Hyjnë në fuqi rregullat e reja në GJKKO, gazetarët paralajmërojnë hapa kundër vendimit
Gazetarët që ndjekin seancat gjyqësore në GJKKO përballen që prej 1 shtatorit me rregulla të reja, mes të cilave është edhe kufizimi i përdorimit të telefonave celularë. Shoqata e medias ngriti shqetësimin se rregullorja ndikon drejtpërdrejt në punën e reporterëve dhe paralajmëroi hapa kundër vendimit.
Godina e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme në Rrugën "Jordan Misja", Tiranë. Foto ilustruse Media Amfora
Raportimi nga seancat në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndryshon nga kjo e martë me hyrjen në fuqi të rregullores së re për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e saj. Kufizimi i përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave është një nga pikat që ka ngritur shqetësimin e gazetarëve, të cilët i përdorin pajisjet edhe për të komunikuar me redaksitë dhe për të raportuar zhvillimet nga proceset gjyqësore.
Hyrja në fuqi e rregullave të reja solli reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili shprehu “keqardhjen dhe zhgënjimin” që ato nisën të zbatohen pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve që, sipas AGSH-së, ishin ngritur më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.
AGSH reagoi më 1 shtator pasi kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve.
“Ne vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t’u informuar”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
Rregullorja “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” hyri në fuqi më 1 shtator 2026. Ajo vendos rregullat për sigurinë, rendin dhe sjelljen brenda ambienteve të Gjykatës, ndërsa zbatimi i tyre i ngarkohet administratës gjyqësore dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë.
Në përfundim të reagimit, shoqata e medias deklaroi se mbetet e gatshme për bashkëpunim dhe dialog me Gjykatën.
“Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim”, përfundoi reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.