Rasti i gazetarit Elton Qyno, Kushtetuesja pranoi kërkesën për objektin e padisë
Kërkesa e bërë me anë të avokatit nga gazetari Eton Qyno, për të ndryshuar objektin e padisë, u pranua nga Gjykata Kushtetuese për fshirje të kopjeve virtuale të telefonave të sekuestruar. Ndërsa SPAK, si palë e interesuar në proces, mësohet se kërkoi kohë për të argumentuar mbi ndryshimin.

Gazetari i "Ora News", Elton Qyno, gjatë një interviste në televizion. Burimi: "Screenshot" nga video
Ka zgjatur pak minuta senaca e së mërkurës në Gjykatën Kushtetuese për rastin e gazetarit Elton Qyno, që kishte në fokus ndryshimin e objektit të padisë, duke shtuar shtuar kërkesën për fshirje të kopjeve virtuale të telefonave që ishin sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme në dhjetor të vitit 2023.
Gazetari Elton Qyno i Televizionit “Ora News”, përfaqësohej nga avokati Dorian Matlija, në padinë për sekuestrimin e pajisjeve elektronike në pronësi të tij, kontrollin në banesë dhe atë personal, pas një hetimi të nisur nga SPAK për nxjerrjen e sekretit hetimor.
Sipas padisë gazetari Qyno kërkon shfuqizimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime, duke i cilësuar ato në shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Avokati Matlija tha se mbajtja në sekuestro e mjeteve elektronike dhe kopjeve virtuale të tyre cenonte lirinë e gazetarit dhe rrezikonte ekspozimin e burimeve.
Në seancë, Matlija paraqiti kërkesën për ndryshim të objektit duke shtuar se pasi ishin vënë në dijeni të ekzistencës së kopjeve virtuale të të dhënave në telefona, kërkohej edhe shkatërrimi i tyre.
Gjykata pas një ndërprerje të shkurtër e pranoi këtë kërkesë, duke e cilësuar të lidhur me kërkesat e mëhershme për shfuqizim të vendimeve gjyqësore që sollën sekuestron. Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, 2 prokurorët Bledar Maksuti dhe Olsi Dado, kërkuan kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së re.
Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën e tyre dhe e shtyu seancën për në datën 2 prill, ndërsa u dha kohë palëve për të paraqitur përgjigjet me shkrim deri më 26 mars.
Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në banesën e tij Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike. Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si një shkelje e të drejtave të tij si gazetar.
Në nëntor të vitit 2024 Gjykata e Posaçme vendosi masën e detyrimit për paraqitje për gazetarin Qyno, si i dyshuar për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Ndërsa në janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë të vendosur nga shkalla e parë.