lagjen numër 18 të qytetit. Foto: Erjola Azizolli

Në brendësi të lagjeve të Plazhit, në rrugën “Lule Bore” një pallat i dëmtuar rëndë nga tërmeti tërheq vëmendjen e vizitorëve të parë për këtë sezon turistik. Tullat e ballkoneve janë varur jashtë godinës, një pamje që haset edhe në pallate të tjera në zonë.

“Ja, kalojmë nga ana tjetër e rrugës, se si është katandisur ky pallat nuk është çudi që të bjerë ndonjë pjesë betoni”, rrëfen me të shpejtë një prej banorëve të lagjes.

Sipas ekspertëve objektet me shkallë të tillë dëmi kërkojnë jo vetëm rikonstruksion, por edhe përforcim në hapësirat e përbashkëta, si fasada, shkallët, ashensorët dhe pjesë të tjera të strukturës së godinave.

“Faktorët atmosferikë ndikojnë, çdo lëkundje tjetër sizmike sado e vogël.  Mos ndërhyrja në sistemin hidrik në objekt dhe gjithçka tjetër që lidhet me dëmtimet nëse kalon një kohë e gjatë, bëhet shkak për thellimin e dëmeve”, analizon inxhieri Xhevair Ngjeqari.

Teksa qindra familje vijojnë të jetojnë me qira dhe presin të rikthehen në banesat e tyre, Bashkia Durrës shprehet zyrtarisht se ende nuk ka përfunduar plotësisht procesi i hartimit të projekteve të përforcimit.

Procesi i ri forcimit të pallateve po vijon në lagjen numër 18 të Durrësit. Foto: Geri Emiri

“Janë 43 objekte me nivel dëmi DS4, për të cilat bashkia ka kërkuar fonde për hartimin e projektit të përforcimit, për të cilët jemi në pritje fondit”, u përgjigj Bashkia e Durrësit përmes një Kërkese për Informacion.

“Përsa i përket objekteve DS4, Bashkia Durrës ka lidhur kontratë me një studio projektuese për hartimin e projekteve rehabilituese dhe pjesë e listës së objekteve DS4 janë 231 objekte”, shtoi përgjigja e saj.

Por godinat që po riforcohen nuk kanë pëfunduar ende dhe janë një grusht krahasuar me totalin, teksa përfaqësuesit vendor e kanë premtuar disa herë procesin për banorët.

“Kontrata për këto objekte është për 6 muaj, parashikojmë që punimet të përfundojnë në një periudhë më të shkurtër”, premtoi kryebashkiakia Emiriana Sako gati 1 vit më parë.

“Kemi rreth 203 pallate në Durrës, për të cilat do të realizohet ky proces”, shtoi Sako në prill të vitit 2021. Ndërsa më 29 qershor 2021 kryebashkiakia Emiriana Sako postoi në Facebook njoftimin se për 13 pallate të tjera është në proces realizimi i garës.

“Screenshot” nga faqja në Facebook e kryebashkiakes Emiriana Sako

Janë 11 pallate ku punohet sipas projekteve përkatëse për përforcimin e tyre… Ndërkaq pas miratimit në Këshillin Bashkiak do të fillojë puna për riforcimin e 35 banesave individuale që janë konstatuar me shkallë dëmi DS4”, shkruajti Sako.

Përgjigja zyratre e Bashkisë Durrës paraqet një proces që ende nuk është përmbushur sipas parashikimeve dhe pothuajse ka mbetur në vendnumëro. 5 muaj më parë Faktoje.al, e analizoi gjithashtu situatën për ndërhyrjet riforcuese dhe nuk konstatohen rezultate të prekshme të procesit të ndërhyrjeve.

  • ❌ Nisur nga deklarata e kryebashkiakes Sako, përgjigja zyrtare e Bashkisë Durrës dhe verifikimi që media Amfora dhe Faktoje bëri në terren, këtë premtim do ta kategorizojmë “TË PAMBAJTUR”.

Ky shkrim u publikua si një bashkëpunim i Medias Amfora me Median Faktoje.al, pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Foto në krye: Pallat në pritje të rikonstruksionit në lagjen numër 18 të qytetit. Foto: Erjola Azizolli.