53 vite nga Revolta e Spaçit, aktivitete përkujtimore në disa qytete
Në 53-vjetorin e Revoltës së Spaçit, në disa qytete të vendit u organizuan aktivitete përkujtimore në nder të të burgosurve politikë që u ngritën kundër regjimit komunist në 21 maj të vitit 1973.
Flamuri kuq e zi i valëvitur në Spaç në simbol të qëndresës së të burgosurve politikë kundër regjimit komunist. Foto: Zyra e BE-së në Shqipëri
Në Spaç, Tiranë dhe Elbasan u zhvilluan më 21 maj aktivitetet përkujtimore për 53-vjetorin e Revoltës së Spaçit, të organizuara nga institucione, organizata dhe ish-të përndjekur politikë për të kujtuar qëndresën e të burgosurve kundër regjimit komunist dhe për të përcjellë kujtesën historike te brezat e rinj.
“Ne u detyrohemi këtyre njerëzve tre gjëra: së pari, një vend kujtese për jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan; së dyti, drejtësi për ta dhe për familjet e atyre që u vranë; dhe së treti, dëmshpërblim, sepse dëmshpërblimi është një mënyrë konkrete për të njohur vuajtjen e shkaktuar dhe për të rikthyer dinjitetin e tyre”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.
I pranishëm në aktivitetin përkujtimor të organizuar në ish-burgun e Spaçit, Gonzato tha se kujtesa, drejtësia dhe dëmshpërblimi mbeten vlera thelbësore që Bashkimi Evropian i mbron dhe i përfaqëson.
“Sot u ktheva në Burgun e Spaçit, dy vite pas vizitës sime të parë, një vizitë që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën time. Vetëm duke ardhur në këtë vend, mund të kuptosh vërtet përmasat e dhunës dhe mizorisë së regjimit komunist”, u shpreh ai.

Aktiviteti i zhvilluar në ish-kampin burg të Spaçit u organizua nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në bashkëpunim me institucione vendore e qendrore dhe solli në vëmendje revoltën e majit 1973, kur të burgosurit ngritën flamurin kombëtar pa yllin komunist, në një akt që konsiderohet simbol i qëndresës ndaj diktaturës komuniste.
Në Tiranë, aktiviteti përkujtimor bëri bashkë të mbijetuar të revoltës, ish-të burgosur politikë dhe përfaqësues të organizatave antikomuniste, të cilët kujtuan qëndresën e të burgosurve të Spaçit dhe simbolikën e revoltës.
Gjatë aktivitetit, presidenti i Unioni Mbarëkombëtar i ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni, tha se revolta e Spaçit shënoi një prej akteve të para publike të kundërshtimit ndaj regjimit komunist dhe e lidhi mesazhin e saj me thirrjet për liri dhe demokraci të viteve që pasuan në Shqipëri.
“Në atë revoltë u hodh për herë të parë slogani i demokracisë dhe i lirisë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’”, tha Ndregjoni gjatë aktivitetit përkujtimor.
Në Elbasan, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) organizoi në Teatri Skampa aktivitetin letrar “Poezia si Kujtesë”, ku nxënës dhe studentë interpretuan krijime të shkruara nga të burgosurit e Spaçit, në një përpjekje për të sjellë pranë brezit të ri kujtesën dhe dëshmitë e së kaluarës komuniste.
Revolta shpërtheu më 21 maj 1973 në burgun famëkeq të regjimit totalitar në Spaç, ku të burgosurit politikë u ngritën kundër dhunës dhe kushteve çnjerëzore në kamp. Gjatë revoltës, ata ngritën dhe valëvitën flamurin kombëtar pa yllin komunist, ndërsa disa prej organizatorëve u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan pas shtypjes së saj.
Aktivitetet përkujtimore, të organizuara nga institucione, organizata dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, do të vijojnë deri më 23 maj me homazhe, takime dhe veprimtari kushtuar kujtesës së revoltës dhe viktimave të regjimit komunist.