Shfuqizimi i zonës së zhvillimit në Durrës, banorët kërkojnë pezullimin e projektit TID

Banorët e prekur nga projekti “TID Durrës” i kërkuan bashkisë dhe institucioneve të tjera pezullimin e menjëhershëm të projektit dhe nisjen e procedurave për anulimin e tij. Kërkesa vjen pasi qeveria shfuqizoi vendimin e vitit 2020 që shpallte një pjesë të Durrësit zonë të re për zhvillim, mbi të cilin banorët argumentojnë se janë mbështetur vendimmarrjet e mëvonshme për projektin.

Shfuqizimi i vendimit të vitit 2020 për zonën e re për zhvillim në Durrës ka rikthyer më 1 shtator kundërshtitë e banorëve ndaj projektit “TID Durrës”, të cilët kërkojnë pezullimin e tij dhe sqarimin e pasojave juridike të vendimit të qeverisë.

Kërkesa, e hartuar më 28 gusht nga Grupimi Qytetar kundër Projektit ‘TID Durrës’, së bashku me avokatin përfaqësues të pronarëve të prekur, u dorëzua më 1 shtator në Bashkinë Durrës. Dokumenti i drejtohet edhe disa institucioneve qendrore dhe kërkon informacion për pasojat e vendimit të qeverisë, por edhe marrjen e masave konkrete ndaj projektit. 

Qeveria, përmes vendimit nr. 621 të datës 30 korrik 2026, shfuqizoi VKM-në nr. 442 të vitit 2020, e cila kishte shpallur zonën e re për zhvillim në Njësinë Administrative Durrës dhe kishte caktuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese.

Referuar kërkesës së banorëve, mbi bazën e këtij vendimi ishte miratuar më pas Plani i Detyruar Vendor nr. 39, datë 19.5.2021, për Zonën 5, Bashkia Durrës, ndërsa me këtë territor lidhet edhe projekti “Restaurimi dhe Rikualifikimi Urban i Zonës Perspektive TID, Parku Arkeologjik Durrës”. 

“Shfuqizimi i këtij akti ndryshon bazën territoriale dhe juridike mbi të cilën janë mbështetur vendimmarrjet e mëvonshme, përfshirë projektin: ‘Restaurimi dhe Rikualifikimi Urban i Zonës Perspektive TID, Parku Arkeologjik Durrës’”, argumentohet në kërkesën e grupimit. 

Një prej pikave të ngritura lidhet drejtpërdrejt me pronat e parashikuara për t’u prekur nga projekti. Referuar dokumentacionit të administruar nga grupimi, nga 74 prona të parashikuara për shpronësim, rreth 20 prej tyre, sipas banorëve, nuk duhet të jenë më objekt prishjeje apo ndërhyrjeje.

“Sipas dokumentacionit të administruar dhe krahasimit paraprak të gjurmës së projektit, nga 74 pronat e parashikuara për shpronësim, rezulton se rreth 20 prona nuk duhet të jenë më objekt prishjeje apo ndërhyrjeje”, thuhet në kërkesë. 

Pas dorëzimit të kërkesës, Entela Koja, përfaqësuese e banorëve, tha për mediat se projekti po rishikohet edhe sa i përket pronave të prekura.

“Duan të japin përshtypjen se projekti po vijon, por në fakt projekti ka rënë që në momentin që ata diskutojnë për rishikim dhe rishikimi ka ardhur edhe tek pronat që një pjesë e mirë e banorëve tashmë po sigurojnë dokumentet e pronave që ishin lënë me vite të pambyllura”, tha për mediat Entela Koja, përfaqësuese e banorëve.

Për këtë arsye, grupimi kërkon nga institucionet të sqarojnë nëse Plani i Detyruar Vendor për Zonën 5 vazhdon të jetë juridikisht në fuqi pas shfuqizimit të VKM-së së vitit 2020, si dhe çfarë pasojash sjell vendimi i ri për procedurat e projektit, shpronësimet dhe pronat e prekura. 

Kërkesat e banorëve shkojnë përtej marrjes së informacionit. Në dokument kërkohet “pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të projektit ‘TID Durrës’ në të gjithë gjurmën e tij”, së bashku me pezullimin e procedurave të shpronësimit, prishjeve, ndërhyrjeve fizike, financimit, prokurimit dhe kontraktimit. 

Grupimi kërkon gjithashtu pezullimin e veprimeve administrative ndaj pronarëve të prekur dhe “fillimin e procedurave administrative dhe ligjore për anulimin e plotë të projektit ‘TID Durrës’”. 

Projekti TID parashikon ndërhyrje urbane në zonën historike pranë Amfiteatrit të Durrësit. Banorët e zonës e kundërshtojnë prej muajsh, duke ngritur shqetësime për pronat e prekura, procesin e shpronësimeve dhe transparencën, ndërsa në maj kërkuan rishikimin e projektit dhe ndalimin e proceseve që lidhen me prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre.

Kërkesa e dorëzuar më 1 shtator shoqërohet nga nënshkrimet e 65 banorëve. Në të kërkohet gjithashtu vënia në dispozicion e hartës së përditësuar të Zonës 5 dhe gjurmës së projektit TID, listës së pronave dhe objekteve të prekura, si dhe listës së pronave që nuk rezultojnë më objekt prishjeje ose shpronësimi.