Keqinterpretimi i “qasjes transformuese gjinore” rrëzoi Planin e Barazisë Gjinore në Durrës
Projektvendimi për planin vendor të barazisë gjinore nuk mori votat e nevojshme në Këshillin Bashkiak të Durrësit, pasi kundërshtimet e disa këshilltareve u përqendruan te terminologjia e përdorur. Dokumenti, i hartuar për të orientuar politikat vendore në fushën e barazisë gjinore, u bë objekt debatesh për shkak të interpretimeve mbi disa prej termave të tij.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Foto: Bashkia Durrës
Më 9 korrik, Këshilli Bashkiak i Durrësit shqyrtoi projektvendimin për miratimin e Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030, një dokument strategjik i hartuar nga Bashkia Durrës për të orientuar politikat vendore në këtë fushë gjatë pesë viteve të ardhshme. Megjithatë, diskutimi nuk u përqendrua te objektivat, masat apo ndikimi i planit, por te interpretimi i disa termave të përdorur në dokument, të cilët u kthyen në boshtin e debatit që parapriu votimin.
Keqinterpretimi i termit “qasje transformuese gjinore” u vendos në qendër të debatit që çoi në mosmiratimin e planit në Këshillin Bashkiak të Durrësit. Ndërsa disa këshilltarë e kundërshtuan dokumentin duke argumentuar se formulimet e tij mund të cenonin konceptin tradicional të familjes, Bashkia Durrës dhe UN Women sqaruan për Amforën se termi i referohet një qasjeje të politikave publike për adresimin e stereotipeve dhe pabarazive gjinore, pa sjellë asnjë ndryshim në legjislacion, identitetin juridik të qytetarëve apo përkufizimet ligjore të familjes.
Një nga zërat kritikë ishte këshilltarja Edlira Devolli, e cila kundërshtoi mënyrën se si dokumenti trajtonte disa kategori dhe formulimet e përdorura për barazinë gjinore.
“Kam rezerva ndaj formulimit që flet për një qasje transformuese gjinore, e cila synon transformimin e normave shoqërore dhe roleve tradicionale gjinore”, tha këshilltarja në fjalën e saj.
Pasi ngriti rezervat për terminologjinë e përdorur në dokument, këshilltarja e opozitës Devolli sqaroi se kundërshtimi i saj nuk lidhej me nevojën për politika mbështetëse për gratë dhe grupet në nevojë, por me mënyrën se si sipas saj ishin formuluar disa pjesë të projektvendimit.
“…nuk jam dakord që në emër të barazisë gjinore të futen formulime që mund të cenojnë konceptin tradicional të familjes ose të vendosin në një plan situata krejt të ndryshme sociale dhe ligjore”, tha Devolli.
Kundërshtimet ndaj këtyre formulimeve shënuan pikën kulmore të diskutimeve në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës dhe zhvendosën debatin nga përmbajtja e përgjithshme e planit te interpretimi i terminologjisë së përdorur në të. Pikërisht këto interpretime nxitën reagimet e përfaqësuesve të bashkisë dhe këshilltarëve të mazhorancës, të cilët argumentuan se dokumenti nuk duhej lexuar jashtë kuadrit ligjor dhe qëllimit për të cilin ishte hartuar.
Gjatë prezantimit të projektvendimit, drejtoresha e Shërbimeve Sociale, Diola Xhango, sqaroi se dokumenti ishte hartuar si një instrument strategjik për orientimin e politikave vendore në fushën e barazisë gjinore. Në relacionin shoqërues, bashkia argumenton se plani është përgatitur në zbatim të legjislacionit shqiptar për vetëqeverisjen vendore dhe barazinë gjinore, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 dhe si vazhdimësi e planeve të mëparshme të miratuara nga Bashkia Durrës.
Lidhur me termin “qasje transformuese gjinore”, i cili u bë pjesë e diskutimeve, bashkia sqaroi se ai nuk lidhet me ndryshimin e seksit apo identitetit të individëve, por me konceptin e përdorur në politikat publike për adresimin e pabarazive.
“‘Qasje transformuese gjinore’ nuk lidhet me ndryshimin e seksit apo identitetit të individëve. Ai i referohet adresimit të stereotipeve, praktikave diskriminuese dhe pengesave institucionale që i ndalojnë gratë dhe burrat nga përfitimi i barabartë i politikave dhe shërbimeve publike”, tha drejtoresha e Shërbimeve Sociale.
Sipas institucionit, plani është hartuar për të integruar konsideratat gjinore në politikat dhe shërbimet vendore, me synimin që ato t’u përgjigjen më mirë nevojave të grave dhe burrave, vajzave dhe djemve në komunitet. Bashkia argumenton se dokumenti përfaqëson vazhdimësinë e angazhimeve të ndërmarra ndër vite dhe synon t’i përkthejë objektivat e strategjive kombëtare në masa konkrete në nivel lokal.
“Plani synon të krijojë mundësi më të barabarta për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, përmes fuqizimit ekonomik dhe punësimit të grave, përmirësimit të shërbimeve sociale dhe të kujdesit, rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe vendimmarrje, si dhe forcimit të mekanizmave për parandalimin dhe adresimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Një element i rëndësishëm me këtë plan, ne sigurohemi që planet, investimet dhe shërbimet e tjera të qytetit të adresojnë nevojat reale të grave dhe burrave, të djemve dhe vajzave të komunitetit tonë”, shpjegoi Bashkia Durrës për Amforën.
Kundërshtime ndaj terminologjisë së përdorur në dokument ngriti edhe këshilltarja e Partisë Demokratike, Edlira Harizi. Ajo iu drejtua përfaqësuesve të Bashkisë me pyetje lidhur me termin “transformimi i roleve gjinore”, duke kërkuar sqarime për kuptimin e tij në projektvendim.
Pavarësisht shpjegimeve të dhëna nga drejtoresha e Shërbimeve Sociale, Diola Xhango, diskutimi vijoi me debate, ku nuk munguan replikat mes këshilltarëve. Ndërkohë, Bashkia Durrës sqaroi se dokumenti ishte hartuar pas një procesi konsultimi, i cili kishte përfshirë edhe fazën e dëgjesave publike me institucionet dhe grupet e interesit.
Mes pjesëmarrësve në këto dëgjesa ishte edhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (CSDC) Durrës, Mirjam Reçi, e cila vlerësoi se gjatë diskutimeve nuk u ngritën shqetësime të natyrës që u shfaqën më pas në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
“Ky plan është konsultuar me ne si shoqëri civile dhe me të gjitha institucionet në varësi të bashkisë, diku dy ose tre muaj më parë. Për sa është shpjeguar në një takim mbi tre orë pa ndërprerje, nuk kam parë të ketë një çështje të atyre debateve për ndryshimet e gjinisë”, tha Reçi për Amforën.
Procesi i hartimit të Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030 u mbështet teknikisht nga UN Women Albania në kuadër të projektit EU4GE II – Për Fuqizimin Ekonomik dhe Shoqëror të Grave, financuar nga Bashkimi Evropian. Sipas organizatës, mbështetja ka konsistuar në ofrimin e asistencës teknike gjatë hartimit të planit, ndërsa procesi është udhëhequr dhe zotëruar nga vetë institucioni vendor.
“Procesi është udhëhequr dhe zotëruar nga Bashkia Durrës. Ky proces është gjithëpërfshirës dhe i bazuar në evidenca, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore. Gjatë hartimit të planit, bashkia ka analizuar situatën dhe të dhënat ekzistuese, ka konsultuar strukturat e saj, njësitë administrative dhe aktorët vendorë, ka formuluar objektivat, masat dhe treguesit e matshëm, si edhe ka kostuar masat dhe i ka lidhur ato me proceset e planifikimit dhe buxhetimit vendor”, shpjegoi UN Women për Amforën.
Për organizatën, debati mbi një dokument publik është i rëndësishëm, por ajo theksoi se interpretimi i termave duhet të bëhet në funksion të dokumentit dhe bazës ligjore mbi të cilën ai është hartuar.
“Plani Vendor i Veprimit për Barazinë Gjinore 2026–2030 është një dokument planifikimi vendor. Ai nuk ka fuqi të ndryshojë legjislacionin shqiptar, aq më pak të krijojë kategori të reja juridike dhe nuk mundet kurrsesi të ndryshojë përkufizimet ligjore të familjes, gruas apo burrit, statusin civil apo identitetin juridik të qytetareve dhe qytetarëve”, theksoi UN Women.
Çështjet që lidhen me familjen dhe terminologjinë e përdorur në dokumentet publike kanë qenë pjesë e diskutimeve edhe në nivel kombëtar, gjatë shqyrtimit dhe pas miratimit nga Kuvendi të ligjit të ri për barazinë gjinore.
Në Durrës, diskutimet mbi këto çështje shoqëruan shqyrtimin e projektvendimit në Këshillin Bashkiak. Pas debateve, projektvendimi nuk mori votat e nevojshme për t’u miratuar, duke marrë 25 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.