Shkelen afatet, Muzeu Etnografik i Beratit i mbyllur në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve

Në “Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve” Muzeu Etnografik i Beratit ishte i mbyllur për të pritur vizitorët në këtë fillim sezoni turistik. Muzeu me një koleksion të pasur objektesh megjithëse duhej të përfundote restaurimin deri shtatorin e vitit 2023, vijon të jetë i kyçur.

I ndod­hur në “zonën tampon” gjatë rrugës kryesore për në lagjen “Kala”, Muzeu Etnografik i Beratit është i kyçur megjithëse nuk ka asnjë tabelë jashtë objektit që të tregojë se po i nënshtrohet restaurimit me vlerë rreth 257 mijë euro.

Ai është krijuar në një banesë karakteristike nga të paktat në gjininë e banesave me çardak. Muzeu me një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është i përfshirë në të gjitha guidat turistike vendase dhe të huaja, por për të dytin vit nuk është i vizitueshëm. 

Projekti i restaurimit për muzeun kishte qëllim meremetimin e tij, konservimin dhe ndërhyrjen në linjat elektrike, por ai ka tejkaluar çdo pritshmëri që kur nisi në shkurt të vitit 2023. Ndërhyrja ende nuk është finalizuar me sukses, megjithëse kjo pritej të ndodhte në shkurt të vitit 2023.

“Zbatimi i projektit, konservimit dhe restaurimit: ‘Projekt restaurimi e konservimi dhe elektrik, për ndriçimin e brendshëm dhe të jashtëm të Muzeut Etnografik të Beratit monument kulture i kategorisë së parë’, ka nisur në objekt më 07.02.2023 dhe data e përfundimit është 30.09.2023”, tha zyrtarisht Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), në një përgjigje për Median Amfora.  

Sipas MEKI-t projekti parashikonte një sërë punimesh restauruese, duke ndërhyrë në pjesë të ndryshme të banesës që është njëkohësisht Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

“Ky projekt parashikon punime restaurimi, konsolidimi, restaurim çatie, restaurim dyshemeje, lyerje, punime shtrimi me pllaka, drenazhim, vendosje dyer, dritare, restaurim tavani, punime elektrike dhe ndriçimi”, shtoi MEKI. 

Sipas ministrisë punimet kanë përfunduar, por nuk ka përfunduar faza faza e ndriçimit të Muzeut Etnografik të Beratit.

“Punimet kanë përfunduar aktualisht sipas preventivit dhe pritet të fillojë edhe zbatimi i fazës së dytë për ndriçimin”, tha MEKI në përgjigjen e saj.  

Ndërhyrja ka vlerë gati 257 mijë euro dhe pavarësisht fondit të alokuar nuk dihet ende se kur do të jetë gati për të pritur vizitorët. Teksa ai vijoi të qëndrontë i kyçur edhe sot më 18 Prill, që shënon “Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Vendbanimeve Historike”.

Media Amfora ka raportuar më herët se si rikonstruksioni i Muzeut Arkeologjik Durrës janë ende larg përfundimit dhe se si u vonuan punimet restauruese në Muzeun Etnografik të Krujës, duke dëshmuar dështimin e autoriteteve për t’i përfunduar në kohë ndërhyrjet në muzetë e vendit, shumica të nxitur nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

I vendosur në një godinë dykatëshe shekullore, në katin përdhes të tij ndodhet një rrugicë e improvizuar e pazarit mesjetar, që paraqet nëpërmjet objekteve të ekspozuar zeje tipike dhe nga më të zhvilluarat e trevës, qëndistarinë, argjendarinë, punimin e bakrit dhe veshje e zbukurime që dëshmojnë nivelin e jetesës së vendasve.

Në pjesën e “hajatit”, prezantohen zeje që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë për nevoja familjare. Ai lidhet me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte prej guri dhe qeramike. Ndërsa në katin e sipërm, në mjediset e dhomave të banesës paraqitet mënyrën e jetesës, organizimi, traditat dhe zakonet tipike të një familje qytetare të pasur në Mesjetën e Vonë.