Miratimi i Projektligjit për Zonat e Mbrojtura: “Hapësirat natyrore do kthehen në kantiere ndërtimi” 

Projektligji për Zonat e Mbrojtura kaloi të enjten në Kuvend përmes votave të socialistëve, ndërsa shoqëria civile zhvilloi një protestë jashtë sallës. Për ekspertët e fushës miratimi i këtij projektligji parashikon në nenet e tij ndërtimin e resorteve luksoze brenda Zonave te Mbrojtura dhe se beteja e organizatave mjedisore do të vijojë.  

Qytetarë, grupime të Organizatave të Shoqërisë Civile dhe ekspertë në fushën e ruajtjes së natyrës protestuan jashtë Parlamentit mesditën e së enjtes kundër projektligjit, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 për Zonat e Mbrojtura”, i cili megjithatë u miratua nga deputetët socialistë me 74 vota pro.  

Këtë veprim të nxituar aktivistët e kanë cilësuar si të qëllimshëm dhe që fsheh plane për projekte ndërtimore, që cenojnë tërësisht peizazhin e atyre që ishin Zona të Mbrojtura.

“Nxitimi dhe anashkalimi i dëgjeseva të qenësishme për këtë projektligj, tregon qartë se çfarë pritet të ndodhi me rrjetin e Zonave të Mbrojtura”, tha për Median Amfora, Zydjon Vorpsi, aktivist dhe ekspert pranë Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). 

Vorpsi u shpreh se miratimi i këtij projektligji, rrezikon shkatërrimin e natyrës shqiptare, e cila është e njohur për larminë e shpendëve dhe kafshëve.

“Kalimi i këtij ligji në Parlament është shkatërrimi përfundimtar i natyrës së vendit tonë”, tha Vorpsi.  

Në një reagim në “Platformën X”, një ditë më parë Delegacioni i Bashkimit Europian theksoi se, “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi temat e mbuluara nga acquis e BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, ​​si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.

Megjithatë kryeministri Edi Rama u përgjigj në mënyrë ironike se ishte, “100% në një mendje me Bashkimin Europian”, ndërsa foli për suksese me Zonat e Mbrojtura, ndryshe nga sa dëshmon situata në terren.

“Një ligj i cili parashikon në nenet e tij ndërtimin e resorteve luksoze brenda Zonave të Mbrojtura, pavarësisht zonimit apo shkallës së mbrojtjes, është sinjal i qartë që këto hapësira të mbrojtura natyrore do kthehen në kantiere ndërtimi”, tha Vorpsi.  

Me miratimin e projektligjit që kaloi në Kuvend pavarësisht kundërshtive, Zonat e Mbrojtura rrezikojnë të humbasin statusin e mbrojtjes reale dhe vendosen nën rrezikun e transformimit si pasojë e ndërtimeve brenda tyre.

Ky projektligj u jep të drejtë bashkive të menaxhojnë të paktën 20% të territorit të tyre dhe të miratojnë projekte ndërtimi brenda këtyre hapësirave.

Për organizatat mjedisore dhe Qendrën për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, ky projektligj kërcënon dekada përpjekje dhe investime për të mbrojtur pasurinë natyrore të vendit tonë. 

“Së bashku me grupimin e Organizatave të Shoqërisë Civile dhe ekspertë në fushën e ruajtjes së natyrës, i kemi shqyrtuar tërësisht ndryshimet e miratuara dhe e kundërshtuam fuqimisht zbatimin e tyre”, shkruhej në deklaratën për shtyp të PPNEA-s, që u shpërnda për mediat. 

Sipas deklaratës mospërfillja ndaj ndjenjës publike të shfaqur me miratimin e këtij ligji është zhgënjyese. 

“Ndryshimet e miratuara në projektligj sjellin rrezik të konsiderueshëm për të ardhmen e mjedisit shqiptar, duke kërcënuar vlerat dhe burimet natyrore që janë thellësisht të rëndësishme për identitetin e vendit tonë”, shtjellohej më tej në deklaratë.  

Megjithatë aktivistët janë të vendosur që ta ndjekin çështjen në drejtime të tjera. Më herët deputetja Ina Zhupa, tha se ishte miratuar, “një ligj klientelist i bërë për oligarkë pranë Ramës” dhe sipas saj grupi demokrat do të bëjë çdo përpjekje për ta ndalur, që nga Presidenti e deri tek Kushtetuesja.  

“Çdo hap i nevojshëm do të ndiqet. Ështe çështja më e rëndësishme për mbarëvajtjen e natyrës, dhe të ardhmen e vendit tonë”, përfundoi orintologu Zydjon Vorpsi.