Tjetërsimi i tokave në bregdetin e Durrësit, zyrtarë të ASHK-së nën akuzë

Prokuroria e Durrësit kërkoi masa sigurimi për 12 persona, mes tyre punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), të dyshuar për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe tjetërsimin e tokave në zonën bregdetare të qytetit. Sipas hetimit, skema çoi në regjistrimin e paligjshëm të pronave shtetërore dhe sekuestrimin e rreth 53 mijë metrave katrorë tokë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës njoftoi të premten se ka kërkuar masa sigurimi ndaj 12 personave, të dyshuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, në kuadër të një hetimi për tjetërsimin e pronave në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore në Durrës. Sipas Prokurorisë, në skemë dyshohet se janë përfshirë edhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Durrës.

“Nga ana e organit procedues u arrit të provohet mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive me qëllim përfitimin material në gjashtë raste në zonën kadastrale 1574, ndodhur në Kallm dhe NB Frutore Durrës (zona bregdetare)”, njoftoi Prokuroria.

Sipas hetimit, procedimi penal nisi në vitin 2022, pasi gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në ASHK Durrës u konstatuan parregullsi që ngritën dyshime për falsifikimin e dokumentacionit të pronësisë. Prokuroria pretendon se personat nën hetim, në bashkëpunim me punonjës të Kadastrës, krijuan dokumente të falsifikuara, të cilat futeshin në arkivë me numra reference, në disa raste të dubluara, dhe më pas regjistroheshin në regjistrat e pasurive me data fiktive.

“Dokumentet e falsifikuara futeshin në arkivën e ish-ASHK-së Durrës duke marrë numra reference, në disa raste të dubluara, dhe më pas janë hedhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke u vendosur data fiktive regjistrimi”, njoftoi Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, skema nuk ndalej te falsifikimi i dokumenteve. Hetimi pretendon se në disa raste hiqeshin edhe fletët origjinale të regjistrave, ndërsa pronat me zë kadastral “shtet” zëvendësoheshin me fletë të falsifikuara në emër të personave nën hetim. Më pas, këto prona shiteshin te persona të tretë për të fshehur gjurmët e përfitimit.

“Janë hequr fletët origjinale të regjistrit, nga ku pasuria me zë kadastral ‘shtet’ u zëvendësua me fletë të falsifikuara në emër të personave në hetim, të cilët më pas, në disa raste, për të humbur gjurmët i kanë shitur këto pasuri te persona të tretë”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria pretendon se në regjistrimin e këtyre pronave kanë pasur rol edhe punonjës të ASHK-së Durrës, të cilët, sipas hetimit, kanë regjistruar dokumentacion të falsifikuar pa kryer verifikimet e përcaktuara në ligj.

“Nga ana e punonjësve të ASHK-së Durrës u janë regjistruar pasuritë me dokumentacion të falsifikuar, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe pa kryer verifikimet përkatëse”, njoftoi Prokuroria.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata caktoi masën “arrest në burg” për Ramazan Sheshin, Adrian Konën, Bledar Zerbën dhe Rovin Zeqjan. Në masën “arrest në shtëpi” u vendosën Shaqir Sheshi, Viktor Mataj, Arianit Mataj dhe Besnik Xhafa, ndërsa për Fiqeret Xhafën, Jonida Mergejën, Leandro Dervishin dhe Artur Çobanin u caktua masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në kuadër të hetimit, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi gjithashtu sekuestro preventive mbi 13 pasuri, me një sipërfaqe totale prej rreth 53 mijë metrash katrorë, të cilat dyshohet se janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshmepërmes skemës së falsifikimit të dokumenteve të pronësisë.