Rama reagon pas protestave studentore: “Duar të huaja nuk e duan Shqipërinë të qetë”

Kryeministri Edi Rama reagoi pas protestës së tretë studentore në Tiranë, duke akuzuar opozitën dhe duke pretenduar se aktet e dhunës mbështeten edhe nga interesa të huaja që kundërshtojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama reagoi të premten, të premten pas përplasjeve dhe dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestës së studentëve një ditë më parë në Tiranë, duke akuzuar opozitën se qëndron pas akteve të dhunës dhe duke pretenduar për përfshirjen e interesave të huaja.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama u shfaq pranë një biznesi të djegur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u ndal te dëmet ekonomike të shkaktuara ndaj familjeve që sigurojnë jetesën përmes sipërmarrjeve të vogla.

“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, e djersës, e ëndrrave dhe shpresave të një familjeje të zakonshme”, u shpreh Rama, duke premtuar se qeveria do të mbështesë bizneset e dëmtuara pas përfundimit të protestave.

Ai solli si shembull rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019, duke deklaruar se familjet që humbën banesat arritën të riktheheshin në shtëpi më të forta.

Kryeministri kundërshtoi lidhjen e akteve të dhunshme me lëvizjen studentore, duke argumentuar se dëmtimi i bizneseve dhe institucioneve nuk përfaqëson kërkesat për përmirësimin e arsimit.

“Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore”, deklaroi ai.

Rama e drejtoi përgjegjësinë politike për incidentet ndaj opozitës, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë të njëjtat forca që, sipas tij, kanë nxitur dhunë dhe shkatërrime në të kaluarën.

Gjatë deklaratës, kryeministri ngriti edhe pretendimin për mbështetje të huaj ndaj atyre që ai i konsideron përgjegjës për përshkallëzimin e protestave.

“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim në fakt që nga viti 1912 […] sot mbështetet dhe nga duart të tjera, duar të huaja”, deklaroi Rama.

Ai i lidhi këto pretendime me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke sugjeruar se përshkallëzimi i protestave në të njëjtën periudhë me zhvillimet në negociatat me Bashkimin Evropian nuk ishte rastësi.

“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo Shqipëria mbyll një tjetër kapitull […] këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi!”, u shpreh kryeministri.

Rama nuk identifikoi në deklaratë shtetet apo personat e huaj që pretendonte se mbështesnin trazirat dhe nuk paraqiti prova konkrete për përfshirjen e tyre.

Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu përfshirjen e të miturve në incidentet e dhunshme dhe dëmtimin e hapësirave publike, ndërsa pranoi se studentët dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zgjidhjen e problemeve që i shqetësojnë.

Deklarata erdhi pas protestës së 15 tetorit në Tiranë, ku tubimet studentore u shoqëruan me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private. Protestat u shtrinë edhe në Durrës, ku marshimi i të rinjve u pasua nga zjarre në sheshin “Liria” dhe dëmtime të godinës së Prefekturës.

Delegacioni i Bashkimit Evropian kishte reaguar një ditë më parë, duke dënuar përshkallëzimin e dhunës dhe duke kërkuar respektimin e lirisë së tubimit, vetëpërmbajtje dhe dialog.

Në përfundim të mesazhit, Rama u bëri thirrje qytetarëve për durim, duke deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës dhe se vendi do ta kapërcejë situatën.