Teqeja e Dollmës mbetet kantier punimesh, plani i restaurimit pas tërmetit e kaloi afatin fillestar

Teqeja e Dollmës në Krujë, u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por megjithëse punimet për restaurimin e saj nisën një vit pas fatkeqësisë natyrore, ato dolën jashtë parashikimit për t’i përfunduar brenda një viti kalendarik.

Një strukturë e lartë metalike dominon së largu Teqenë e Dollmës në Krujë, ku së afërmi nisin të dallojnë litarët dhe përforcuesit që kanë shtrënguar strukturën me qëllim që ta mbrojnë nga ndonjë shembje e papritur.

Këto janë të vetmit tregues të punimeve të nisura në monumentin e kulturës që pësoi dëmtime serioze nga tërmeti që preku vendin tonë më 26 nëntor 2019. Në zonë nuk shihen punëtorë, ndërsa një tabelë e vendosur në objekt tregon se është kantier ndërtimi.

Më 11 korrik të vitit 2020 ish-ministrja e kulturës, Elva Margariti, postoi në rrjetet sociale lajmin se Teqeja e Dollmës ishte në proces restaurimi, megjithëse përfundimi i punimeve që nisën në vitin 2021 duket ende shumë larg.

“Teqeja e Dollmës në Krujë, një nga objektet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit tashmë është në proces restaurimi”, shkruante Margariti në atë kohë, shoqëruar me një video që tregonte se po kryheshin punime.  

Ministria e Kulturës shpjegoi zyrtarisht se që prej muajit janar të vitit 2021, ishte miratuar projekti për ndërhyrje emergjente në monument.  

“Me vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) numër 9, datë 15.01.2021, është miratuar Projekti ‘Ndërhyrje emergjente përforcuese në Teqenë e Dollmës, Krujë’, me aplikues Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB)”, shpjegoi përgjigja zyrtare e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).

“Punimet kanë nisur më datë 22.02.2021, me një grafik punimesh prej 12 muajsh”, shtoi përgjigja.  

Teqeja e Dollmës mbetet kantier punimesh. Foto: Media Amfora

Një përfaqësues nga organizata jo-qeveritare shpjegoi përmes telefonit për Median Amfora, se për shakak të problematikave të hasura punimet nuk kanë përfunduar ende, pa dhënë detaje të tjera. 

Vetë organizata nuk ju përgjigj një kërkese për koment rreth vonesave të zbatimit të projektit, por u sugjerua që t’i drejtoheshim donatorit, i cili në këtë rast ka vetëm rolin e financuesit.

“CHwB” kërkoi pranë institucioneve përgjegjëse shtyrje të afatit të punimeve, me qëllim zbatimin e projektit. 

“Me vendim të KKTKM-së, numër 74, datë 08.04.2022, është miratuar kërkesa e CHwB për shtyrjen e afatit të punimeve me 6 muaj, në projektin ‘Ndërhyrje konservuese dhe përforcuese në Teqenë e Dollmës, Krujë'”, shpjegoi përgjigja e Ministrisë së Kulturës. 

Projekti i hartuar parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të teqesë, punime të cilat janë lënë në mes. 

Teqeja e Dollmës është Monument Kulture i Kategorisë së Parë, ndërtuar që në vitin 1779. Ajo ndodhet brenda Kalasë së Krujës dhe përveçse është një objekt kulti për besimtarët bektashinj, është edhe një objekt tepër i vizituar në të shkuarën.

Teqeja u hap pas vitit 1990 dhe deri në vitin 2019 ka qenë në shërbim të festave dhe vizitorëve, por tashmë punimet restauruese nuk dihet se kur do të përfundojnë.