Punimet e vonuara të Muzeut Etnografik të Krujës po shkojnë drejt fundit

Punimet e restaurimit të Muzeut Etnografik të Krujës parashikoheshin të përfundonin brenda 8 muajve pas nisjes në shkurt të vitit 2022. Por pas tejkalimit të afatit sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, punimet janë mbyllur dhe po kryhen testimet e fundit.

I ndodhur brenda Kalasë së Krujës, Muzeu Etnografik është ngritur në shtëpinë e Familjes Toptani, një ndërtesë e tipit me “çardak”, që daton nga viti 1764.

Pas konstatimit të çarjeve dhe dëmtimeve së jashtmi, shoqëruar me amortizimet e mobiljeve dhe të pikturave murale, ai ju nënshtrua punimeve me disa faza, për të ofruar edhe shërbime digjitale.

“Punimet për multimedian dhe muzealizimin kanë përfunduar në masën 98%. Multimedia pritet të përfundojë me të gjitha testimet në fund të shkurtit”, sqaroi Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), në një përgjigje zyrtare për Median Amfora. 

“Referuar raportit të supervizimit, punimet restauruese, civile, elektrike dhe mekanike kanë përfunduar në masën 100%”, shtoi përgjigja e MEKI.

Megjithëse punimet përshkruhen si drejt përfundimit, ato nisën në shkurt të vitit 2022 dhe parashikohej që të përfundonin brenda 8 muajve, afat i cili u tejkalua.

Teqeja e Dollmës është një tjetër monument pak metra larg muzeut, e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por megjithëse punimet për restaurimin e saj nisën një vit pas fatkeqësisë natyrore, ato dolën jashtë parashikimit për t’i përfunduar brenda një viti kalendarik.

Tabela e punimeve në Muzeun Etnografik të Krujës. Foto: Media Amfora

Një raport i “EU4Culture” (Bashkimi Evropian për Kulturën), postuar në faqen e tyre zyrtare shpjegon nevojat që kishte ky muze për ndërhyrje. 

“Duke marrë parasysh kushtet ekzistuese, muzeu ka çarje të dukshme në suvatim, mure prej guri dhe druri. Qepalla e çatisë ka dëmtime të vogla në të gjithë gjatësinë, mobilet kanë nevojë për një vlerësim të plotë të konservimit…”, përshkruante “EU4Culture”.

“…pikturat murale kanë nevojë për pastrim dhe stabilizim, të gjitha instalimet elektrike që kanë të bëjnë me elektricitetin dhe mbikëqyrjen duhet të ndryshojnë, sistemet e alarmit dhe mbrojtja nga zjarri kanë nevojë për një përmirësim të plotë”, shtonte “EU4Culture”. 

Banesa ku gjendet Muzeu Etnografik në Krujë është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë përmes dy vendimeve, në vitin 1963 dhe 1973. Në të prezantohen shembuj të zejeve të ushtruara në zonë dhe mënyra e jetesës e 300 viteve më parë.  

Ajo që i jep vlera këtij muzeu është se 90% e objekteve janë origjinale dhe janë ende funksionale. Në muze gjenden objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, dhe qendisje të ndryshme.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109